Vetëmashtrimi i Ramës në lidhje me integrimin në BE sa vjen e përkeqësohet

Nga Vincent Van Gerven Oei
Vetëmashtrimi i Ramës në lidhje me integrimin në BE sa vjen e përkeqësohet Kryeministri Edi Rama dhe Zyrtarja e Lartë e BE Federica Mogherini

Ndërsa po bëhet gjithnjë e më e qartë dhe e pamohueshme për klasën sunduese shqiptare se rruga për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian do të jetë e gjatë dhe e lodhshme, padurimi i Kryeministrit Edi Rama dhe efektet e mashtrimeve të tij të vazhdueshme në lidhje me një nisje  të shpejtë dhe të merituar të negociatave për pranimin në BE, po bëhen gjithnjë e më të dukshme.

Më 11 shtator, në seancën e parë të parlamentit të ri, Kryeministri Rama deklaroi:

“Ajo që unë mund të them shumë hapur dhe shumë drejtpërdrejtë […] çelja e negociatave nuk është më një çështje që lidhet me çfarë bëjmë ne më mirë. […] Ju kujtoj që ecuria me pesë prioritetet ishte e tillë që nga Komisioni u vendos si pikë fundore, reforma kushtetuese në drejtësi për të hapur negociatat. Reforma kushtetuese në drejtësi kaloi, negociatat nuk u hapën.  Pastaj u vu vettingu. Vettingu kaloi dhe sigurisht pritet implementimi i vettingut, por kjo është si ta marrësh, sepse implementimi i vettingut ka nisur.

[Ç]elja zyrtarisht e negociatave vitin e ardhshëm është ajo çka Shqipëria pret dhe meriton dhe është e padrejtë, sipas nesh, që kjo çështje të vazhdojë të zvarritet për arsye që s’kanë lidhje me Shqipërinë, duke nxjerrë në çdo hap sebepe të reja.”

Ndërsa tani së fundmi Kryeministri Rama ka zgjedhur të ankohet për “trajtimin e padrejtë” të Shqipërisë në një forum edhe më evropian, në një intervistë për gazetën gjermane  Frankfurter Rundschau. Argumenti i tij është pak a shumë i njëjtë:

FR: Reforma gjyqësore është e lidhur edhe me fillimin e negociatave të pranimit në BE. Kur mund të fillojnë këto?

ER: Asnjëherë nuk mund ta dish me BE-në, sepse ata vazhdimisht ndryshojnë pozicionet dhe kushtet e tyre. Na u tha që negociatat të fillojnë kur reforma kushtetuese arriti në sistemin gjyqësor. Kështu ne ndryshuam Kushtetutën, por negociatat e pranimit nuk kanë filluar. Pastaj na u tha se ligji për verifikimit [vettingun] ishte i rëndësishëm. Pastaj na u tha se zgjedhjet ishin të rëndësishme, që ne mund të fillonim [negociatat]. Tani ne kemi përmbushur gjithçka dhe do të shohim [çdo të ndodhë me hapjen e negociatave]. Mund të ndodhë vitin e ardhshëm, kur Këshilli i Evropës të shprehë një mendim pozitiv, por gjithashtu mund të ndodhë që [hapja e negociatave] të mos ndodhë vitin e ardhshëm. Procesi i zgjerimit është bërë gjithnjë e më i padrejtë dhe për shtetet më pak të imagjinueshme. Kjo nuk ka të bëjë me Shqipërinë. Kjo është për vetë Evropën.

Pyetja më e rëndësishme është se çfarë e bëri Kryeministrin Rama të mendojë se BE-ja “ndryshon vazhdimisht pozitat dhe kushtet e saj”?

