PS dërgon në Gjykatën Kushtetuese mandatin e kryebashkiakut të Mallakastrës

PS dërgon në Gjykatën Kushtetuese mandatin e kryebashkiakut të Mallakastrës

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste i ka kërkuar sot Gjykatës Kushtetuese heqjen e mandatit të Kryebashkiakut të Mallakastrës Agron Kapllanaj.

Kjo nismë e tyre vjen pak ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e rrëzoi me katër vota kundër kërkesën e socialistëve.

Deputetët socialistë pretendojnë se Agron Kapllanaj është dënuar në Itali me dy vjet burg dhe 200 euro gjobë për vjedhje, e bazuar në ligjin e dekriminalizimit ai nuk mund të mbajë postin e Kryetarit të Bashkisë.

Deputetja socialiste Klotilda Ferhati akuzoi KQZ për vendime politike dhe tha se beteja do të vazhdojë në Gjykatën Kushtetuese:

“Agron Kapllanaj është i dënuar për vjedhje me 2 vjet burg, dhe ne kërkuam pavlefshmërinë e mandatit të tij, por vetëm se përfaqëson PD, Klement Zguri zgjodhi të mos i heqë mandatin.”

Zonja Ferhati vazhdoi më tej duke bërë përgjegjës për votimin e KQZ-së kreun e opozitës Lulzim Basha:

“Për të gjithë është e qartë pse Basha sillet si polic e prokuror, se nuk e bën dot detyrën e kretarit të PD. Klement Zguri me dashje dhe nën presion politik opozitar nuk respektoi detyrimin ligjor për ta shqyrtuar brenda 10 ditëve sipas ligjit të dekriminalizimit.”

Në rast se Gjykata Kushtetuese vendos shpalljen si të pavlefshëm të mandatit të Zotit Kapllanaj, në Bashkinë Mallakastër do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme lokale.

Lajme te ngjashme