Në Shqipëri policia bashkëpunon me krimin — Intervista e Dritan Zaganit për median italiane

Në Shqipëri policia bashkëpunon me krimin — Intervista e Dritan Zaganit për median italiane

Dritan Zagani, ish-oficeri i policisë kufitare të Vlorës, i cili ka denoncuar aktivitetin kriminal të vëllezërve Habilaj dhe lidhjet e Saimir Tahirit me ta që në vitin 2015, ka dhënë një intervistë për gazetë italiane (e para që bëri publike përgjimet e Dosjes Habilaj) Meridionews.

Më poshtë, gjeni intervistën e plotë:

E mërkura për Shqipërinë do të jetë një nga ditët më të vështira të historisë së viteve të fundit. Kuvendi duhet, përmes një votimi të dyfishtë, të vendosë nëse do të heq imunitetin e ish- ministrit Tahiri dhe të vlerësojë nëse do t’i lërë rrugë të lirë arrestimit të tij.

Një dokument i dyfishtë vjen në sallën e Kuvendit një javë pasi politikani i Partisë Socialiste, nga më të afërmit e kryeministrit Edi Rama, përfundoi nën akuzën për marrëdhënie të mundshme me kushurinjtë e tij Moisi dhe Dritan Habilaj, të konsideruar nga gjyqtarët katanez ndër narkotrafikantët kryesorë të Ballkanit. Dhe është pikërisht Katania vendi nga ku nisi tërmeti politik në Shqipëri. Të hënën e shkuar Guardia di Finnazia arrestoi 11 persona në vazhdën e operacionit të policisë “Rosa dei Venti”. Ditën pasardhëse, të martën, gazeta MeridioNews publikoi ekskluzivisht përgjime dhe detaje të hetimit përfshirë edhe disa biseda, në të cilat Moisi Habilaj diskuton për para për t’ia dhënë dikujt, i ashtuquajtur “Saimir”, që hetuesit katanez thonë se është kushuriri politikan i Habilajve.

Tani, flet për gazetën tonë në një intervistë ekskluzive Dritan Zagani, polici i antidrogës shqiptare i detyrur të largohet në Zvicër, në një vend sekret, tashmë prej shumë kohësh, sepse në Shqipëri akuzohet për shpërdorim detyre, dhe në të kaluarën, i dyshuar për kalim informacioni drejt Italisë.

Ai, ndërmjet viteve 2014 dhe 2015, ishte i pari që akuzoi ish-ministrin Tahiri si të përfshirë në narkotrafik duke zbuluar edhe përdorimin, për të transportuar drogë, të makinës private të Tahirit nga kushurinjtë e tij, i njëjti mjet i përmendur tani nga Guardi di Financia e Katanias.

Tani në Shqipëri të gjithë janë kthyer dhe flasin për përfshirjen e mundshme të ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në narkotrafik. Ju si ndjeheni?

Hetuesit italianë më kanë bërë dhuratën më të bukur në botë, por unë sidoqoftë ndjehem keq, nuk jam i lumtur për atë që po ndodh në vendin tim. Tashmë kam ikur prej disa vitesh dhe prej katër vitesh jam i akuzuar pa u zhvilluar asnjë seancë gjyqësore. Unë jetoj me familjen time, bashkëshorten dhe tre vajzat tona. Po përpiqem të krijoj një jetë të dytë në Zvicër dhe, nëse kam vendosur të iki nga Shqipëria, e kam bërë kryesisht për familjen time.

Keni kaluar nga pozicioni i shefit të policisë së antidrogës të qytetit të Fierit, afër Tiranës, në të burgosur të vetë vendit. Si është e mundur?

Në vitin 2014 hetoja një bandë trafikantësh të lidhur me kushurinjtë Habilaj. Një grup shumë i fuqishëm që trafikonte kokainë dhe armë. Kisha edhe informacion, por më pas u futa në burg. Gjatë hetimeve pashë edhe AUDI-n e famshëm që më pas zbulova se ishte i Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, atëherë në detyrë. Vura re që përdorej për udhëtime të dyshimta, por denoncimet e mia nuk u dëgjuan kurrë.

Ju përfunduat në burg. Për sa kohë qendruat në burg? Çfarë hynë këtu puna që bënte policia italiane?

Më kanë mbajtur në burg për gjashtë muaj dhe tetë ditë pa ardhur asnjë prokuror apo dikush të më dëgjonte. Askush nuk më mori në pyetje, thjeshtë më harruan. Në atë kohë bashkëpunoja me hetues italianë, përmes kanaleve informale ashtu sikurse ndodh në të gjithë botën. Kjo gjë ngriti dhe akuzën e shitjes së infromacionit.

Gjatë këtyre punëve flisnit me policin Alessandro Giuliani që për një periudhë kohe ishte nën përgjim. Kështu përfundoni dhe ju në telashe, sikurse jeni shprehur vetë ju për programin Le Iene, për diskutimet e juaj mbi drogën. Në shpëtimin tuaj mund të kishte ardhur shefja e Interpolit në Tiranë Anna Poggi, por gjërat rrodhën ndryshe.

Ishin vetëm thashetheme mbi mua, pa asnjë provë. Unë mund të them me siguri që do të luftojë deri në fund dhe do t’i nxjerr këto persona përpara Gjykatës të së Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Shqipëria mbetet kanali i privilegjuar për furnizimin e Sicilisë me marijuanë. A kanë ndryshuar, ndër vite, mënyrat e përdorura nga trafikantët?

Deri në vitin 2014 kisha shumë informacione për udhëtime me kamionë, por edhe në rrugë detare me peshkarexha. Kisha edhe shumë lajme udhëtimesh për në Kalabri. Gjatë asaj periudhe u transferova dhe shërbimet sekrete më informonin që droga merrej edhe me avionë të vegjël turistikë. Rrezikonin shumë për të transportuar 200-300 kilogramë marijuanë gjatë një udhëtimi. Kjo mund të ndodhte vetëm nëse kishin mbrojtje nga nivele të larta.

Sa korrupsion ka në vendin tuaj? Habilaj në letrat e hetimit “Rosa dei Venti” shumë herë i referohet rolit të policisë në trafikun e drogës.

Gjithmonë kam denoncuar korrupsionin. Por problemi i vërtet është kur anëtarë të policisë kanë interesa me narkotrafikun. Edhe politikanët i kanë përdorur paratë e kriminalitetit , edhe si financime të fushatave zgjedhore. E gjithë bota e di që janë mbyllur sytë për t’i lënë rrugë të lirë kultivimit  dhe shitjes së marijuanës.

A do të ndryshojë ndonjëherë kjo gjendje?

Në Shqipëri për të ndryshuar duhet shumë kohë. Duhet një punë e fortë e Evropës ose rrezikon të përfundojë në strofull të kriminalitetit. Ndryshe ka vetëm një zgjidhje: revolucioni. Mafia është shumë e fortë dhe baza është tek droga.

Kuvendi, sipas jush, do të marrë një qendrim kaq të prerë kundër Tahirit?

Nuk do të votojë pro, sepse Tahiri është vetëm një unazë e një rrjeti më të gjatë që nuk mund të bjerë sepse me të do të rrëzohej edhe qeveria shqiptare.


Përktheu: Exit.al

Lajme te ngjashme