Radiografi e një projekti të BE-së — Faliment, vonesa dhe shpërthim ujrash të zeza

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Radiografi e një projekti të BE-së — Faliment, vonesa dhe shpërthim ujrash të zeza

Në korrik 2017, në kulmin e sezonit turistik, bregdeti i Ksamilit u përmbyt nga ujërat e zeza si pasojë e shpërhtimit të tubave të këtyre ujërave.

Bashkia e Sarandës ia kaloi përgjegjësinë BE-së, e cila kishte financuar rindërtimin e sistemit të kanalizimeve të ujrave të zeza të qytetit. Ndërsa BE deklaroi se projekti i ishte dorëzuar qeverisë shqiptare në prill të vitit 2017.

Në përgjgije të pyetjes së Exit.al për mbikqyrjen e punimeve, zëdhënësi i delagacionit të BE-së në Tiranë Ernest Bunguri deklaroi se:

Rrjeti i ri i kanalizimeve në Ksamil, i financuar nga BE, është përfunduar, testuar dhe i është dorëzuar Qeverisë shqiptare në prill 2017, e cili e ka marrë dhe ja ka transferuar projektin Bashkisë Sarandë. Që nga muaji maj 2017, rrjeti i kanalizimit operohet dhe menaxhohet nga Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve të Sarandës.

Në rast defektesh, rrjeti është nën garanci nga kontraktuesi për një periudhë njëvjeçare që përfundon në prill 2018. Shpërthimi i tubit që ndodhi më 26 korrik 2017 është duke u hetuar nga kompania mbikëqyrëse e punimeve. Një pjesë e tubit që shpërtheu është dërguar në Tiranë për inspektim dhe testim më të hollësishëm. Përgjegjësia për incidentin do të mbahet nga ata që janë përgjegjës për të, por duhet pritur deri në përfundim të hetimit.

Në të njëjtin muaj, Exit.al paraqiti një kërkesë bazuar në të drejtën e informimit për të patur qasje në dokumentat e tenderit si dhe në raportet mujore të ekspertëve të dorëzuara në Delegacionin e BE-së në Tiranë lidhur me ecurinë e projektit.

Më shumë se 50 dokumente të redaktuar nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së (EEAS) tregojnë se si një investim i BE-së prej më shumë se 14 milionë eurosh është devijuar që prej ditës së parë — çfarë ka bërë çuar në në një sistem kanalizimi plot difekte përgjatë Rivierës Shqiptare.

Ky artikull përpiqet të tregojë arsyet se përse investimet e huaja kanë rezerva për të të ardhur në në Shqipëri: institucione jobashkëpunuese publike dhe private, konflikte të pronësisë, moskoordinimi me qeverinë dhe mes institucioneve brenda qeverisë – dhe mbi të gjithë falimentimi. Artikulli tregon po ashtu se si Delegacioni i BE-së në Tiranë nuk është i aftë të zbatojë detyrimet kontraktuale për ato vepra që i paguan me paratë e taksapaguesve të BE-së.

Procedura tenderuese

Le të kthehemi pas në vitin 2011. Italiani Ettore Sequi është kreu i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ndërsa qeveria Berisha–Meta është ende në pushtet.

Në kuadër të fondeve të Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA), BE investo=n në rinovimin e sistemeve të kanalizimit në vende të ndryshme në Shqipëri.

Sipas Raportit të Vlerësimit për Prokurimin Publik të Projektit të financuar nga BE-ja “Ndërtimi i Sistemeve të Kanalizimeve në Vlorë, Ksamil, Kavajë dhe Shëngjin, Shqipëri”, fituesi i tenderit me vlerë 14 milion Euro u përcaktua pas 17 takimeve të Komisionit të Vlerësimit në zyrat e Delegacionit të BE, në nëntor 2011. Njëmbëdhjetë kompani dhe konsorciume ndërkombëtare dhe kombëtare morën pjesë në tender.

Një kompani nga Kuvajti, Copri Construction Enterprise Ë.L.L. u përjashtua nga pjesëmarrja në tender sepse kompanitë e vende jashtë BE nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në tenderat që financohen nga paratë e taksapaguesve të BE-së.

