Kryeministri Rama mbron presidentin autokrat Erdogan

Kryeministri Rama mbron presidentin autokrat Erdogan

Në një intervistë të pak ditëve më parë për gazetën italiane La Repubblica, Kryeministri Edi Rama mbrojti politikat e presidentit turk Erdogan.

I pyetur se përse Ballkani vazhdon të jetë në objektivin e fuqive autokratike si Rusia e Turqia, Kryeministri Rama u përgjigj:

“Ka një dallim të rëndësishëm, në perceptimin tonë, mes Turqisë dhe Rusisë. Ne shqiptarët e shohim Turqinë si një shtet të rajonit, që po përpiqet të luajë rolin e tij, pa u munduar t’u imponojë asgjë vendeve të Ballkanit. Është një vend i lidhur me perspektivën euroatlantike.”

Admirimi i Kryeministrit Rama për Presidentin Erdogan nuk është më diçka e fshehtë. Presidenti turk është i vetmi lider me të cilin Rama është takuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë mandatit të mëparshëm, si privatisht ashtu dhe publikisht.

Përkundër raporteve të OSBE-së për kërcënime masive gjatë referendumit kushtetues të zhvilluar në Turqi në prill, kryeministri Rama ishte një ndër shumë pak udhëheqës europianë që e uroi presidentin Erdogan. Ai vendosi të injorojë situatën alarmante të shkeljes së të drejtave të njeriut në Turqi dhe mendoi se Presidenti Erdogan do t’i japë Shqipërisë një linjë kombëtare ajrore. E ndërsa BE është hapur pesimiste për të ardhmen e Turqisë në BE, kryeministri Rama thotë se ajo është “e lidhur me perspektivën euroatlantike” – një kërkesë deluzioniste po të kemi parasysh zhvillimet e fundit politike në Turqi.

Ajo që është e qartë nga deklarata e Kryeministrit Rama, është se ai është i gatshëm t’i anashkalojë krimet e një regjimi autokratik dhe në këtë mënyrë të ndahet ndjeshëm nga qëndrimi i politikës së jashtme të BE ndaj Turqisë, në këmbim të disa investimeve të mundshme të huaja në ekonominë shqiptare, të cilën investitorët e huaj përpiqen me çdo kusht ta shmangin.

Lajme te ngjashme