Kosovë, raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, Vetëvendosja mban Prishtinën

Kosovë, raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, Vetëvendosja mban Prishtinën

Ditën e dielë më 19 nëntor, qytetarët kosovarë votuan në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për të zgjedhur 19 kryebashkiakë, të cilët nuk mundën të fitonin mbi 50 për qind të votave në raundin e parë, zhvilluar një muaj më parë.

Në garë ishin kryeqyteti, Prishtina, e disa prej qyteteve kryesore të vendit si Prizreni, Gjakova, Mitrovica e Gjilani.

Kur duket se ka përfundur numërimi i pjesës më të madhe të kutive, rezultatet janë këto:

Lidhje Demokratike e Kosovës (LDK) ka fituar në katër komuna, duke e çuar në total numrin e komunave që drejton në 8.

Alenaca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka fituar në 2 komuna, duke e çuar në total numrin e komunave që drejton në 7.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka fituar në një komunë, duke e çuar në total numrin e komunave që drejton në 5.

Vetëvendosja ka fituar në tre komuna, përfshirë këtu Prishtinën dhe Prizrenin, dy komunat më të mëdha të Kosovës. Komuna e tretë që do të drejtohet nga VV është Kamenica.

NISMA dhe AKR do të drejtojnë nga një komunë secila.

Dy komuna, Skënderaj dhe Hani i Elezit janë fituar që në raundin e parë nga kandidatë të pavarur.

Lista Serbe ka mundur të fitojë në 10 komuna që në raundin e parë.

Prishtina dhe Prizreni

Në Prishtinë është zhvilluar gara më e ashpër mes Shpend Ahmetit të VV-së, aktualisht Kryetar i Komunës dhe Arban Abrashit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në raundin e parë, Shpend Ahmeti mori 44 për qind të votave, ndërsa Arban Abrashi 35 për qind, por edhe pse jo publikisht, gjatë fushatës për raundin e dytë kishte zëra se Abrashi do të mbështetej dhe nga   partitë e tjera si PDK, AAK e AKR.

Ndikimi i këtyre votave u reflektua në rezultatin e ngushtë të votimit të një dite më parë: Shpend Ahmeti mori 50,15 për qind të votave, ndërsa Arban Abrashi 49,85 për qind. Diferenca mes tyre ishte vetëm 138 vota.

Po ashtu, në komunën e Prizrenit, gara mes kandidatëve të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë e ashpër. Fituesi, Mytaher Haskuka i VV-së mori 50,32 për qind të votave, ndërsa Shaqir Totaj i PDK-së mori 49,68 për qind.

Pjesëmarrja në votime

Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 40 për qind, shifër kjo më e ulët se në zgjedhjet e raundit të parë, më 22 tetor.

Deri më tani nuk janë raportuar probleme të rënda gjatë organizimit të zgjedhjeve, përveçse në disa raste të votimit familjar apo të përpjekjes për votim të dyfishtë.

Në qendrat e votimit kishte vëzhgues nga institucionet evropiane dhe organizatat qeveritare.

Procesi i numërimit po ashtu ka vazhduar qetë dhe po shkon drejt përfundimit në të gjitha komunat.

 

Lajme te ngjashme