Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Albaleaks: e gjithë policia ka qenë në shërbim të drogës

Gjatë ditëve të fundit, Exit.al ka publikuar një dokument të redaktuar (pjesa e parë këtu dhe pjesa e dytë këtu), i cili përmblidhte të dhënat e 59 raporteve që i janë nisur Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe Shërbimit të Ankesave në Ministrinë e Brendshme për përfshirjen e policisë në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit për periudhën 3 mars 2016 deri më 9 mars 2017.

Duke qenë se mungojnë si fillimi ashtu edhe fundi i dokumentit, të cilin ne e kemi quajtur Albaleaks, lloji i saktë i origjinës së tij mbetet i paqartë, pavarësisht se disa burime për Exit.al kanë konfirmuar se dokumenti është hartuar nga Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), që do të thotë se, sipas rregullave në fuqi, një kopje e tij duhet t’i jetë dërguar Kryeministrit Rama.

Origjina dhe përmbajtja e dokumentit ngre dyshime serioze mbi mbrojtjen e fortë dhe këmbëngulëse të Kryeministrit Rama ndaj Policisë së Shtetit dhe ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili aktualisht është nën hetim për korrupsion dhe përfshirje në organizatë kriminale.

Dokumenti rendit 128 emra drejtorësh, shefash policie, inspektorë dhe oficerë policie të dyshuar për përfshirje në krime të lidhura më drogën. Ajo çfarë vihet re është se këta policë (janë të gjithë meshkuj) janë punonjës të drejtorive rajonale të policisë në të gjithë vendin—Berat, Delvinë, Dibër, Durrës, Fier, Gjirokastër, Korçë, Kukës, Lezhë, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë—dhe komisariate të ndryshme nën varësinë e tyre. Një pjesë e mirë e tyre është e përqendruar në njësitë e policisë që merren me krimin e organizuar, njësitë anti-drogë, ose në njësitë e kontrollit të kufirit.

Nuk bëhet fjalë për policë të thjeshtë: përveç dhjetëra inspektorëve dhe shefave të policisë, drejtorët e Drejtorive Vendore të Beratit, Dibrës, Gjirokastrës, Korçës dhe Vlorës janë raportuar më shumë se një herë.

Më 2 nëntor 2015, Kryetari i PD-së Lulzim Basha sulmoi Kryeministrin Rama dhe Ministrin e atëhershëm të Brendshëm Saimir Tahiri për mbrojtjen ndaj drejtorëve të policisë së Korçës dhe Gjirokastrës të përfshirë në trafik. Drejtori i Policisë së Korçës është përmendur në raportin e datës 15 nëntor 2016 me titull “Fenomeni i Kultivimit të Kanabisit në Vend”, ndërsa Drejtori i Policisë së Gjirokastrës është përmendur në tre raporte të muajit prill dhe maj 2016 nën titullin “Punonjës të policisë të dyshuar për përfshirje në kultivimin e narkotikëve”.

Jael Çela, drejtori i Policisë së Vlorës, aktualisht nën hetim për përfshirje në grupin kriminal të Habilajve, së bashku me Gjergj Kohilën, shefi i sektorit të krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë Vlorë, dhe Sokol Boden ish-shef i policisë kufitare Dhërmi, përmenden në disa raporte.

Në 17 prill 2017, pas zbulimi të një laboratori të drogës, drejtori i policisë së Beratit Fatmir Lleshaj u akuzua zyrtarisht për “shkelje administrative” dhe se do të përballej me “masë disiplinore”. Ai përmendet në raportet e datës 2 nëntor dhe 12 dhjetor 2016, në të dyja rastet për ruajtje dhe trafikim të kanabisit.

Prirja e Policisë së Shtetit për t’u dhënë “masa disiplinore” oficerëve të policisë të ekspozuar në ndihmën, lehtësimin apo përfshirjen direkte në tregtinë e drogës, apo lëvizja e tyre në poste të tjera duket se ka qenë një praktikë e zakonshme.

Pasi Sokol Bode u hoq nga shef i policisë kufitare të Dhërmiut, ai u bë shef i sektorit të krimit të organizuar në komisariatin e Pukës dhe vazhdoi të punojë me krimin e organizuar në këtë vend të ri pune.

Nga 11 policët e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë të cilët kanë “lëvizur” në nëntor 2016 në pozicione të reja pune pas zbulimit të magazinave të drogës në Rrëshen, 3 janë përmendur në një ose më shumë se një raport, dhe mund ta vazhdonin pa asnjë problem “punën” e tyre nga pozicionet e reja të punës.

Policë të tjerë duket se kanë mundur të marshojnë drejt niveleve më të larta në strukturën e policisë pa asnjë pengesë. Haki Hasanbega është përmendur në fillim të dokumentit në disa raporte në lidhje me përfshirjen në kultivimin dhe trafikimin e drogës.

Në atë kohë ai ishte shef i Komisariatit të Tepelenës, i cili është në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Nga gushti i vititit 2016, Hasanbega ra në sy aq shumë sa për të ka është hartuar një raport i tërë që shpjegon aktivitetin e tij dhe bashkëpunëtorëve të tij në kultivimin e drogës.

Por atëhere ai ngjiti shkallët në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe kur në shkurt 2017 Prokuroria e Krimeve të Rënda lëshoi një urdhër arresti ndaj tij për përfshirje në trafik të drogës dhe anëtarësim në organizatë kriminale, ai ishte i graduar shef i Policisë së Qarkullimit Rrugor të gjithë qarkut.

Ndonjëherë diferenca mes “shqetësimeve” të zyrtarëve të qeverisë shqiptare dhe realitetit në terren bëhet skizofrenik. Një shembull është drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, i cili në një intervistë të muajit prill 2016 deklaroi se “aktiviteti i kultivimit dhe trafikimit të drogësë është i organizuar dhe masiv.”

Një muaj më pas, sidoqoftë, i njejti drejtor është përmendur në një raport mbi “Punonjës të policisë të dyshuar për përfshirje në kultivimin e narkotikëve”, ndërsa një tjetër raport e përmend atë si të dyshuar për bashkëpunëtor me baronin e drogës Alket Hatija, i cili së fundmi u ekstradua në Itali për të shlyer dënimin e gjykatave italiane me 20 vite burg për trafikim ndërkombëtar të drogës.

Duket se emrat dhe datat e përmendura në dokumentat Albaleaks, të botuara nga ne, janë vërtetuar nga faktet e raportuara gjatë vitit të fundit dhe nga hetimet e nisura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Kjo konfirmon besimin tonë se këto dokumenta janë të vërteta dhe tregojnë një pjesë të shtrirjes së vërtet të bashkëpunimit të Policisë së Shtetit dhe Policisë Kufitare në kultivimin, trafikimin dhe përpunimin e drogës gjatë periudhës kur Saimir Tahiri ka shërbyer si Ministër i Brendshëm.

Dokumentat tregojnë bindshëm se si ShISh (ose një shërbim tjetër shtetëror) ka lajmëruar vazhdimisht Policinë e Shtetit dhe qeverinë Rama për këto fakte, dhe se si realiteti i paraqitur nga Kryeministri Rama ishte në fakt një gënjeshtër gjigande.

Kryeministri Rama duhet ta ketë ditur përfshirjen masive të policisë në tregtinë e drogës dhe zgjodhi të mos bëjë asgjë. Kjo gjë i solli shumë fitime.