Lufta e dosjeve “familjare” në PS

Nga Desada Metaj
Lufta e dosjeve “familjare” në PS

Publikimi i dosjes së plotë të përgjimit të vëllezërve Habilaj ka shtuar dhe njëherë dyshimet se lufta e klaneve brenda PS-së është më e fortë se asnjëherë dhe se lidhjet me botën e krimit, në mos qofshin të vërteta të paktën do të shërbejnë si ndarje pa kthim mes grupeve rivale. Gjatë ditës së djeshme në disa media qarkulluan lajme sipas të cilave publikimi i dosjes së përgjimit ku përmendej emri i ish ministrit Tahiri, është publikuar me “bekimin” e ministrit aktual Fatmir Xhafa.

Ky i fundit, në përpjekje për të rrëzuar mitin e paraardhësit dhe ndoshta për të çuar në vend porosinë e shefave, përmendej në disa media si personi që “furnizoi” me materiale median dhe PD-në. Nuk ka asnjë burim që ta konfirmojë me siguri këtë lajm, por fakti që askush në PS, përveç Elisa Spiropalit nuk i doli në mbrojtje ish- ministrit më të suksesshëm të qeverisë Rama, të bën të mendosh se “braktisja”e Saimir Tahirit nuk është e rastësishme dhe e pakoordinuar.

Por ministri aktual i rendit ndodhet edhe përpara rrezikut të publikimit të lidhjeve të tij familjare me krimin e organizuar. Nëse Saimir Tahiri përflitet për lidhje me kushërinj të largët që janë pjesë e botës së krimit, vëllai i Fatmir Xhafës është duke u gjykuar si anëtar i nje grupi të strukturuar kriminal në Itali. Dosja e vëllait të ministrit Xhafa është në duart e disa ish- drejtuesve të ministrisë së brendshme dhe burime pohojnë, se në të janë të paraqitura me detaje përfshirja, aktiviteti kriminal dhe roli i Agron Xhafës në hetimet e bëra nga antimafia italiane.

Edhe pse ministri i brendshëm ka deklaruar se nuk është përgjegjës për veprimet e vëllait të tij, kryqëzimi që po i bëhet paraardhësit për lidhjet me kushërinjtë nuk e lë atë kaq jashtë vorbullës.

Fatmir Xhafa si një nga hartuesit e reformës në drejtësi ka shkruar të zezë mbi të bardhë që nuk i shpëtojnë drejtësisë prokurorë apo gjykatës, që kanë kushërinj të katërt me precedentë penalë. Dhe mbase ka patur të drejtë duke patur parasysh dhe plagën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Por morali me dy standarde duket se nuk do e ndihmojë ministrin e brendshëm, nëse në ditët në vazhdim “armiqtë” e tij brenda partisë do t’i servirin medias dosjen e plotë të drejtësisë italiane të Agron Xhafës. Çka dhe njëherë dëshmon se pakujdesia me të cilën Edi Rama zgjedh bashkëpunëtorët dhe lehtësia me të cilën i flak nuk është mënyra më e mirë për të qeverisur një vend, kryefjala e të cilit për muaj me radhë vazhdon të mbetet kriminalizimi i politikës dhe i qeverisjes.

Lajme te ngjashme