Nga Alba Mborja
Edi Rama, Agron Shehaj, emigrimi i minorenëve dhe idiotët e dobishëm

E pe sa kot ishin deputetët e rinj të PD-së? E pe fjalimin e Agron Shehajt sa qesharak ishte?

Mediat sociale u mbushën me pyetje retorike dhe komente të tilla, menjëherë pas seancës së diskutimeve të programit të qeverisë Rama.

Në Kuvend ka patur dhe ka të fortë analfabetë e kriminelë të shëmtuar, por nuk kisha parë ndonjëherë ndaj tyre ndonjë reagim publik si ai ndaj deputetëve të rinj të PD-së, veçanërisht Agron Shehajt. Nuk mbaj mend as të ketë patur ndonjëherë revoltim të ngjashëm ndaj injorantëve të dhunshëm dhe figurave qesharake deri në dhimbje që kanë mbushur elitën shqiptare këto vite.

Prandaj nga kurioziteti dëgjova fjalimin e Agron Shehajt. U revoltova dhe u dëshpërova. Ishte fjalim me përmbajtje, si pak fjalime që vinë nga politika këto kohë. Ishte fjalim i sinqertë që ka kohë që nuk ndeshet në diskutimin tonë publik.

Duket se njerëzit nuk ishin marrë me përmbajtjen e fjalimit, me ato që Shehaj kishte thënë, por me mënyrën e përcjelljes së fjalimit, që në të vërtetë linte shumë të dëshiruar për shkak të mungesës së dukshme të përvojës dhe aftësisë oratorike të folësit.

Çfarë tha realisht Agron Shehaj?

Ai denoncoi qasjen e Kryeministrit Rama për t’i përshkruar të gjithë, përfshi edhe demokratët, njësoj si vetja. Shehaj iu drejtua Ramës duke i thënë se ai, Shehaj, nuk ka bërë e nuk do bënte kurrë aleancë me krimin për pushtet, e nuk do lejonte kurrë kanabizimin e vendit, nuk do burgoste të varfërit për t’u dhënë para oligarkëve.

Shehaj tha se është ironike që Rama pasi bëri të ikin 300 mijë shqiptarë në katër vjet nga vendi dhe tani ka krijuar ministri për ta, Ministrinë e Diasporës. Shehaj theksoi se kjo gjë do të vazhdojë pasi sipas të dhënave të qeverisë amerikane numri i aplikuesve për llotari amerikane është rritur nga 65 mijë në 2013 në mbi 200 mijë në 2016.

Shehaj denoncoi Ministrin Ahmetaj për manipulim të opinionit duke përdorur me mjeshtëri terma teknikë dhe indikatorë të ndërlikuar që nuk kuptohen nga njerëzit dhe krijojnë përshtypjen sikur ka përparim ekonomik. Shehaj solli shifra të thjeshta, të kuptueshme dhe nga burime të besueshme. Ai informoi se sipas raportit të fundit të IBM-së mbi tërheqjen e investimeve të huaja tregon se Serbia është vendi që ka krijuar më shumë vende punë për frymë nga investimet e huaja, ndërsa Maqedonia e treta dhe Moldavia e pesta. Shqipëria nuk figuron fare në listë, e cila rendit 20 vendet kryesore në botë në këtë drejtim.

Mbasi Shehaj ngriti lart një kopje të shtypur të raportit, Kryeministri i kërkoi atij me shpërfillje që t’i jepte një kopje, duke dëshmuar kështu se as ai dhe as Ministri i Financave nuk e kanë idenë se ekziston ky raport, edhe pse është një nga raportet kryesore dhe më të besueshme në botë për rezultatet e vendeve të botë në lidhje me investimet e huaja.

Shehaj u shpreh se kishte bërë një sondazh opinioni online—pranoi se ai nuk është shkencor por vetëm ilustrues—dhe zbuloi se 82 për qind e atyre që u përgjigjën do të dëshironin të ikin nga Shqipëria dhe 56 për qind e tyre janë duke kërkuar në mënyrë aktive të ikin. Arsyeja kryesore që ata u shprehën se duan të ikin është ardhmja e pasigurtë e fëmijëve.

