Falimenton Serenissima —Rihapet tenderi për ndërtimin e Bypassit të Fierit dhe Vlorës

Falimenton Serenissima —Rihapet tenderi për ndërtimin e Bypassit të Fierit dhe Vlorës

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) njoftoi sot se do të rihapet tenderimi për ndërtimin e By-passit të Fierit dhe Vlorës.

Qeveria shqiptare do të përdorë fondet e mbetura nga kredia prej 48.8 milionë euro nga BERZH dhe Banka Evropiane e Investimeve (BEI) për ndërtimin e by-passit të Fierit me gjatësi 22 kilometra. Ndërsa pjesa e mbetur për ndërtimin e by-passit të Vlorës financohet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë dhe Banka Evropiane e Investimeve.

Projektet e propozuara kanë një vlerë të përgjithshme prej 100 milionë euro.

Punimet të cilat do të ritenderohen janë:

Ndërtimi i bypassit Fier – Levan me gjatësi 22 kilomentra e cila lidh rrugët Lushje-Fier, Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë.

Ndërtimi i 29 kilometra të bypassit të Vlorës. Ky bypass fillon në fund të skajit jugor të autostradës së Fierit dhe vazhdon në Vlorë, duke përshkuar fshatrat Babicë dhe Kaninë. Nga Kanina, bypassi vazhdon paralelisht me vijën bregdetare, deri sa lidhet me rrugët eksistuese Orikum-Sarandë. Ritenderimi do të fillojë në tremujorin e fundit të 2017.

Kush është kompania italiane Serenissima:

Kompania italiane Serenissima, e cila duhet të ndërtonte by-pass-in e Fierit dhe atë Vlorës ka falimentuar: qeveria shqiptare ka sekuestruar dy kantierët e ndërtimit dhe ka marrë dokumentacionit përkatës.

Në fillim të prillit, Autoriteti Rrugor njoftoi shoqërinë se nëse brenda datës 6 prill 2017 kantierët nuk do të rihapeshin plotësisht, kontratat do të shfuqizoheshin në mënyrë të njëanshme. Kantierët nuk u hapën dhe të dyja kontratat u shfuqizuan në mënyrë të njëanshme nga autoriteti kontraktues, me arsyen e vonesave të gjata në përfundimin e punimeve.

Kontrata e parë, për realizimin e by-pass-it të Fierit, iu dha kompanisë Serenissima Construzioni s.p.a në vitin 2013 dhe punimet duhet të përfundonin në tetor 2017. Por deri në prill ajo mundi të kryente vetëm një pjesë të vogël të punimeve. E njejta gjendje vazhdon edhe me bypass-in e Vlorës, kontrata tjetër e fituar nga Serenissima në fillim të vitit 2015.

Kompania hyri në tregun shqiptar në vitin 2013 në sajë të mbështetjes politiko-diplomatike dhe arriti të fitojë dy kontrata të mëdha në Shqipëri dhe arriti të sigurojë dy kontratat e mësipërme me vlerë totale prej 80 milionë euro.

Mënyra se si kompania fitoi tenderat për këto dy kontrata shkaktoi shumë debate ndërmjet ndërtuesve shqiptarë, sepse ajo i fitoi garat duke ofruar një vlerë shumë më të ulët se sa vlera fillestare e ankandit. Madje, vlera e ofruar nga kompania ishte më e ulët se sa kosto e vërtetë e punimeve.

Vlerat shumë të ulta dhe ndjekja e një politike vetëvrasëse në marrëdhëniet me nënkontraktorët krijoi një sërë mosmarrëveshjes të cilat sollën bllokimin e punimeve, bllokimin e llogarive bankare, dhe pamundësinë për të përfunduar ndërtimin e veprave publike.

Pas një sërë negociatash të kota, në të cilat morën pjesë edhe përfaqësues të politikës italiane, qeveria shqiptare vendosi të shfuqizojë kontratat.

Ndërkohë, në shtator të vitit 2016, në Itali pronësia e kompanisë ndryshoi. Aksioneri i vetëm i Serenissimës, firma e fuqishme A4 Holding spa, u ble nga grupi më i madh privat evropian i menaxhimit të autostradave, kompania spanjolle Albertis.

Albertis vendosi ta shesë Serenissiman e cila u ble për pak para nga një sipërmarrës italian, i cili nuk arriti dot të bindë qeverinë shqiptare se mund të përfundojë ndërtimin e dy unazave kryesore në qytetin e Fierit dhe Vlorës.

Ndërkohë kompania Seresnissima duhet të përballet me gjyqe për mospagesën e 17 milionë eurove në drejtim të nënkontraktorëve.

Ndërsa kreditorët shqiptarë të gjendur në befasi nga shitja e kompanisë Serenissima janë shprehur se do të padisin grupin A4 Holding — pronari i vjetër i kompanisë Serenissima, me akuzën e mos mbikqyrjes së zbatimit të kontratave nga Serenissima.

Kjo tregon edhe një herë se qeveritë shqiptare, të ndikuara nga lobistët dhe diplomatët e huaj, i besojnë ndërtimin e veprave publike të rëndësishme operatorëve ekonomik fallso, që vijnë në Shqipëri vetëm për të bërë letra fallso.

Lajme te ngjashme