Komisioni Evropian: Vetingu po ecën brenda afateve të parashikuara

Duke parë heshtjen e plotë të Ambasadorës së BE-së në Tiranë Romana Vlahutin në lidhje me çështjën e ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, dhe ngatërrimet e shumta në interpretimin e reformës në drejtësi, – si nga pikëpamja ligjore ashtu edhe nga ajo kushtetuese, – gjatë mbrojtjes së dobët të ish-krahut të djathtë të Kryeministrit Rama, Exit.al kontaktoi me Zëdhënësen e BE-së Maja Kocijancic për një përgjigje zyrtare të Komisionit Evropian.

E pyetur nëse Komisioni Evropian është dakord që sistemi gjyqësor shqiptar dhe Kuvendi duhet të marrin të gjitha hapat e nevojshëm ligjor për të garantuar nxjerrjen në dritë të çfarëdolloj krimi që mund të ketë kryer ish-ministri, Komisioni Evropian u përgjigj se:

Në jemi në dijeni të çështjes dhe ne presim nga autoritete shqiptare të kryejnë çdo lloj hetimi në përputhje me standardet evropiane.

Kultivimi dhe trafikimi i drogës në Shqipëri është një sfidë serioze. Autoritetet shqiptare po ndjekin veprime kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, në bashkëpunim me vendet anëtare të BE-së. Ne jemi në dijeni të një sërë operacionesh të policisë të lidhura me trafikimin dhe kultivimin e drogës në ose përmes Shqipërisë.

Sikurse e kemi theksuar disa herë, autoritetet e Shqipërisë kanë ende shumë për të bërë për të arritur rezultatet dhe duhet të përpiqen më shumë për të përmirësuar zhdukjen e bimëve të kanabisit dhe të shkatërrojnë rrjetet kriminale, gjithashtu në kuadrin e operacioneve ndërkombëtare të policisë.

Bashkimi Evropian po monitoron nga afër përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë edhe trafikimin e drogës, duke qenë se ky është një nga pesë prioritete kyçe për hapjen e bisedime me Shqipërinë.

Exit.al kërkoi gjithashtu se si do t’i cilësonte Komisioni Evropian deklaratat e Kryeministrit Rama se ai pret “drejtësinë e re” të ardhur nga post-vetingu në sistemin e drejtësisë për të deklaruar të pafajshëm deputetin në fjalë?

Qendrimi jonë mbi vetingun ka qenë gjithmonë i qartë: një zbatim i fortë dhe i besueshëm i procesit të ri-vlerësimit është një hap vendimtar për progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Në fund Exit.al pyeti se kur do të nisë realisht vetingu, duke marrë në konsideratë deklaratat e Ambasadores së BE-së Romana Vlahutin se ai do të nisë në shtator:

Duke qënë se Komisioni Evropian drejton Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, ne jemi të vetëdijshëm se fillimi i ndërlikuar dhe hapat përgatitorë kanë përparuar në të njëjtën linjë me afatet kohore të pritshme që institucionet e vetingut të fillojnë punën.

Komisioni Evropian gjithashtu konfirmoi se “hapat përgatitorë” të vetingut, kanë “përparuar në linjë me afat e pritshme”. Pra, ose Ambasadorja Vlahutin ka folur në mënyrë të gabuar optimiste (jo për herë të parë), ose Komisioni Evropian ka një kuptim shumë fleksibël për zbatimin e afateve kohore (gjithashtu, jo për herë të parë).