Çfarë dihet për arrestimin e tre drejtuesve të lartë të policisë

Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëroi dje arrestimin e tre drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit: Jaerd Çelës, ish-drejtori i policisë së Vlorës; Gjergji Kohilës, shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar në drejtorinë e Qarkut Vlorë; dhe Sokol Bodes ish-kreu i policisë kufitare të Dhërmiut.

Të tre dyshohen për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike në mbështetje të grupit të organizuar kriminal të vëllezërve Habilaj.

Policia nuk ka arrestuar ende asnjë prej këtyre personave. Dihet se policia e Vlorës ka kryer kontroll në shtëpinë e Jaerd Çelës, por mendohet se nuk e ka gjetur në banesë. Sokol Bode dyshohet se është larguar nga Shqipëria dy ditë pasi është bërë publike dosja e përgjimeve të Habilajve nga prokuroria e Katanias. Ndërsa, për rastin e Gjergji Kohilës nuk dihet se çfarë veprimesh ka kryer policia deri më tani.

Kërkesa per arrestimin e këtyre policëve të lartë, konfirmon akuzat e hershme të opozitës për lidhjet e tyre me krimin.

Në dhjetor të 2016, ish-kryeministri Sali Berisha publikoi një foto ku shfaqej Sokol Bode, në atë kohë shef i policisë kufitare të Dhërmiut, në shoqërinë e Moisi Habilaj—një nga krerët e grupit të habilajve, aktualisht i arrestuar në Itali.

Në mars 2017, Sokol Bode u transferua në policinë e Shkodrës. Aktualisht ai po hetohet nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm për shkelje të disiplinës gjatë kapjes së një grupi kriminal që trafikonte drogë drejt Malit të Zi.

Në prill të 2017, opozita denoncoi se një ngarkesë droge prej 72 pako kanabis e sekuestruar në Zvërnec të Vlorës ishte e porositur nga Jaerd Çela dhe Gjergji Kohila.

Disa muaj më vonë, Ministri i sapo emëruar Fatmir Xhafaj e shkarkoi Zotin Çela nga detyra.

Por këto akuza si dhe shumë të tjera nga opozita u kundërshtuan, u shpërfillën dhe madje u tallën nga Kryeministri Rama dhe qeveria e tij, të cilët nuk ndërmorën asnjëhërë ndonjë veprim për hetimin e tyre.