Prokuroria lëshon urdhër arresti për Saimir Tahirin

Prokuria e Krimeve të Rënda sapo i ka paraqitur Kuvendit kërkesën për arrestimin e Saimir Tahirit.

Prokuroria bën të ditur se  ish-ministri i Brendshëm Tahiri akuzohet për veprat penale të “trafikut të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim me grup të strukturuar kriminal dhe “korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”.

Bazuar në këto akuza, Prokuroria i kërkon Komisionit të Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë dhënien e autorizimit për “arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal e të banesës” për deputetin Saimir Tahiri.

Prokuroria bën me dije se po zhvillon hetime, në bashkëpunim me autoritetet italiane, për këtë çështje.

Sipas ligjit shqiptar, deputetët mund të hetohen nga prokuroria, por arrestimi i tyre nuk mund të bëhet pa miratimin e Kuvendit.

Kuvendi i Shqipërisë është sot pushim dhe nuk dihet ende se kur do të mbahet seanca për shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë.