Histori e shkurtër e akuzave të lidhjeve të Saimir Tahirit me vëllezërit Habilaj

Moisi Habilaj, personi i arrestuar sot në Itali, është një nga tre vëllezërit Habilaj, të cilët u bënë të njohur për publikun për shkak të akuzave publike ndaj tyre për trafik droge në drejtim të Greqisë dhe Italisë.

Fillimisht, akuzat ndaj vëllezërve Habilaj u bënë nga Dritan Zagani, ish-punonjës i shërbimit anti-drogë në policinë e Fierit dhe më parë punonjës i policisë kufitarë në Vlorë. Zagani ishte informuar dhe si rrjedhojë, kishte kryer hetime ndaj vëllezërve Habilaj për përfshirjen e tyre në trafik droge. Për të kryer këto hetime duket se Zagani ndau dhe kërkoi informacion nga oficerë të misionit të Gurdia di Finanza në Shqipëri. Të gjitha faktet e mbledhura ai ja kaloi eprorëve të tij.

Në mënyrë të pashpjeguar, në vend që faktet e grumbulluara prej tij të referoheshin në prokurori nga policia e Fierit dhe e Vlorës, Dritan Zagani u akuzua nga policia për dekonspirimin e aksioneve të saj, duke pretenduar ndër të tjera se shkëmbimet e informacionit me oficerët e Guardia di Finanza ishin bërë në shkelje të ligjit.

Për këtë arsye ai u arrestua nga prokuroria dhe u la në arrest shtëpie nga gjykata në pritje të mbylljes së hetimeve dnaj tij.

Zagani theu arrestin shtëpiak dhe u arratis nga Shqipëria. Ai kërkoi strehim politik, i cili iu dha nga autoritetet zvicerane.

Pas largimit nga Shqipëria, Zagani deklaroi se akuzat dhe arrestimi ishin hakmarrje ndaj tij nga Ministri Saimir Tahiri, për shkak se ai kishte hetuar tre vëllezërit Habilaj. Sipas Zaganit, Habilajt ishin kushërinj të Sajmir Tahirit dhe kishin mbrojtjen e tij për trafikimin e pangacmuar të drogës. Zagani akuzoi se Tahiri kishte vënë në dispozicion të tyre makinën e tij vetjake, makinë tip Audi me targë AA003GB, me të cilën Habilajt kryenin trafikun e drogës drejt Greqisë, duke qenë se policët kufitarë nuk guxonin të kontrollonin makinën personale të ministrit të tyre.

Saimir Tahiri u përgjigj se ai nuk kishte asnjë lloj lidhje me vëllezërit Habilaj dhe makinën ua kishte shitur atyre mbasi ishte bërë ministër dhe nuk i njihte dhe kishte asnjë lidhje me me ta.

Pas kësaj deklarate, në media u publikuan të dhëna që tregonin se makina Audi AA003GB që përdornin vëllezërit Habilaj ishte në fakt e regjistruar në emër të Ministrit Tahiri.

Përballë këtyre dëshmive, Ministri Tahiri u detyrua të pranonte se makina ishte ligjërisht ende në pronësi të tij dhe e regjistruar zyrtarisht në emër të tij. Këtë gjë ai e shpejgoi duke thënë se: Tahiri nuk e kishte deklaruar ligjërisht shitjen—dhe për pasojë nuk kishte kaluar letrat në emër të Habiljave—sepse nuk donte që të ardhurat nga shitja t’i sekuestroheshin nga përmbarimi gjyqësor, pasi me vendim gjykate ai duhet t’u paguante dëmshpërblim për shpifje ndaj fëmijëve të ish-Kryeministrit Berisha, të cilin nuk donte ta paguante duke deklaruar se nuk kishte para.

Ky deklarim ishte pranim i shkeljes së ligjit dhe evazionit fiskal nga Ministri Tahiri, por kjo gjë nuk u hetua nga askush.

Pas disa ditësh, në media doli një e vërtetë tjetër: Minsitri Tahiri ksihte udhëtuar të paktën dy herë në Greqi me makinë Audi AA003GB muaj pasi ai kishte deklaruar që e kishte shitur makinën tek Habilajt.

Këtë fakt të ri Tahiri e shpjegoi me justifikimin se udhëtimet e tij në Greqi ishin private dhe duke mos dashur të përdorte makinën zyrtare për qëllime private, u kishte këkruar Habiljave t’ja linin makinë për këto udhëtime. Kjo deklaratë e re e tij hodhi poshtë deklaratën e mëparshme se ai nuk kishte lidhje me Habilajt, përtej faktit që u kishte shitur atyre një makinë.

Nën trysninë e këtyre fakteve publike dhe akuzave të vazhdueshme të opozitës, prokuroria e Fierit nisi hetimin në lidhje me kushërinjtë Habilaj dhe përdorimin e makinës së tyre për trafik droge. Por hetimi u pushua pas pak muajsh me arsyetimin se nuk u gjetën prova për akuzat kundër tyre.

Pas këtij vendimi, ministri Tahiri përshëndeti ndërprerjen e hetimeve ndaj kushërinjve të tij me një mesazh në faqen e tij në Facebook:

“Tani që prokuroria vërtetoi gënjeshtrat e policit në arrati, Shqup-it i humbi edhe llumi i rrenave. Ky është nga ato rastet kur gënjeshtra të përplaset në fytyrë, e shqupistave u është nxirë faqja tashmë. Politika që ndërtohet mbi të vërteta, ka vlerë gjithmonë. Gënjeshtra është grykse, nuk ngop kurrë. Kjo vlen dhe për shqupistat.”

Arrestimi i njërit prej vëllezrve Habilaj si pjesë e një grupi kriminal të trafikimit të drogës hedh dritë të re mbi akuzat e vjetra për aktivitetin e dyshaur kriminal të vëllezërve Habilaj dhe lidhjet e dyshuara të Ministrit Tahiri me ta dhe aktivitetin e tyre.

Nga aksioni i policisë italiane sot është bërë i ditur edhe një fakt interesant, që në pamje të parë duket se mund të konfirmojë një akuzë të hershme ndaj grupit të Habiljave. Policia italiane pohoi se grupi i arrestuar në Itali, ku bën pjesë Moisi Habilaj, ka dërguar në maj të vitit 2015 një sasi prej 800 kg marijuanë nga Shqipëria, sasi e cila u sekuestrua nga policia italiane në atë kohë.

Në të njejtën periudhë, në maj 2015, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj akuzoi vëllezërit Habilaj se kishin vjedhur nga Komisariati i Vlorës një furgon me 800 kilogramë kanabis sativa të sekuestruar, dhe Ministrin Tahiri që kishte krijuar lehtësira për mundësimin e kësaj vjedhjeje.

Ministri Tahiri e hodhi poshtë akuzën e opozitës dhe policia, si në të gjitha rastet e tjera kur janë akuzuar vëllezërit Habilaj, nuk ndërmori asnjë veprim.

Arrestimi i Moisi Habilajt në Itali ndoshta do të shërbejë për fillimin e zbardhjes jo vetëm të aktivitetit të dyshuar kriminal të vëllezërve Habilaj, por edhe të pozicionit të ish-Ministrit Tahiri në lidhje me ta. Dyshimet ndaj tij nuk u zhdukën asnjëherë dhe ndoshta ato do të sqarohen përfundimisht.