Lubonja: Disa teza për ringritjen e PD-së

Lubonja: Disa teza për ringritjen e PD-së

Publicisti dhe opinionisti Fatos Lubonja, në shkrimin e tij publikuar nga Gazeta Panorama flet për Partinë Demokratike dhe të ardhmen e saj. Disa nga tezat e Zotit Lubonja për ringritjen e PD-së janë:

PD dhe trashëgimia e saj

Tema kryesore e kritikave dhe sulmeve kundër Bashës ka qenë mungesa e demokracisë në vendimmarrjet e tij: për hapjen e mbylljen e çadrës, për marrëveshjen me Ramën, për listat e deputetëve, për mosdhënien e dorëheqjes, për mënyrën se si i organizoi zgjedhjet për kryetar.

Në kritikat e tyre periudha e Berishës u mistifikua si një periudhë “e artë” e “fitoreve”, dhe PD u trajtua si një “pasuri kombëtare” që po shpërdorohet apo po shitet nga Basha te kundërshtari.

Gjykoj se një qasje e ndershme dhe serioze do të ishte ajo që do ta fillonte kritikën me atë periudhë, me ballafaqimin me vetveten, me Berishën, që do të çonte në një trajtim krejt tjetër të trashëgimisë së PD-së.

PD dhe demokracia

Lulëzim Basha erdhi te kjo parti pasi kishte kaluar një periudhë pune në ambiente europiane ku – siç tregonte edhe vetë –eprorët e tij mblidhnin stafin e bënin “brain storming”, që do të thotë se shtronin problemet dhe vilnin mendimet e të gjithë pjesëtarëve.

Kur u fut në partinë e Berishës, pa se punët nuk shkonin kështu. Eprori i madh me nofkën “doktori” nuk bënte “brain storming”, por u jepte urdhra vartësve që duhet t’i zbatonin. Basha iu përshtat kësaj “forma mentis” të liderit me “forma mentis”-in e vartësit shqiptar, i cili nuk e kundërshton apo kritikon kurrë liderin e vet, por vetëm i bën qejfin.

E pra, idealisht, ndryshimi i PD-së duhet të fillonte që këtu. Ajo nuk ka nevojë për një lider të modelit Sali Berisha e për vartës të modelit Basha, por për drejtues që kanë mësuar se ku të çon kjo rrugë dhe prandaj, do të duhej të mblidheshin e të bënin analizën e të kaluarës së tyre antidemokratike dhe pastaj të gabimeve që e kanë sjellë në këtë gjendje, përfshirë edhe ato të fundit të Bashës.

Duke bërë këtë PD-ja do t’i jepte nismën një ndryshimi kulturor që nuk ka filluar ende në Shqipëri.

PD – IDENTITETI DHE PËRFAQËSUESHMËRIA E SAJ

Si rezultat i varfërimit intelektual e ideal që ka sjellë mungesa e debatit dhe e njerëzve me personalitet në PD, ka ardhur edhe paqartësia për sa i përket identitetit dhe vizionit të kësaj partie.

Ajo u vetëpërcaktua kur lindi si parti e djathtë. Por çfarë partie u bë PD në të vërtetë? Ajo u bë një parti që synoi të përfaqësonte të gjithë popullin, njëlloj si partia-shtet që kishte edukuar Sali Berishën.

Njerëzit tashmë janë shumë të qartë se përtej manipulimeve të dyja partitë kur vijnë në pushtet ushtrojnë vendimmarrje në favor të një pakice të pasurish kundër shumicës gjithnjë e më të varfëruar.

Si të tilla këto “pjesë” që punojnë për një pakicë dhe pretendojnë se mbulojnë të tërën prej kohësh janë shndërruar në dy banda të destinuara të hanë njëra-tjetrën. Dhe siç treguan zhvillimet e fundit, partia e destinuar për t’u ngrënë është PD-ja.

Opozita që na duhet sot është ajo që do të kthejë vëmendjen drejt politikave sociale, drejt mbrojtjes së pasurisë publike, mbrojtjes së territorit që po gërryhet përditë nga çakejtë që do të thotë një parti të shumicës kundër partisë së pakicës së të pasurve.

Nëse PD ngulmon ta quajë veten të djathtë, nuk i mjafton për këtë vetëm përkatësia historike e një pjese të elektoratit. Një mundësi do të ishte të kthehen nga e djathtë liberale në të djathtë sociale p.sh., por ajo që shqetësoj është se ky lloj debati mbi përfaqësueshmërinë e saj as nuk ceket fare në PD.

Ajo ka mbetur një parti që, ashtu si dhe PS-ja, kërkon që kur t’i vijë radha e pushtetit, të thotë se përfaqëson të gjithë popullin, dhe të punojë për të njëjtin grusht oligarkësh dhe njerëzish të lidhur me krimin e organizuar.

Lajme te ngjashme