Qendra Evropiane për Drogën: Është rritur prodhimi i kanabisit në Shqipëri

Rritja e kultivimit të kanabisit në Shqipëri po ndryshon rrugët e trafikimit të kanabisit në gjithë shtetet e Bashkimit Evropian. Ky është përfundimi i raportit për lëndët narkotike të Qendrës Evropiane të Monitorimit të Lëndëve Narkotike:

Raportet e kohëve të fundit tregojnë ndryshime në rrugët e trafikimit të kanabisit me rritjet e kultivimit dhe trafikimit të bimës  dhe vajit të kanabisit në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Shqipëri. Ky ndryshim vjen kryesisht si pasojë e rritjes së kultivimit të kanabisit në këto shtete.

Në të njëjtën kohë  në shtetet e BE-së është ulur sasia e kanabisit të sekuestruar si pasojë e disa nismave për të luftuar trafikimin e kanabisit që në vendet jashtë BE-së ku kultivohet, si për shembull Shqipëria.

Harta e prodhimit dhe shpërndarjes së kanabisit në Evropë – Burimi: Europol

Një raport që thekson rëndësinë e Shqipërisë në tregun evropian të kanabisit  u publikua pak muaj më parë nga Europol.

Ish-Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, aktualisht drejtues i fushatës së PS-së në Tiranë, gjithmonë deklaronte se ai e kishte nën kontroll situatën e kanabisit, derisa pasardhësi i tij Fatmir Xhafaj zbuloi se segmente të Policisë së Shtetit ishin përfshirë në trafikun e drogës.  Ministria po ashtu pranoi se një “raport” i famshëm  në të cilin pretendohej se 99.8% e fushave të kanabisit ishin shkatërruar, në fakt ishte i rremë.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri, përfshirë ambasadoren Romana Vlahutin, vazhdimisht ka refuzuar të komentojë për problemin e kultivimit të drogës në Shqipëri dhe nuk i është përgjigjur as raportit të Europolit apo Raportit Evropian për Drogën.