Zgjedhjet në Fier, si ndahen mandatet mes PS, PD e LSI?

Nga Gjergj Erebara
Zgjedhjet në Fier, si ndahen mandatet mes PS, PD e LSI?

Qarku i Fierit konsiderohet prej kohësh si një bastion i Partisë Socialiste, ku ajo ka fituar 9 nga 16 mandate në dy zgjedhjet e kaluara. Por mbërritja në mandatin e dhjetë për socialistët duket e vështirë, për sa kohë LSI dhe PDIU mbeten forca të konsiderueshme në këtë qark.

Në zgjedhjet e vitit 2013 në Qarkun Fier, Partia Socialiste me aleatët e vet arritën të marrin 62.3 për qind të votave duke e lënë të djathtën me vetëm 32 për qind. Vetë Partia Socialiste mori 44%, gati dyfishi i Partisë Demokratike.

Por formula e ndarjes së votave fillimisht mes koalicioneve dhe pastaj mes partive që përbëjnë koalicionet, bëri që Partia Socialiste të merrte 9 deputetë në këtë qark, aq sa pati marrë më 2009. Këtyre iu shtuan dy deputetët e LSI duke e lënë rezultatin përfundimtar në numër deputetësh 11 me 5 për të majtën, rezultati më i thellë në vend.

Lëvizja Socialiste për Integrim arriti të marrë rreth 20 mijë vota në Fier më 2013, dy herë më shumë se sa më 2009, duke siguruar dy mandate. Në rast se më 2013 ajo do të garonte më vete siç po ndodh aktualisht, kaq vota do të mjaftonin sërish për dy mandate, por një rënie e vogël nga ky numër votash mund ta reduktojë LSI-në në një mandat ndërsa mandati tjetër mund t’i kalojë socialistëve.

Nëse socialistët dëshirojnë të marrin një mandat të dhjetë në këtë qark, rruga për këtë duket se kalon përmes rënies së LSI-së. Ky rezultat i ngushtë duket se është edhe shkaku i përplasjeve të ashpra mes PS-së dhe LSI-së në këtë qark. Më 14 qershor, LSI nxori kryetarin e saj të ri Petrit Vasili për të denoncuar dhunimin e një aktivisti të saj në zonën e Zharrëzës, në Fier. Gramoz Ruçi, kandidat i Partisë Socialiste në vend të nëntë në këtë qark, iu përgjigj duke argumentuar se nuk dihej nëse dhuna kishte prapaskenë elektorale apo jo.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj morën pesë mandate në Fier më 2013, një më pak se sa në vitin 2009, kur mandati i gjashtë u sigurua pas një përleshjeje fizike dhe ligjore në ish-komunën Rruzhdije, një episod elektoral në të cilin komisionerët e një qendre votimi u gjetën duke mbushur kutitë me vota të votuesve në emigrim.

Mandati i humbur nga e djathta më 2013 ra në duart e LSI. Por vetë e djathta siguroi katër mandate për Partinë Demokratike ndërkohë që mandati i pestë u sigurua nga Omer Mamo, kandidat i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. PDIU garon kësaj here në Fier me Nustret Avdullën [Link CV], administrator i një kompanie peshkimi dhe kryetar i degës së kësaj partie në Fier. Kësaj partie mund t’i nevojiten pak më shumë vota se sa më 2013 për të ruajtur mandatin e deputetit në këtë qark, mandat që mund t’i kalojë PS-së si mandat i dhjetë ose PD-së, në rast se PDIU nuk ia del të arrijë suksesin e vitit 2013.

PDIU garoi në zgjedhjet e vitit 2015 si parti aleate e të majtës, por votat që ajo arriti të marrë në bashkitë e qarkut Fier rreth 7 mijë vota, krahasimisht më pak nga sa pati marrë në vitin 2013.

Qarku Fier

Qarku i Fierit është qarku i dytë më i madh për nga numri i votuesve të regjistruar me 392 mijë vetë dhe rrjedhimisht nxjerr 16 deputetë, gjithashtu numri më i madh i deputetëve për një qark përveç Tiranës.

Qarku i Fierit shtrihet në një territor të gjerë dhe përbëhet nga bashkitë Fier, Lushnje, Divjakë, Mallakastër, Patos e Roskovec. Aktualisht Partia Demokratike kontrollon vetëm bashkinë e Mallakastrës, e cila ka një numër të vogël votash. Bashkitë e tjera, Fieri, bashkia më e madhe në qark, si dhe Patosi, Roskoveci, Lushnja e Divjaka, kontrollohen nga Partia Socialiste.

Partia Socialiste ka vendosur sekretarin e vet jetëgjatë Gramoz Ruçi në vend të nëntë në listën e saj. Në rast se kjo parti do të bëjë fiasko në qarkun Fier, do të jetë mandati i Ruçit ai që mund të bjerë. Por socialistët kanë gëzuar rezultat të thellë në këtë qark dhe mandati i dhjetë, ndonëse i vështirë, nuk duket i pamundur. Kandidati i dhjetë në listën e socialistëve, Xhevit Bushaj, i cili më parë ka qenë prefekt i qarkut, sakaq ka shënuar në CV-në e tij të publikuar “2017 e vazhdim: deputet i Kuvendit të Shqipërisë”, duke e konsideruar veten sakaq të zgjedhur.

Partia Demokratike, e cila ka marrë vetëm katër mandate në këtë qark më 2013, ka vendosur të pestin në listë Olsi Çukajn, djalin e Behar Çukajt, pronar i kompanisë Bolv Oil me aktivitet në sektorin e naftës, i cili garon në emër të Partisë Agrare Ambjentaliste. Në rast se Partia Demokratike arrin të përmirësohet nga rezultati i vitit 2013, Olsi Çukaj, 26 vjeç [CV link] do të bëhet deputet.

Lëvizja Socialiste për Integrim garon në Fier me deputetët aktualë Petrit Vasili [CV Link] dhe Robert Bitri [CV link] ndërsa në rast se do të ketë një mandat të tretë, ai do t’i përkasë Erisa Xhixhos, aktualisht zëvendësministre e Integrimit [CV link].


Ky artikull u botua tek Reporter.al.

Lajme te ngjashme