Si bëhet informimi dhe dëgjimi i publikut për planet apo projektet me ndikim në mjedis – Exit shpjegon

Si bëhet informimi dhe dëgjimi i publikut për planet apo projektet me ndikim në mjedis – Exit shpjegon

Informimi dhe pjesëmarrja e publikut në vendim-marrjen për çështje me ndikim në mjedis është detyrim ligjor, i cili buron nga Konventa Aarhus, palë e së cilës është Shqipëria dhe e cila ka preçedencë edhe mbi Kushtetutën e Shqipërisë; si dhe nga një trupë ligjesh, aktesh nënligjore dhe rregulloresh të hartuara e miratuara në zbatim të Konventës.

Informimi dhe dëgjesa e publikut duhet të bëhet duke ndjekur hapat dhe proçedurat që caktohen në këto ligje, përfshi vënien në dispozicion të publikut të dokumenteve të projektit; caktimin e datës dhe njoftimin e publikut për dëgjesën e hapur publike; regjistrimin e vërejtjeve, komenteve, propozimeve të publikut gjatë dëgjesës; reflektimin e vërejtjeve në projekt ose argumentimi i mos përfshirjes së tyre.

Çdo lloj takimi apo bisede me publikun e cila nuk bëhet sipas këtyre hapave e proçedurave nuk mund të konsiderohet dëgjesë publike, sipas përcaktimeve të Konventës Aarhus dhe legjislacionit vendas.

Projekti i parkut argëtues për fëmijë e të rritur në Parkun e Liqenit është i paligjshëm për aq kohë sa për të nuk është ndjekur proçedura formale e përcaktuar në ligj.

***

Dokumentet që duhet të vihen në dispozicion të publikut

a. përmbledhje të projektit teknik dhe të raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis;

b. projektleja mjedisore për veprimtarinë;

c. dosja e plotë e projektit, për pjestarë të publikut që duan të njihen në mënyrë të plotë me të.

Materialet e mësipërme duhet të hartohen në gjuhën shqipe dhe me terminologji të thjeshtë.

Çfarë duhet të përmbajë njoftimi?

Njoftimi i qeverisjes vendore përcakton:

a. vendin ku qëndron i depozituar dokumentacioni rreth projektit;

b. afatin kohor për dëgjesën publike, i cili duhet të jetë jo më pak se 1 muaj nga data e fundit e shpalljes së njoftimit;

c. vendin, datën dhe orën e organizimit të dëgjesës me publikun.

Si bëhet njoftimi për dëgjesën publike?

Njoftimi hartohet me shkrim dhe publikohet gjatë 20 ditëve, pa ndërprerje:

a. në radio e televizione vendore;

b. në faqen e internetit të institucionit;

c. në botime, të përditshme apo periodike, kur është e mundur;

d. në tabelën e njoftimeve të njësisë të qeverisjes vendore.

Detyrimet gjatë dëgjesës së publikut

Në diskutimin me publikun marrin pjesë: specialistët e njesisë së qeverisjes vendore, ekspertët e çertifikuar që kanë përgatitur raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis; specialistë të Ministrisë së Mjedisit dhe specialistë të ministrive që kanë lidhje me veprimtarinë për të cilën kërkohet leja.

Specialistët e Ministrisë së Mjedisit mbajnë proçesverbalin e takimit, ku shënohen të gjitha sugjerimet, vërejtjet dhe propozimet e publikut.

Gjatë takimit duhet qarkulluar lista e pjesëmarrësve, ku duhet të shënohet nga vetë pjesmarrësit, emri i tyre i plotë, institucioni apo bashkia nga vijnë, si dhe një numër kontakti apo adresë e-maili, me të cilat do mbahen kontaktet për çdo zhvillim të mëtejshëm të proçesit vendimmarrës.

Reflektimi i mendimeve të publikut

Pas dëgjesës, vërejtjet e publikut duhet të reflektohen në lejen mjedisore. Për propozimet që nuk reflektohen, duhet të jepen argumentet përkatëse.

 

Lajme te ngjashme