Ashtu siç Exit.al ka shkruar në mënyrë të vazhdueshme, i gjithë procesi që nga rekomandimi i Komisionit Evropian për të hapur në mënyrë të kushtëzuar negociatat për anëtarësim, në nëntor 2016, e më pas me ndryshimet e bëra nga Parlamenti Evropian, i cili i bëri dhe më të qartë pesë kushtet për hapjen e negociatave, e që vazhdoi me dështimin e Këshillit Evropian në arritjen e konsensusit për të miratuar raportin e ndryshuar, ka qënë një proces i ndërlikuar, por shumë i qartë, pa dyshime. Për fat të keq, Komisioni Evropian nuk ka mundur ta komunikojë këtë process siç duhet për qeverinë apo popullin shqiptar.

Në vend të kësaj qartësie, ka pasur në mënyrë të vazhdueshme përpjekje për të minimizuar rëndësinë e të pestave prioriteteve kyçe, duke zmadhuar rëndësinë e ligjit të vettingut. E sidomos kjo përpjekje ka ardhur nga vetë Komisioni Evropian, nëpërmjet ambasadores së tij të deleguar në Shqipëri Romana Vlahutin. Në dhjetor 2016, ambasadorja Vlahutin deklaroi:

“Komisioni [Evropian] ka publikuar rekomandimin e tij pozitiv, por ka një rekomandim, një kusht, i cili është ligji i vetingut dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me pesë prioritetet kyçe. […] Me qëllim që të hapen negociatat, është e rëndësishme që të kalohet ligji i vetingut.

Pesë prioritet do të vazhdojnë të mbeten me ne deri në fund [të negociatave]. […] Prandaj duhet të bëhet përparim, pak por i  qartë.”

Këto fjalë u përsëritën fjalë për fjalë nga Kryeministri Edi Rama në Parlament:

“Siç tregon ecuria në rrugën e negociatave të çelura edhe në Mal të Zi e Serbi, këto 5 prioritete janë shoqëruese deri në momentin e anëtarësimit. Nuk janë kushte, por prioritete që vendi duhet të përmbushë. Kusht është Vetingu. Të tjerat janë dokrrat e dëshpërimit tuaj të pangushëllueshëm, jeni lëshuar nga zinxhirët e logjikës, për të hedhur çdo ditë, baltë, shpifje, akuza me shpresën se shqiptarët do ju besojnë juve. Vendet anëtare kërkojnë që Komisioni Europian të bëjë një raport të ri sapo Shqipëria të jetë gati me përmbushjen e këtij kushti.”

Përmes theksimit të saj për rëndësinë e pesë prioriteteve kyçe (që janë në të vërtetë kushte), ambasadorja Vlahutin lejoi Kryeministrin Rama të deklarojë publikisht se vetëm miratimi i ligjit të verifikimit [vettingut] do të mjaftojë për hapjen e negociatave të pranimit dhe për të konsideruar atë kusht të vetëm. Vlahutin nuk e ka korrigjuar asnjëherë publikisht këtë interpretim të qartë dhe të gabuar të Kryeministrit Rama për qëndrimin e BE-së. Vetëm në korrik 2017 ajo publikisht dha variantin e saktë të historësisë, por tashmë  ishte tepër vonë:

“Ju e dini që ne nuk flasim kurrë për një kalendar të saktë, por për atë çka duhet bërë dhe për Shqipërinë është shpjeguar në vendimin e Komisionit Europian rekomandimi për hapjen e negociatave në varësi të progresit të besueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e reformës së drejtësisë, në veçanti rivlerësimin e gjyqtarëve si dhe në pesë përparësitë kyçe: lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, forcimi i gjyqësorit, administratës publike dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, përfshirë romët dhe politikat antidiskriminuese, si dhe zbatimin e të drejtave të pronësisë.”

Ka një ndryshim të madh mes përparimit “të vogël, por të dukshëm” të dhjetorit 2016 dhe “progresit të besueshëm dhe të prekshëm” në korrik 2017. Fakti është se Bashkimi Evropian ka qenë shumë i qartë lidhur me kushtet, të cilat u përsëritën vazhdimisht nga shumë përfaqësues të ndryshëm, kryesisht nga Parlamenti Evropian. Dështimi i komunikimit, megjithatë, bie qartësisht mbi Komisionin Evropian.