Komisioni i Vlerësimit të ofertave kërkoi sqarime, dokumente të mëtejshme dhe të paspecifikuara për katër ofertues: 1) Primorje DD, Slloveni/Alba Konstruksion shpk, Shqipëri; 2) Friulana Bitumi srl, Itali / Atzëanger SpA, Itali; 3) SADE – Companie Générale de Travaux d ‘Hydrolique, Francë; dhe 4) Gener 2 shpk, Albania / Kiros SA, Greqi.

Në rastin e bashkimit të kompanive Friulana Bitumi srl, Itali dhe Atzwanger SpA, Itali, Komisioni Vlerësues kërkoi informacione shtesë lidhur me “kapacitetet ekonomike dhe financiare” të konsorciumit. Megjithëse, të gjitha përgjigjet janë të redaktuara, Komisioni vlerësues i ka quajtur ato të kënaqshme. Do t’i rikthehemi sërish më poshtë kapacitetit aktual ekonomik dhe financiar të kompanisë.

Komisioni Vlerësues vendosi se 8 prej ofertuesve janë teknikisht të papërshtatshëm, duke lënë në garë vetëm dy kompani në raundin e dytë. Oferta e bashkimit të kompanive Primorje D.D./Alba Konstruksion prej rreth 12,8 milionë eurosh u shpall fituese e tenderit. Gjithsesi, një shtesë në raport sqaron se ky bashkim kompanish u përjashtua më pas nga tenderi pasi është “përjashtuar nga PRAG 2.3.3.

PRAG është Udhëzuesi Praktik i Komisionit Evropian për Kontraktimin, i cili jep udhëzime për procedurat e tenderit. PRAG 2.3.3 i referohet një sërë kriteresh mbi bazën e të cilave mund të përjashtohet një propozim, siç është falimentimi, mos pagimi i taksave ose kontributeve të sigurimeve shoqërore ose sjellje e pahijshme profesionale.

Sërish, frazat përkatëse janë redaktuar nga raporti, por Primorje/Alba Konstruksion u përjashtua dhe konsorciumi italian Friulana/Atzëanger me ofertë prej 14,2 milionë eurosh u shpall fituese de facto — të gjithë kompanitë apo konsorciumet e tjera ishin eleminuar nga gara.

Falimentimi

Projekti i BE-së ndahet në tri lote: Sarandë e Ksamil, Kavajë dhe Shëngjin. Në vijim do të përqendrohemi në atë që ndodhi në Lotin 1 / Ksamil, ku pesë vjet më vonë një tub “i rinovuar” u këput dhe derdhi ujërat e zeza në plazh.

Ne do të ndjekim këtu renditjen e fakteve në Lot 1 / Ksamil siç përshkruhet në 48 raporte mujore nga mbikqyrësi i punimeve ndërtimore, konsorciumi Safège (Francë) / IRD Engineering (Itali).

Puna filloi në 22 tetor 2012 dhe parashikohej të mbarojë pas 24 muajve, më 21 tetor 2014. Në 27 dhjetor 2012, BE i bën kontraktorit një pagesë “para-financimi” prej 1,438 milion eurosh.

Në raportin e dytë të shkurtit 2013, mbikqyrësi i punimeve ngre një sërë problemesh që duken të ngjashme me ato që më vonë me shkaktuan tubacionet e thyera në Ksamil dhe Sarandë:

“Kanalet kryesore, ku lidhen me kanalizimet sekondare objekt i Kontratës së Punimeve, janë të bllokuara (nga mbetje apo nga përmbytjet e ujit – nën hetim). Duke qenë se stina aktuale është me shi, kjo gjë mund të sjellë probleme për Kontraktuesin. Kjo gjendje është kosntatuar nga Inxhinieri i Kantjerit dhe është objekt i një letre të dërguarnga Kontraktori. Shërbimet e Bashkisë informuan rreth situatës në takimin e datës 29 Janar 2013, por ata nuk mund të bëjnë shumë për ta zgjidhur atë për shkak të mungesës së pajisjeve.”

Në mars 2013, mbikëqyrësi dërgon një raport të përditësuar ecurisë. Projekti duket se është prapa. Vetëm 78 për qind e punës së planifikuar deri në atë datë ka përfunduar. Në fund të marsit, Ministria e Turizmit dhe Kulturës kërkon pezullimin për disa javë të punimeve në Ksamil “për shkak të sqarimit me Parkun Kombëtar të Butrintit”. Puna vazhdon më tej pas orarit, pasi volumi i punimeve ka rënë në 66 përqind të planifikimit mujor.

