Kryeministri Rama paralajmëron operacion të madh kundër feudëve të kanabisit

“Është momenti që Policia e Shtetit të përgatitet për një operacion të madh kombëtar kontrolli të elementëve me rekorde kriminale në të gjithë vendin që janë simbole të këtyre feudeve të kultivimit të kanabisit.”

Kështu deklaroi sot Kryeministri Rama gjatë një takimi me Task-Forcën kundër kanabisit. Ai u shpreh se policia ka informacionet e duhura për veprimitaritë kriminale të narkotrafikantëve dhe se po bëhet gati për t’i sulmuar:

“Është koha ta pastrojmë Shqipërinë jo vetëm nga kanabisi, por edhe nga këto mikrobe të gjalla që kërcënojnë sigurinë e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.”

Sipas Kryeministrit ky operacion duhet përgatitur me kujdes në mënyrë që të mos pengojë sezonin turistik, duke lënë të kuptohet se operacioni “për t’i dhënë fund kultivimit të kanabisit” pritet të nisë në muajin gusht. Ai  kërkoi bashkëpunimin e bashkive për të finalizuar me sukses atë:

“Ka kryetarë të caktuar bashkish që nuk janë shfaqur në lartësinë e kësaj sfide për çrrënjosjen e kanabisit, s’është vetëm sfida e policisë së shtetit.”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, në vazhdim të deklaratës së Kryeministrit Rama, tha se policia aktualisht po heton 5 grupe të strukturuara kriminale:

“Po hetohen 5 grupe të strukturuara kriminale, janë evidentuar pasuritë e asetet kudo që i kanë, shtëpi, truall, automjete, biznese. Policia e Shtetit është e vendosur për ta finalizuar me sukses këtë betejë, si dhe të çojë përpara gjykimit ata zyrtarë që nuk kryejnë dertyrën si duhet.”