Rezultatet e këtij dështimi, të shkaktuar nga vetë dëshira e burokratëve të Komisionit Evropian për të vazhduar me zgjerimin e BE-së, dhe marrëdhëniet personale të ambasadores Vlahutin dhe Kryeministrit Rama, tashmë janë të qarta për të gjithë: një Kryeministër i zhgënjyer i cili pas muajsh përsëritje të vetes dhe të të tjerëve, pa asnjë korrigjim nga jashtëm, se ligji i vettingut është gjithçka që ka rëndësi, përballet me një zhgënjim total – dhe tani fillon të fajësojë BE-në dhe të pretendojë “padrejtësi” ndaj Shqipërisë.

Në intervistën me Frankfurter Rundschau, Edi Rama shprehet:

“Problemi nuk është ajo që thotë Evropa, por ajo që bën. Në rastin tonë është tërësisht e padrejtë, sepse ne jemi një shtet i NATO-s. Mali i Zi i është bashkuar NATO-s shumë më vonë. Për më tepër ne jemi në një kapitull vendimtar  të refomimit gjyqësor, shumë më përpara se Mali i Zi. Serbia gjithashtu duhet t’i zbatojë këto reforma. Ne tashmë e kemi bërë këtë. Është fantastike që ata [Mali I Zi dhe Serbia] po negociojnë. Është thjesht e padrejtë që ne nuk jemi [duke negociuar].”

Përveç faktit që anëtarësimi në NATO nuk ka ndikim në pranimin në BE (vlen të shikohet rasti i Turqisë), reforma gjyqësore shqiptare nuk është një “kapitull” në kuptimin e saktë se “kapitujt” e tillë ekzistojnë vetëm si pjesë e zbatimit të acquis communautaire [Akti Komunitar], që është korniza ligjore e përbashkët e BE-së, gjatë procesit të negociatave të pranimit. Pra, Rama po krahason mollët me dardha.

Pyetja vendimtare është padyshim se si ankimi i Ramës do të ndihmojë procesin e pranimit të Shqipërisë. Siç tregoi Barometri i Ballkanit, qytetarët serbë dhe malazezë duket se janë shumë më realë në lidhje me shanset e tyre për pranimin në BE sesa shqiptarët. Rama nuk ka punuar vetëm me shpresat e veta për pritshmëritë joreale, por edhe me ato të qytetarëve shqiptarë. Zgjidhja e tij e vetme për të justifikuar gjykimin e tij (të gabuar), është të fillojë të fajësojë BE-në, apo edhe të nënkuptojë se vendet e BE nuk e kuptojnë rëndësinë e kësaj situate: “Shpesh pyes veten nëse këta liderë evropianë mendojnë për [ strategjinë e zgjerimit të BE].”

Realiteti politik, megjithatë, është se Bashkimi Europian aktualisht ka në fokus çështjen Brexit, disa vende “mashtruese” të Europës Lindore, krizën  “e brendshme” në Spanjë dhe partneritetin e dobët transatlantik. Data e mundshme për hapjen e negociatave të pranimit të Shqipërisë në BE është një çështje vërtet e vogël krahasuar me këto ngjarje kërcënuese për BE.

Në vend që të ankohej, Edi Rama mund të mësonte diçka nga udhëheqësit e tjerë të Ballkanit, të cilët, në vend që të luajnë djaloshin e vështirë, aktualisht po negociojnë kapitujt,[ecurinë për përmbushjen  e tyre], me BE-në.

Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian do të bënte mirë që të mos zgjasë mandatin e Ambasadores Vlahutin, pasi ajo mban përgjegjësi të konsiderueshme për komunikimin jo të saktë, joefektiv dhe të dëmshëm të mesazhit të BE-së në Shqipëri.

 

 

Lajme te ngjashme