Kapja e shtetit, e shoqërisë dhe e tregut

Nga Carloalberto Rossi
Kapja e shtetit, e shoqërisë dhe e tregut

Falë mbiprodhimit të kanabisit gjatë viti 2016, më shumë se të vërë në zbatim një strategji të ndryshimit, qeveria Rama dhe Ministri i Brendshëm Xhafaj, arritën të lavdojnë përpara homologut italian Minniti, fitoren në luftën kundër kultivimit të përhapur të kanabisit.

Ndërkohë, sikurse bëri me dije Gjenerali Toschi, Komandant i Përgjithshëm i Guardia di Finanzës, fronti i luftës është zhvendosur në trafikun ndërkombëtar ndërmjet dy brigjeve të Adriatikut, atje ku policia italiane vazhdon të sekuestrojë sasi të mëdha droge shqiptare, mesa duket nga të korrat e vitit 2016.

Por problemi nuk zgjidhet kaq thjeshtë.

Edhe nëse qeveria shqiptare do dhe di si të ndërhyjë në mënyrë efikase dhe të mundë përfundimisht trafikun ndërmjet dy brigjeve, ende nuk do ta kemi zgjidhur problemin e ndërlikuar shoqëror në Shqipëri të gjeneruar nga droga.

Sigurisht ligji mbi dekriminalizimin e politikës do të largojë pak nga pak nga Kuvendi, nga organet vendore, nga administrata publike shumë personazhe të përfshirë në të shkuarën në aktivitet kriminal, por megjithatë edhe kjo, ende nuk mjafton.

Ndërkohë e dimë që bandat shqiptare menaxhojnë tashmë trafikun e drogave të rënda drejt për drejt nga qytetet kryesore të Evropës dhe përdorin Shqipërinë si vend të sigurtë, si bazë dhe si fshehje. E do të vazhdojnë të vijnë këtu, dhe tregojnë pasurinë e tyre të pamerituar, të korruptojnë ndonjë nënpunës për tu pajisur me dokumenta fallso dhe të rekrutojnë të rinjë të verbuar nga fitimet marramendëse.

Por efekti më i madh i drogës në Shqipëri mbetet pezull në ajër, dhe për ta fshirë do të nevojiten sakrifica të shumta dhe dhjetëvjeçarë të tërë.

Efekti më i madh është që sot në Shqipëri kemi një sasi jo të matshme paraje të pisët e krijuar nga  aktiviteti kriminal ose korrupsioni. Kjo para pjesërisht është investuar në kompani të rregullta që punojnë me humbje duke çuar në falimentim ato kompani të krijuara me djersë; pjesërisht është e depozituar në banka dhe e përdoret si garanci për të marrë pjesë në tendera publikë; pjesërisht është investuar për të kontrolluar qendrat tregtare, gazetarët, televizionet dhe institucionet financiare; dhe pjesërisht është investituar edhe në sistemin e arsimit privat.

Në fakt kemi një gjeneratë të tërë narkokapitalistësh të mësuar me një sistem të qarkullimit të parasë që ndot dhe shkatërron çdo mundësi për të krijuar një treg, edhe pse të vogël, por normal dhe të rregullt.

E këto narkokapitalistë (dhe këto kleptokratë, si politikanët, gjyqtarët dhe funksionarët) janë kampionët e vërtet të tregut të lirë në Shqipëri, treg për më tepër në pjesën më të madhe i ushqyer me të ardhura e tregtisë së drogës. Ato i gjen në sallonet më të mira dhe në tribunat e nderit të stadiumeve, frekuntojnë lokalet më luksoze nëse nuk i zotërojnë ato. Dhe ndoshta me kompanitë e tyre dhe me mediat ushtrojnë pushtet duke prodhuar opinione dhe tendenca. Ndërkohë fëmijët e tyre, drejtojnë pa patentë makina lluksi plot me para të thata.

Këtë e bëjnë në një vend tashmë moralisht të rënë në përkëdheljen e padalluar të parasë dhe të pushtetit të saj, në mohimin e njërëzimit të tij, në triumfin e luksit injorant të shfrenuar dhe të pajustifikuar.

Cili sistem drejtësie, cila polici dhe me cilën ligjshmëri, mund të rikthejnë ndonjëherë një gjendje shoqërore normale? Sa kohë do të nevojitet?

Mund të besojmë se me të vërtetë politika, e cila sapo ka përfunduar së mbrojturi narkotrafikantët e ndryshëm dhe që deri më dje mohonte në mënyrë kategorike ekzistencën e problemit të drogës, sot me ndihmën e dy agjentëve të dhënë hua nga FBI-ja të mund të vërë gjithçka në rregull?

Sërish, gjendja është tragjike, por jo serioze.

Lajme te ngjashme