Ambasadori Lu sulmon Prokurorin Llalla dhe mbështet Kryeministrin Rama

“Sistemi i vjetër i drejtësisë i mbronte njerëzit e shtetit me pasuri përmes korrupsionit dhe ndikimit politik. Sistemi i ri nuk mund të ketë një prokuror të përgjithshëm që nuk ndjek askënd penalisht”.

Kështu u shpreh ambasadori amerikan Donald LU në një konferencë të organizuar nga Avokati i Popullit për dhunën ndaj grave.

Më tej Ambasadori Lu foli zgjedhjen e prokurorit të ri, duke sulmuar indirekt Prokurorin e tanishëm Llalla:

Të dyja palët [qeveria dhe opozita] duhet t’i japin fund epokës kur Prokurori i Përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar.

…Së shpejti, do të përfundojnë çështjet e para të vetingut. Kjo do të sjellë krijimin e organeve të tjera në drejtësi, përfshi SPAK dhe BKH. Shqiptarët presin me padurim për drejtësi. Dhe politikanët kanë frikë.

…Ky vend nuk mund të hy në BE nëse vazhdon të ketë shkallën më të ulët të ndjekjes penale të krimeve të rënda në Europë.

Dukshëm në mbeështetje të propozimit të Kryeministrit Rama për tavolinë partiake për Prokurorin e Përgjithshëm, ambasadori amerikan u shpreh:

Në emër të grave dhe të fëmijëve që vuajnë si pasojë e një sistemi të korruptuar shpresoj që politikanët t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre të parëndësishme dhe do të zbatojnë këtë reformë në drejtësi.

Deklaratat e ambasadorit Lu vijnë pas vendimit të Kryeministrit Rama për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm vetëm me shumicë të thjeshtë parlamentare, pa kaluar procesin e vetingut. Kjo procedurë është shkelje e hapur e Kushtetutës dhe e refomës në drejtësi.

Pavarësisht retorikës së tij kundër politikanëve të korruptuar, Ambasadori Lu ende nuk është shprehur në mbështetje të hetimeve të prokurorisë ndaj Saimir Tahirit dhe përfshirjes së policisë në trafikun e drogës. Madje, ai heshti edhe kur Edi Rama, Fatmir Xhafaj dhe Saimir Tahiri ndërmorën sulme të hapura ndaj prokurorëve që hapën hetimet për Tahirin. E vetmja deklaratë e tij deri tani është se ai do të presë të mësojë të vërtetën për Saimir Tahirin.