Ministri Xhafaj inkurajon policinë të shkelë ligjin

Ministri Xhafaj inkurajon policinë të shkelë ligjin Ministri Fatmir Xhafaj

Muajt e fundit, Exit.al ka shkruar për mënyrat si shmanget apo minohet zbatimi i ligjit në vend. Një sërë qasjesh dhe praktikash qeveritare të nisura pas zgjedhjeve të 25 qershorit po dëmtojnë rëndë strukturat themelore të funksionimit të shtetit demokratik.

Gjithçka nisi me shpalljen e platformës së “Bashkëqeverisjes me qytetarët”, krijimin e Zyrës së Bashkëqeverisjes, shpalljen e shtetit një partiak dhe së fundmi, me rikthimin e fjalimeve emocionale (dhe politikisht të dobishme) si zbavitje cinike gjatë seancave parlamentare.

Kjo situatë e krijuar nuk ka kaluar pa u vënë re dhe nga media e huaj, ku gazetarët tashmë po spekullojnë  për Ramën si “Enver Hoxha i ri”.

Është e natyrshme që stili i udhëheqjes së Ramës—i cili në thelb ka përballjen e nomenklaturës së lartë partiake dhe oligarkisë së bashku me “njerëzit e thjeshtë” me klasën e burokratëve borgjezë, kozmopolitanëve dhe pronarëve të bizneseve të vogla, të cilët kanë “humbur kontaktin” me “Shqipërinë “—të përcillet në nivelet e poshtme të hierarkisë qeveritare.

Si rezultat, procedurat e rregulluara ligjërisht zëvendësohen me qasjen “personale”, e cila përqendron pushtetin në dorë të disa zyrtarëve, në vend që të  ruajë balancën e pushtetit dhe të procedurave burokratike që kanë për qëllim, pikërisht, shmangien e këtij lloj monopoli të pushtetit.

Pjesë nga letra e Ministrit Xhafaj drejtuar punonjësve të policisë

Një shembull i qartë i këtij zhvillimi të rrezikshëm për vendin është letra e shkruar ditët e fundit nga Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj drejtuar forcave të policisë, me anë të së cilës ai i njofton ata për “veting” brenda policisë dhe i fton t’i shkruajnë direkt ministrit nëse kanë ndonjë “shqetësim”.

“[…] sfida jonë e parë është sigurimi dhe garantimi i profesionalizmit brenda vetë forcave të policisë.

Për këtë arsye, akti im i parë si Ministër i Brendshëm, shënoi nisjen e procesit për organizimin e vetingut për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit. Pjesë e këtij shërbimi do të jenë vetëm njerëz profesionalisht të aftë dhe me integritet të lartë moral.

Inkurajoj dhe mirëpres nga ju çdo mendim, sygjerim konkret apo shqetësim ndaj kujtdo qoftë ai, në funksion të përmirësimit të punës, rolit dhe reputacionit të Policisë së Shtetit. Ndaj, ju lutem mos ngurroni të më shkruani në adresën [email protected], e cila do të jetë në dispozicionin tuaj dhe vëmendjen time.”

Është ironike se si një ministër që nuk ka kërkuar ndjesë për rolin e tij brenda sistemit të drejtësisë të diktaturës komuniste apo që nuk është distancuar nga vëllai i tij, i cili kërkohet ndërkombëtarisht për trafik droge, flet për “integritet të lartë moral”.

Por fakti se ai njofton një procedurë verifikimi dhe hap adresën e tij personale të emailit për ankesat ose shqetësimet për “këdo që ka ndonjë shqetësim” është shpërfillje e rëndë e kuadrit ligjor të procedurave të ankesave dhe hetimit brenda forcave të policisë.

Në strukturën e Ministrisë së Punëve të Brendshme ekziston Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, roli i të cilës është pikërisht të procedojë, mbi bazën e ligjeve dhe normave të përcaktuara, ankesat kundër punonjësve të Policisë së Shtetit.

Madje punonjësit e Drejtorisë së Inspektimit dhe Ankesave brenda këtij shërbimi janë përgatitur dhe certifikuar nga Programi Ndërkombëtar i Trajnimit dhe Asistencës për Hetimin Penal (ICITAP) i Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Ligji nr 70/2014 Për shërbimin për çështjet e brendshme dhe ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme, miratuar gjatë Qeverisë Rama 1, e parashikon në mënyrë të qartë se cilat institucione kanë për detyrë të ruajnë “integritetin moral” të Policisë së Shtetit. Neni 5 i këtij ligji shprehet:

Objekt i veprimtarisë së Shërbimit janë: a) parandalimi, zbulimi dhe hetimi i veprave penale, si dhe i shkeljeve të ligjit, të kryera nga punonjësit e strukturave gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të saj; b) inspektimi dhe trajtimi i ankesave ndaj punonjësve të strukturave për mospërmbushje të detyrës, sipas standardeve të miratuara me akte normative, për vepra penale dhe shkelje të tjera të ligjit; c) ruajtja e integritetit të punonjësve të strukturave”

Asnjë fjalë e vetme për ndonjë rol e aq më pak adresë personale të Ministrit të Brendshëm. Në vend të saj, adresa e duhur e emailit për ankesat për Policinë e Shtetit është: [email protected]

Por në vend që Ministri Xhafaj të jetë i vëmendshëm ndaj institucionit të themeluar ligjërisht për të trajtuar ankesat brenda dhe kundër policisë—institucion që është trajnuar dhe nga një institucion qeveritar i SHBA-ve—ai inkurajon forcat policore që të injorojnë ligjin dhe t’i shkruajnë atij “personalisht”.

Kjo nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë. Ish-Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, për shembull, vuri postera në zonën e kontrollit të pasaportave në Aeroportin e Rinasit me numrin e telefonit të tij , duke u kërkuar qytetarëve t’i telefonojnë direkt atij për çdo ankesë.

Sidoqoftë, ky lloj sjelljeje, e cila shpërfill dhe minon strukturat ligjore dhe vite të tëra të ndërtimit të kapaciteteve (që në të shumtën e rasteve financohen nga aleatët e huaj) asgjësohen përmes një letre të thjeshtë nga shefi, është ilustrim e stilit udhëheqës të nxitur në kabinetin e ri të Rama: pushtet në duart e disave në vend të pushtetit të shpërndarë, dhe besnikëri e verbër ndaj udhëheqësit përpara respektimit dhe sundimit të ligjit.

Lajme te ngjashme