Rreth politizimit të shefes së ONM-së Ruiz Calavera

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Rreth politizimit të shefes së ONM-së Ruiz Calavera

Gjatë takimit të saj të parë informal me gazetarët shqiptarë, në shkurt 2017, Genoveva Ruiz Calavera, shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili jep ekspertizë të jashtme për procesin e vetingut, deklaroi se ajo do “t’i rezistonte politizimit”—deklaratë të cilën ne e raportuam me entuziazëm.

Me këtë, Cavalera donte të thoshte se ajo (dhe anëtarët e tjerë të ONM-së) do të qendronte larg politikës së brendëshme shqiptare, dhe nuk do të lejonte që të përfshihej (dhe të kompromentohej) politikisht ashtu siç janë përfshirë pothuajse të gjithë emisarët e huaj. Kjo patjetër që nënkuptonte se ajo do të qëndronte larg çdo shoqërimi me këdo politikan shqiptar.

Ky neutralitet politik u vu në dyshim kur Ruiz Calavera lajmëroi krijimin e Bordit të menaxhimit të ONM-së. Disa politikanë, përfshirë edhe ish-ministrin e Drejtësisë Petrit Vasili, deklaruan se Bordi i Menaxhimit ishte antikushtetues, dhe përfshirja në të e ambasadorit amerikan Donald Lu dhe ambasadores së BE-së Romana Vlahutin do ta politizonte në mënyrë të panevojshme punën e ONM-së. Pavarësisht kundërshtive, Ruiz Calavera e çoi deri në fund këtë nismë, duke siguruar mbështetje nga zyrtarë të BE-së.

Dhe pse kryeson një trupë ekspertësh që në muajt e ardhshëm do të “vëzhgojnë” zbatimin e vetingut të pushteti gjyqësor, Ruiz Cavalera në të njejtën kohë ka ruajtur edhe pozicionin e Drejtorit për Ballkanin perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Politikave të Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit (DF-NEAR) të Komisionit Europian.

Në këtë rol, ajo është e lidhur ngushtësisht me qeverinë shqiptare dhe me procesin e futjes në BE-në. Për shembull, ajo rishtazi bashkë-drejtoi së bashku me zëvendësministren e Evropës dhe Punëve të Jashtme Eralda Cani takimin e Komitetit të 8-të të Stabilizim Asocciimit ndërmjet Shqipërisë dhe zyrtarëve të BE-së të mbajtur në Bruksel.

Sipas një deklarate në faqen zyrtare të DG-NEAR,

Komisioni Evropian mirëpret ecurinë pozitive të deritanishme në të gjithë fushat dhe nënvizon nevojën për të parë rezultate të prekshme, veçanërisht në reformën në drejtësi dhe në vetingun e gjykatësve dhe prokurorëve, dhe të vazhdojë përparimin në të pesë prioritet kyçe, përfshi luftën kundër korrrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshi kultivimin e trafikimin e kanabisit, reformën në administratën publike dhe të drejtat themelore.

Përtej pesë prioriteteve kyçe, Komisioni Evropian theksoi se ka edhe çështje të tjera të rëndësishme për t’u përballur. Në veçanti, Komisioni njohu përkushtimin e autoriteteve shqiptare për të përballur dukurinë e aplikimeve të pabazuara për azil drejt vendeve anëtare të BE-së dhe i nxiti ato të thellojnë përpjekjet e vazhdueshme në trajtimin e kësaj çështjeje.

Me fjalë të tjera, Drejtoresha e Ballkanit Perëndimor në DG-NEAR, Ruiz Calavera është domosdoshmërisht në kontakt të shpesht me qeverinë shqiptare për përparimin e zbatimit të prioriteteve të BE-së.

Ashtu sikur ishte e qartë nga Progres Raporti i vitit 2016, Komisioni Evropian është, në përgjithësi, shumë më pozitiv për ecurinë e Shqipërisë se sa është Parlamenti Evropian apo Këshilli i Ministrave të Jashtëm i BE-së, pjesërisht për arsyen e thjeshtë se përparimi reflekton edhe punën e tyre dhe pa zgjerim të BE-së shumë burokratë mund të humbisnin vendin e punës, në veçanti ato që punojnë në DG-NEAR.

Qëndrimet e verbëta të Komisionit Evropian për sjelljen dhe politikat e Kryeministrit Rama gjatë viteve të fundit kanë qënë shumë të dukshme, në veçanti lidhur me pesë prioritetet kyçe, të cilat u nënvlerësuan dhe u shpërfillën nga Ambasadorja Romana Vlahutin deri sa realiteti nuk mund të mohohej dot më.

Në ndryshim nga ekspertët e ONM-së, Shefja e ONM-së Ruiz Calavera ka interes vetjak që vetingu të konsiderohet sukses dhe përmbushje e një nga pesë kushteve për hapjen e bisedimeve. Është interes që buron nga funksioni i saj si Drejtoreshë në DG-NEAR.

Është ky interes, dhe interesi i Komisionit Evropian në përgjithësi, që përshkon deklaratën e DG-NEAR të cituar më sipër, e cila nuk përmend në asnjë formë kërcënimet serioze të qeverisë shqiptare ndaj shtetit të së drejtës. Nga ana tjetër, kjo do të thotë se Ruiz Calavera, për shkak të pozicionit të saj të dyfishtë, është de facto e politizuar dhe, për pasojë, roli i ONM-së është i politizuar.

Prandaj, nëse Ruiz Calavera dëshiron me të vërtet të jetë drejtuese e besueshme dhe e pavarur e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ajo duhet të heqë dorë nga procesi i diskutimeve e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe të përqendrohet në punën e vërtet që ka përpara: të sigurojë se reforma në drejtësi nuk do ta kthejë sistemin gjyqësor në një zgjatim të pushtetit ekzekutiv.

Lajme te ngjashme