Pastaj Shehaj informoi se sipas statistikave zyrtare italiane, vetëm në 6 muajt e parë të vitit 2017 në Itali kanë emigruar 1 600 minorenë shqiptarë, të pashoqëruar nga prindërit. Shehaj u kërkoi deputetëve që të imagjinojnë një çast se çfarë traume mund të jetë për një minoren të emigrojë i vetëm në një vend të huaj. I ftoi ata të imagjinojnë se si mund të ndihen këta minorenë shqiptarë në kampet e refugjatëve ku mbahen së bashku me afganë, sirianë e qytetarë të tjerë nga vendet ku ka luftë. I ftoi të imagjinojnë traumën e prindërve të këtyre fëmijëve që vendosin të nisin fëmijët e tyre minorenë në emigrim nga dëshpërimi në vendin e tyre.

Shehaj ndau me deputetët mesazhin që i kishte çuar një prind, që sapo kishte nisur fëmijën për shkollë në Kanada. Bashku me të gjitha këshillat e tjera, prindi e kishte këshilluar fëmijën e tij që të mos kthehej më në Shqipëri, dhe madje as për varrimin e të jatit.

Shehaj tregoi se pasi u bë deputet, mësoi se duhej të mbyllte llogarinë e kompanisë së tij në Londër—Shehaj është pronari i kompanisë më të madhe të qendrave telefonike në Shqipëri, e cila eksporton shërbime në gjithë Evropën—pasi bankat angleze e kanë të ndalaur të hapin llogari bankare për politikanë Shqiptarë, arsyet për të cilën mund të merret me mend.

Shehaj pranoi se edhe me qeverinë e mëparshme nuk është se punët po shkonin vaj, por të paktën po shkonin në drejtimin e duhur. Kurse me Qeverinë Rama Shqipëria është kthyer drejt drogës, dhe drejt inovacionit në vjedhje. Tani përdoren skemat e reja me PPP dhe jo më me tendera të thjeshtë apo koncesione. Duke ironizuar, Shehaj tha se shpikja PPP tingëllon që në emër më bukur se koncesion dhe tender.

Në mënyrë pak të shpjegueshme për mua, fjalimi i Shehajt ngjalli vazhdimisht reagime nga deputetët socialistë, përfshi Kryeministrin Rama dhe ministrat e tij.

Gjatë gjithë kohës që Shehaj foli, ai u zhurmua, u ngacmua dhe u përqesh nga deputetët socialistët. Arsyeja ishte e thjeshtë: një deputet po demaskonte me fakte gënjeshtrat e shumicës. Preteksti i tyre qe mungesa e elokuencës apo dialekti dhe toni i zërit të Shehajt.

Mungesa e përvojës në të folurën publike veçanërisht në një sallë ku nuk ka shumë respekt dhe etikë si Kuvendi i Shqipërisë, bëri që përballë vulgaritetit agresiv të socialistëve, Shehaj të revoltohej, të humbte gjakftohtësinë përballë deputetëve tallës duke ju përgjigjur kësaj sjelljje me komente apo veprime që e bënë të duket naiv apo i papërvojë. Këto reagime të tij veçse e frynë qesëndinë e socialistëve në sallë.

Për të kuptuar thelbin e saj që ndodhi, mjafton të shikohet njëri nga shkëmbimet mes Shehajt dhe deputetëve socialistë. Ndërsa Shehaj po tregonte historinë e prindit që i kërkonte fëmijës të mos kthehej më në Shqipëri—një histori që e dëgjon kudo sot— një deputet socialist i drejtohet nga karrikja Shehajt me sarkazmën e pamëshirshme të njerëzve të zhveshur nga ndjenjat njerëzore: “U mallëngjeve ti?”. Menjëherë deputetët e tjerë socialistë iu bashkuan të qeshurës tallëse.

Me mbarimin e fjalës, mediat e kontrolluara nga Edi Rama nisën talljen frontale kundër Shehajt, duke mos u marrë fare me përmbajtjen e fjalës së Shehajt, por duke u kapur pas të folurës jo të sigurtë dhe reagimeve naive të Shehajt. Ironia është se në këtë lojë tallëse më aktivë ishin gazetarë, rrogat e të cilave vinë nga paratë që pronarët e tyre rrëmbejnë nga buxheti i shtetit, pra nga taksat që paguan Shehaj.

Çdo gazetar normal duhet të kishte gjetur kush ishte ai deputeti që u tall me historinë e prindit që i kërkoi fëmijës të mos kthehej dhe të kritikonte deputetin për shkëputje nga realiteti dhe tallje me popullin e tij. Madje mund të zbulonte që deputeti është politikan hajdut apo politikan kriminal dhe të ngrinte edhe alarmin që deputetë të tillë po shkatërrojnë të ardhmen e vendit.

Intelektualët e vendit, sidomos organziatat e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe të grave, duhet t’i kishin bërë jehonë tragjedisë së emigrimit të të miturve, madje të kishin falenderuar Shehajn që u bë zëdhënës i problemit të tyre. Por një nga figurat kryesore të këtyre organizatave, e cila menaxhon çdo vit qindra mijëra euro në emër të fëmijëve, ishte e elektrizuar dhe e lumtur për “deputetin qesharak” të PD-së—ndërsa e hasa rastësisht në rrugë nuk priti as ta përshëndesja para se të fillonte komentet e saj negative duke më thënë që duhej të shkruaja patjetër për këtë.

Gazetarët e ekonomisë dhe intelektualët e ekonomisë duhet të kishin përsëritur të dhënat që solli Shehaj dhe të ngrinin alarmin që Shqipëria është bërë vrimë e zezë në Ballkan për investimet, ndërkohë që fqinjët tanë si Maqedonie, pak më tutje Serbia janë sot destinacionet më tërheqëse të investimeve të huaja prodhuese në Evropë.

Madje njerëzit objektivë duhet të kishin vënë re diçka: në atë sallë kishte me dhjetëra milionerë (në Euro), por vetëm njëri ishte bërë milioner në mënyrë të ligjshme apo pa “ndihmën” e shtetit: Agron Shehaj.

Fatkeqësisht, shumica e elitës së Tiranës ndjeu dhe shprehu kënaqësi përçmuese ndaj Shehajt, natyrisht e fryrë dhe e justifikuar gjerësisht nga propaganda e mediave dhe ushtrisë së agjitacionit të Kryeministrit Edi Rama.

Në sulmet të tilla si këto nuk mund të mos dallosh mbivlerësimin e nënkuptuar që i bëjnë vetes sulmuesit dhe përqeshësit, ndjenjën e tyre të superioritetit ndaj çdokujt, edhe pse e vërteta është që ata më së shumti janë mediokër shpirtërisht dhe intelektualisht. Është ngatërrim që ju vjen jo vetëm nga instikti i dashurisë për veten, por edhe nga fakti që për shkak të padijes së thellë, elita jonë keqkupton parrullat, dogmat dhe formulat e gatshme duke i marrë për njohje dhe dije të thellë.

Natyrisht në të gjithë këtë histori, ka edhe një element të thellë të kënaqësisë perverse që shoqëria jonë gjen tek agresiviteti, për shkak se ajo ka humbur aftësinë për të ndarë të mirën nga e keqja, të drejtën nga e gabuara, të korruptuarën nga e ndershmja.

E vërteta është se shumë nga ata e ato që sot shajnë e bërtasin për moral, për demokraci, për ndershmëri janë vetë thellësisht të korruptuar dhe të kalbur moralisht. Një pjesë e tyre denoncojnë atë gjë që bëjnë vetë çdo ditë, pa patur asnjë lloj skurpulli. Por ne na pëlqen agresiviteti i tyre, pavarësisht se nuk ka asnjë element të sinqertë apo të moralshëm. Prandaj, fakti që elita sot ka humbur çdo lloj ndjeshmërie njerëzore është në thelb rezultat i paaftësisë sonë për zgjedhje morale.

Një elitë e tillë pa vlera dhe pa moral është kollaj e manipulueshme, blihet lehtë dhe shtyhet lehtë në agresivitet e përçmim pervers ndaj çdo mendimi ndryshe e ndaj çdokujt që është ndryshe. Këtë ka shfrytëzuar Edi Rama për ta kthyer atë në një grup “idiotësh të dobishëm”, siç i quante Lenini, të cilët përbëjnë gjithmonë shtyllën kryesore të pushteteve autokratike.

Nuk ka ndihmë më të madhe për autokracinë megallomane të Edi Ramës se një elitë dallkauke, të cilës nuk i bën përshtypje mijëra minorenët shqiptarë që emigrojnë çdo vit, por tingëllimi i çuditshëm i zërit të Agron Shehajt.