Raportet e Komisionit të mandateve, PD e LSI pro arrestimin, PS kundër Ish-ministri Tahiri gjatë seancën dëgjimore në Komisionin Parlamentar

Anëtarët e Komisionit parlametnar të Mandateve kanë mbajtur qëndrime të ndryshme lidhur me kërkesën e prokurorisë për arrestimin, kufizimin e lirisë dhe kontrollit të pasurive të ish-ministrit Tahiri. Deputetët e PD janë pro arrestimit dhe hetimit të plotë të ish-ministrit Tahiri, ndërsa deputetët e PS kërkojnë vetëm kontroll pasurie e kufizim lëvizjeje por janë kundër arrestimit.

Kuvendi ka publikuar sot dy raportet me vendimet e dy grupeve, një i përfaqësuesve të maxhorancës dhe një i përfaqësuesve të opozitës. Këto dy vendime do të votohen nesër në parlament.

Raporti i deputetëve të Partisë Socialiste

Deputetët socialistë Vasilika Hysi, Klotilda Bushka, Ulsi Manja dhe Bledi Çuçi i rekomadojnë parlamentit të votojnë kundër kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e deputetit Tahiri, por t’i japin autorizim Prokurorisë të kontrollojë pasurinë e deputetit dhe të kufizojnë lirinë e tij për të dalë jashtë shtetit.

Sipas deputetëve socialistë, prokuroria nuk ka paraqitur prova që lidhin në mënyrë direkte ish-ministrin Tahiri me dosjen Habilaj. Po ashtu, deputetët pretendojnë se kërkesa prokurorisë ka prapavijë politike.

Raporti i deputetëve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim

Deputetët Dhurata Çupi, Eduard Halimi, Gent Strazimiri, Enkelejd Alibeaj dhe Nasip Naço i rekomandojnë parlamentit të votojë pro kërkesës së prokurorisë për të arrestuar, kufizuar lirinë dhe kontrolluar pasurinë e ish-ministrit Tahiri.

Në raportin e tyre shkruhet se Prokuroria ka paraqitur fakte të besueshme për përfshirjen e ish-ministrit Tahiri në çështjen Habilaj. Deputetët shkruajnë se ka mjaftueshëm prova në dosje që tregojnë se ish-ministri është paguar për t’i krijuar kushtet e nevojshme dhe paprekshëmrinë bandës së HAbilajve për mbjelljen, rritjen dhe trafikimin e kanabisit.

Deputetët shkruajnë se ish-ministri Tahiri ka përdorur kontrollin e tij mbi policinë e shtetit për të ndihmuar vëllezërit Habilaj në veprimtaritë kriminale.

Po ashtu, deputetët argumentojnë se moskufizimi i lëvizjeve dhe imunitetit të Zotit Tahiri mund të sjellë dëmtimin e provave dhe fshehjen e fakteve.