Vlorë, Prokuroria kërkon 9 vite burg për Shpëtim Gjikën

Prokuroria e Vlorës ka kërkuar 9 vite burg për Shpëtim Gjikën, ish-kryebashkiakun e Vlorës, i cili akuzohet për “fallsifikim dokumentesh” dhe  “shpërdorim detyre”.

Shpëtim Gjika u arrestua në shkurt të vitit 2015 pas një denoncimi lidhur me një pallat 11-katësh në Vlorë. Bashkë me Gjikën u arrestua dhe drejtoresha e Planifikimit dhe Kontrollit të Territorit Doriana Sulaj dhe ndërtuesin Artur Haxhi.

Sipas prokurorisë, ish-kryebashkiaku në bashkëpunim me drejtoreshën e Planifikimit, kanë lëshuar dokumente me përmbajtje të fallsifikuar që më pas kanë sjellë ndërtime të paligjshme në qytetin bregetar.

Më konkretisht, prokuroria e Vlorës shpjegon se dokumentat janë falsifikuar në katër episode, tre prej të cilave kanë lidhje me tre vendime të datës 17 janar 2011 të KRRT-së Vlorë, ndërkohë që e katërta i përket lejes së ndërimit në qershor 2013.

Vendimet për shesh apo leje ndërtimi nuk rezultojnë të regjistruara në protokollin e mbledhjes së 17 janarit 2011, pavarësisht se ekzistojnë si dokumente fizike. Për këtë arsye kanë lindur dyshime se ato mund të jenë falsifikuar nga Zoti Gjika dhe zonja Sulaj, në interes të ndërtuesit Haxhi.

Kjo është hera e dytë që ish-kryebashkiaku Gjika vihet përpara drejtësisë për të njëjtat akuza. Më 27 nëntor 2015, ai u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës për akuzat “falsifikim” të lejeve të ndërtimit për dy ndërtesa të tjera në Vlorë.