Sistem drejtësie brenda familjes?

Nga Artur Berati
Sistem drejtësie brenda familjes?

Të gjitha debatet që kanë shoqëruar reformën në drejtësi janë arsyetuar me rrezikun se në zbatimin e reformës qeveria do të përfitojë nga pushteti i saj për të vënë njerëzit e vet në pozicione të rëndësishme në sistemin e ri gjyqësor, duke tjetërsuar që në fillim konceptin e pavarësisë politike të gjykatave dhe drejtësisë në përgjithësi.

Tani që reforma ka hyrë në fazën e zbatimit, Kuvendi miratoi me votë unanime përbërjen e komisioneve të vetingut, duke nxjerrë në sipërfaqe skenarë të papritur që e rrezikojnë reformën duke e kthyer atë në mjet për “kapje të shtetit”, vënien e institucioneve shtetërore nën kontrollin e një grupi njerëzish që i përdorin ato për interesa private.

Riorganizimi i organeve të drejtësisë, miratuar më ligjin 155/2016 (një nga ato ligjet e miratuara në shkelje të marrëveshjeve politike të ndërmjetësuara nga të huajt) krijoi qendra të reja pushteti, të cilat mund të jenë vendimtare për realizimin e këtyre qëllimeve të papranueshme politike.

Për shembull, pushteti i dy institucioneve të vetëadministruara të drejtësisë, Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLGJ dhe KLP) do të ushtrohet gati tërësisht nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, që faktikisht kthehet në një institucion ekzekutiv. Me kërkesë të institucioneve përgjegjëse (KLGJ, KLP, Prokurori i Përgjithshëm, drejtuesit e gjykatave dhe prokurorive vendore, Ministria e Drejtësisë), por edhe me kërkesë të qytetarëve të thjeshtë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë heton dhe kërkon fillimin e procedurave disiplinore për të gjithë funksionarët e sistemit të drejtësisë, (përfshi anëtarët e këshilleve të lartë dhe Prokurorin e Përgjithshme), që pastaj mund t’ju kërkohet të gjykojnë rastet e propozuara prej Inspektorit.

Një pushtet i jashtëzakonshëm, për të hetuar, për të gjetur a mos gjetur, që e kthen Inspektorin e Lartë në “padronin” e vërtet të drejtësisë, në gjendje për të hequr çdo gjykatës, edhe për shkak të faktit se është në gjendje të frikësojë anëtarët e organeve kolegjiale që duhet të gjykojnë këto raste.

Për të sigururar pavarësinë, ligji parashikon që Inspektori i Lartë të emërohet nga Kuvendi në bazë të një liste me kandidatë të renditur nga Këshilli i Emërimeve pas një procesi publik dhe të qendrojë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë rizgjedhje; të jetë i mirëpaguar dhe zyra e tij të ketë buxhet dhe organikë të përcaktuar nga Kuvendi, në veçanti është “interesante” që mund të pranojë fonde ose dhurime nga subjekte të tjera “me kushtin që të mos ketë konflikt interesi ndërmjet donatorit dhe aktivitetit të inspektorit”. Po kush e ka pushtetin për të përcaktuar nëse përbën konflikt interesi ose jo, sepse ligji nuk e parashikon një gjë të tillë!

Sigurisht për të garantuar aftësinë dhe pavarësinë, Inspektori duhet të plotësojë një sërë kërkesash ndër të cilat të ketë kryer studime të nivelit master në juridik, të ketë 15 vjet përvojë pune si jurist, të mos ketë qenë i dënuar, të mos jetë pushuar nga puna për arsye disiplinore, të mos ketë ushtruar funksione politike (në institucione publike apo parti politike) gjatë dhjetë viteve të fundit, të mos ketë qenë anëtar i Sigurimit apo bashkëpunëtor i shërbimeve të huaja sekrete.

Pozicioni i tij është i papajtueshëm, me çdo lloj tjetër funksioni publik, me çdo lloj biznesi privat, me çdo lloj aktiviteti profesional me pagesë (me përjashtim të mësimdhëniës), me anëtarësinë në parti politike, me pjesmarrjen në aktivitete publike të organizuara nga parti politike dhe me anëtarësinë në çdo lloj organizate jofitimprurëse apo fitimprurëse qoftë.

Pra, bëhet fjalë për një “të virgjër të sistemit të drejtësisë dhe të së drejtës” për të zënë këtë pozicion kaq delikat dhe me pushtet të rëndësishëm, i cili vështirë se gjendet.

Por në mjediset e drejtësisë, në fjalosjet mes avokatëve e gjyqtarëve, kanë filluar thashethemet mbi kandidaturat. Emrat e lëshuar nën zë nga juristët socialistë që kanë marrë pjesë në përgatitjen e reformës në drejtësi, shpejt kthehen në pre të “ekspertëve ndërkombëtarë” që, duke mos i njohur personazhet, fillojnë të marrin informacione nga miq dhe të njohur, dhe kështu emrat fillojnë e qarkullojnë në mënyrë gjysmë publike.

Kështu emrat më të lakuar, janë emra që kanë qenë pjesë e komisionit të emëruar nga Rama për të shkruar tekstin e reformës dhe njihen si të afërt me Partinë Socialiste, karakteristikë kjo e “e rrezikshme” për të balancuar funksionimin e reformës. Kjo gjë i vë ata jo vetëm në konflikt interesi por edhe peërgjegjës për hartimin e një reforme problematike. Por ajo që është shqetësuese është fakti se disa nga këta emra janë persona të afërt të drejtuesve socialistë.

Pra, për një pozicion delikat, që do të kërkonte një distancë të madhe dhe të besueshme nga pushteti politik, qarkullojnë vetëm emra të personave të lidhur me pushtetin politik deri në lidhje gjaku.

Sipas ligjit, lidhja e tyre familjare nuk përbën rast papajtueshmërie, sepse ligji, që vetë ato kanë përgatitur, nuk parashikon përjashtim në rast të lidhjes familjare edhe të drejtpërdrejtë me ministra ose shefa politikë.

Ndoshta nuk bëhet fjalë për “kapje të shtetit”, por vetëm për disa përpjekje për ndarje feudale të pushtetit ndërmjet familjeve, familjaritet dhe nepotizëm si në çdo histori mesjetare, po drejtësia ku është?

Lajme te ngjashme