Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi sot kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako për blerje të votave të 25 qershorit në bashkëpunim me bandat kriminale:

“Vangjush Dako është kapur në flagrancë duke bashkëpunuar me grupet kriminale më të rrezikshme të Durrësit ku i kërkon të vjedhin dhe blejnë votat për zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Shërbimet inteligjente, duke përfshirë ato të vendeve partnere e kanë kapur gavil Dakon duke bërë pazare me telefon.

 Në këmbim të blerjes së votave dhe dhunimit të qyetarëve Dako i premton kriminelëve tendera. Janë miliona euro që Dako i ka kërkuar kriminelëve vetëm që ata të siguronin vota dhe pushtet për PS.

Por këto pazare të ndyra tashmë janë të dokumentuara dhe janë nën hetim prej disa kohësh nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.”

Zoti Basha akuzoi kryeministrin Rama se për të shëptuar nga hetimi Dakon ka “ndërhyrë fuqishëm për të larguar nga hetimi prokurorin që po hetonte këtë aferë kriminale të regjistruara nga shërbimet inteligjente përfshirë ato të vendeve partnere”.

Kreu i opozitës i kërkoi publikisht prokurorisë të sqarojë qytetarët nëse largimi i prokurorit që po hetonte çështjen në Durrës Anton Martini, për në prokurorinë e Shkodrës është bërë me presion nga Kryeministri Rama. Zoti Basha po ashtu i kërkoi prokurorisë të vazhdojë hetimin deri në zbardhjen e plotë të kësaj afere korruptive dhe kriminale.