Punimet në Butrint nuk pezullohen, por ndalen përkohësisht

Punimet në Butrint nuk pezullohen, por ndalen përkohësisht Punimet brenda Parkut të Butrintit - Burimi: OraNews

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka pranuar se ndërtimi në Parkun e Butrintit është ndalur përkohësisht, por nuk është pezulluar.

Në një intervistë për  Neës24, Ministrja Kumbaro deklaroi:

“Punimet nuk janë pezulluar. Unë kam kërkuar të ndalohen punimet me një shkresë me bindjen se vlen të shterohen të gjithë pyetjet nga të gjithë aktorët.”

Debatit të shkaktuar prej ditësh se në Parkun e Butrint, pasuri e mbrojtur nga UNESCO, po ndërtohet e po ndërhyhet, Zonja Kumbaro iu përgjigj:

“Nuk ndërtohet asgjë. Bëhet fjalë për një objekt ekzistues. Godina ekzistuese së bashku me platformën shkojnë në rreth 100 metra katrorë dhe nuk bëhet fjalë për ndërtim, nuk bëhet fjalë për gërmim. Behët fjalë për rehabilitim të atij objekti të shëmtuar.”

Pyetur për destinacionin final të “rehabilitimit” të ndërtesës, Zonja Kumbaro sqaroi se ai do të jetë një ambient nga ku mund t’i ofrohen disa shërbime si pijë apo ushqime të lehta turistëve.

Ministrja e Kulturës deklaroi se “ligji dhe procedurat janë zbatuar një më një”, por nuk bëri publik asnjë dokument qoftë për ndërtimin, ashtu dhe për procedurat për përzgjedhjen e kompanisë që do t’i ofrojë këto shërbime turistëve.

Parku Kombëtar i Butrintit është shpallur monument kulture në mbrojtje nga shteti shqiptar në vitin 1948. Më pas është regjistruar si pasuri botërore e UNESCO-s në vitin 1992 dhe është përfshirë në listën e Monumenteve në Rrezik në vitin 1997.

Lajme te ngjashme