Në maj 2013, partneri kryesor Friulana Bitumi deklaron falimentimin.

Në qershor, mbikëqyrësi ndërpret në mënyrë të pashpjegueshme raportimin e ecurisë mujore dhe tani përmend vetëmecurinë e përgjithshme, duke e bërë më të vështirë të vërehet se puna është duke u ngadalësuar muaj pas muaj.

Në gusht, raporti i mbikëqyrësit deklaron për herë të parë dhe të vetme që kontraktori nuk ka numër t ëmjaftueshëm punonjësish në kantjer dhe nuk po punon me pajisjet e duhura:

“Kontraktori është informuar se ai nuk ka arsye objektive për të justifikaur vonesën dhe ai duhet të marrë masa për të zhdukur vonesat, duke rritur ritmin e ecurisë së punëve, duke rritur numrin e mjeteve të mekanizmave, të lëndëve të para dhe të punëtorëve. Kontraktori duhet të marrë masa për të sigurojë pajisje shtesë përfshi ato për prerjen e gurëve të fortë.

Aktualisht, janë 2 inxhinierë, 2 përgjegjës dhe 30 punëtorë në kantjer që përdorin 3 ekskavatorë dhe pajisje të tjera. Pavarsisht vonesave dhe treguesve se kontraktori ka “përtypur” më shumë se sa mund të përballojë, BE-ja i transferon atij kontraktuesit një shumë prej rreth 900 mijë eurosh më 9 gusht 2013, dhe pavarësisht falimentimit të tij.

Një muaj më vonë, më 9 shtator 2013, të gjitha punimet janë pezulluar. Pas nëntë muaj punime efektive, është përfunduar vetëm 15,4 për qind e rrjetit të përgjithshëm të kanalizimeve në Ksamil, madje mbikëqyrësi gjykon se përparimi i përgjithshëm mund të jetë në fakt vetëm 10 për qind. Projekti duhej të përfundonte, brenda pak më shumë se një viti.

Kështu, duket se të gjitha dyshimet që Komisioni i Vlerësimit pati për “kapacitetet financiare dhe ekonomike” të Friulana Bitumit, siç dëshmohet nga pyetjet shtesë që atë bënë gjatë vlerësimit të tenderit, ishin të justifikuara. Megjithatë, këto dyshime nuk e penguan kompaninë të fitonte tenderin dhe tani po largohet nga projekti për një kohë të pacaktuar (shih për një tjetër falimentim të projektit të BE-së Bypass Vlorë).

Një fillim i ri

Gati 7 muaj më vonë, më 31 mars 2014, puna rifilloi me një kontraktor të ri, kompaninë italiane Spira Srl bashkë me Artzëaner Spa. Dokumentacioni i siguruar nga BE nuk tregon se si është gjetur kontraktori i ri. Brenda dy javësh, pa ndonjë punë të konsiderueshme, BE-ja i transferon 1,246 milion euro kontraktorit të ri. Ecuria është edhe më e ngadalshme se më parë, pasi kontraktori i ri punon me më pak se gjysmën e fuqisë punëtore fillestare: 1 inxhinier, 1 përgjegjës dhe 11 punëtorë.

Ndërkohë, bashkia e Ksamilit, pa njoftuar kontraktorin, ka punuar në rrugë dhe ka instaluar një linjë të re të furnizimit me energji elektrike të tensionit të lartë, e ndërtuar pa leje ndërtimi.

Si rezultati tani nuk ka më vend ku të vihen tubacionet e kanalizimeve, dhe bashkia nuk është në gjendje të japë ndonjë skicë apo planimetri të situatës së ndryshuar.

Një shtesë prej 390 mijë eurosh i është dhënë kontraktorit më 24 korrik 2014, ndërsa mbikëqyrësi i kërkon përsëri kontraktorit të punësojë më shumë punëtorë, pasi “përparimi nuk është e mjaftueshëm”. Megjithatë, pagesa të tjera vijojnë rregullisht në muajt e ardhshëm.

