Basha: Rama dhunoi Kushtetutën, kjo është anti-reformë

Basha: Rama dhunoi Kushtetutën, kjo është anti-reformë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha denoncoi sërish shkeljen Kushtetutës dhe kapjen e prokurorisë nga Kryeministri Rama. Në një komunikim me gazetarët, një ditë pas zgjedhjes së kryeprokurores së përkohshme dhe protestave të opozitës, Zoti Basha deklaroi:

“Ajo çfarë është e rëndë nuk është sjellja e opozitës, por sjellja e Ramës me Kushtetutën. Ka vetëm një dhunim dhe shkatërrim, ai është shkatërrimi dhe dhunimi i Kushtetutës nga Rama.

Dje është vërtetuar katërcipërisht se Rama është i vendosur për anti-reformë në drejtësi.

Parlamenti nuk është ai që patë dje, me një shumicë të marrë peng nga krimi dhe paratë e drogës, Parlamenti është Kushtetuta.

Kjo do të ketë pasoja të rënda për stabilitetin e vendit.

Mandati i përfituar është nul dhe i pavlefshëm. Kryeprokurori në Shqipëri prej ditës së djeshme është vetë Edi Rama. Qellimi është të mbyllë dosjet që i rrezikojnë pushtetin.

Emërimi i Kryeprokurorit është antikushtetues, politik dhe pa vetting, me 69 vota. Është rasti i vetëm në 27 vjet që kryeprokurori zgjidhet me më pak se gjysma e votave.”

Pyetur nëse opozita do ta dërgojë çështje për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, Zoti Basha u përgjigj:

“Gjykata Kushtetuese nuk është zjarrfikës e paqeruajtës. Është institucion juridik që interpreton paqartësi në raport me zbatimin e kushtetutës. Kushtetuta është e qartë. Askush nuk duhet ta mendojë se kur kryeprokurori emërohet në mënyrë flagrante me kushtetutën, zgjidhjet vijnë përmes procedurave juridike apo apeleve.”

Lajme te ngjashme