Në shtator, kontraktori kërkon leje për të ulur thellësinë në të cilën vendosen kanalizimet, ndërsa mbikëqyrësi vë në dukje se “testimi i linjave të përfunduara më parë është në proces, por shumë i ngadalshëm dhe i vonuar në krhasim me planin e testimit të dorëzuar nga kontraktori”.

Gjithashtu, një rul është zhdukur, duke bërë të pamundur që toka të ngjeshet ashtu siç duhet. Puna përparon me ritëm të ngadalshëm, mesatarisht me rreth 3 për qind të volumit total në muaj.

Në tetor 2014, kur ambasadori Sequi duhej të inaguronte projektin, vetëm 34,2 për qind e tij kishte përfunduar. Në këtë kohë mandati i tij mbaroi dhe ai ja la postin dhe rrëmujën që e rrethonte tek pasardhësja e tij Romana Vlahutin.

Në janar të vitit 2015, punonjësit e projektit këputën aksidentalisht linjat e tensionit të lartë të shtruara pa leje e ndoshta edhe pa projekt teknik nga dega e Ksamilit e Sistemit të Transmetimit. “[Në] vend të bashkëpunimit me Kontraktorin në identifikimin e vendndodhjes së këtyre kabllove,” raporton mbikëqyrësi “[dega i Sistemit të Transmetimit] po vendos gjoba edhe pse ato janë prerë aksidentalisht.” Bashkia nuk po ndihmon në zgjidhjen e situatës. Ajo kërkon pezullimin e punimeve nga data 15 qershor deri më 15 shtator. Mbikëqyrësi konstaton në mënyrë të thatë: “Kjo mund të ndikojë në kohën e përfundimit të projektit”.

Më 27 maj 2015, kontraktori merr një letër që thotë se Stacioni i Pompimit 1 dhe tubat lidhës janë ndërtuar pa e ditur në tokë private. Punimet pezullohen pasi Stacioni i Pompimit do të duhet të zhvendoset. Mbikëqyrësi vë në dukje se “mund të lindin probleme të ngjashme” me tre stacionet e tjera të pompimit. Me sa duket askush nuk kontrolloi pronësinë e tokave të vendeve ku këto ishin planifikuar. Për më tepër, ndërtimet e paligjshme pengojnë punën ndërtimore diku tjetër. BE informon qeverinë shqiptare për problemet, por nuk duket se dikush po ndërmerr veprime.

Ndërkohë, mbikëqyrësi vazhdon të ankohet se kontraktori “ka angazhuar burime të pamjaftueshme” për të përfunduar punimet në kohë. Delegacioni i BE nuk ndërmerr asnjë veprim.

Së fundi, në tetor 2016, dy vjet më vonë se kur ishte planifikuar, të gjitha punimet janë përfunduar. Raporti i fundit i mbikëqyrësit është i dhjetorit 2016. Në atë moment tubat dhe stacionet e pompimit ishin ende duke u testuaro. 88,3% e shumës së parave të BE-së i është transferuar kontraktorit, pavarësisht vonesave të mëdha edhe pas zgjatjes së afatit të kontratës pas falimentimit.

Sipas Delegacionit të BE-së në Tiranë, projekti i përfunduar transferohet tek qeveria shqiptare në prill 2017.

Tre muaj më vonë, tubacioni i parë prishet. Natyrisht ka shumë arsye: zhvendosja e stacionit të pompës, thellësia më e ulët e tubave, ndryshimet për shkak të shtrimit të papritur të linjave të tensionit të lartë, toka e pangjeshur siç duhet për shkak të makinerisë të humbur të rulimit, mos testimi i të gjitha tubave, ose thjesht cilësia “shkel e shko” e punimeve.

Megjithatë, ajo që është fare e qartë është se si procedura e tenderit ashtu edhe menaxhimi i projektit nga ana e BE-së nuk mundën të parandalonin kontraktimin e një kompanie në prag të falimentimit dhe vonesat masive të punimeve. Është e kuptueshnme se janë zero shanset që dikush të mbajë përgjegjësi për ato që kanë ndodhur apo për nisjen e ndonjë hetimi për të zbardhur se sa ishte vërtetë në gjendje Friulana Bitumi ta fitonte atë tender.

Lajme te ngjashme