Brukseli kthehet në Ballkan, në mënyrë selektive

Nga Harry Cooper
Brukseli kthehet në Ballkan, në mënyrë selektive

Bashkimi Evropian dëshiron të tregojë se ende interesohet për Ballkanin, por jo të gjithë vendet po e ndiejnë dashurinë.

Brukseli është akuzuar për vite që nuk i kushton vëmendje të mjaftueshme gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që duan të bashkohen me bllokun. Pas marrjes së detyrës në vitin 2014, Presidenti i Komisionit Jean-Claude Juncker deklaroi se BE nuk do të merrte asnjë anëtar të ri gjatë mandatit të tij pesëvjeçar.

Megjithatë, muajt e fundit, BE ka rizbuluar interesin për Ballkanin, pasi u alarmua nga përpjekjet e Rusia për të ushtruar ndikimin e saj dhe nga përkeqësimi i marrëdhënieve midis vendeve në një rajon që ishte ende në luftë vetëm disa vite më parë. Zyrtarët nga Serbia dhe Mali i Zi do të jenë të hënën në Bruksel për të diskutuar rrugën e tyre drejt BE.

Kështu, krerët e BE kanë nisur të dërgojnë sinjale se rruga drejt Brukselit është ende e hapur. Juncker, në fjalimin e tij të përvitshëm për Gjendjen e Unionit, dhe presidenti francez Emmanuel Macron, në fjalimin e tij të madh që përcaktoi vizionin e tij për të ardhmen e Evropës, theksuan se blloku duhet të jetë i hapur për anëtarët e rinj nga Ballkani Perëndimor.

Juncker dhe Presidenti i Parlamentit Evropian Antonio Tajani pritet të vizitojnë rajonin në fillim të vitit të ardhshëm. Bullgaria po ashtu është shprehur se dëshiron të ndihmojë që vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin drejt anëtarësimit, si prioritet i presidencës së saj gjashtëmujore të Këshillit të BE, i cili fillon në janar 2018.

Megjithatë Brukseli nuk i parasheh të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipërinë, Bosnje dhe Herzegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë – të anëtarësuara në BE në të njëjtën kohë, nëse ndonjëherë anëtarësohen. Në vend të kësaj, Komisioni ka pranuar si favoritët në krye të listës,  Serbinë dhe Malin e Zi dhe synon që ata të jenë anëtarë deri në vitin 2025, nëse jo më shpejt. Të dy vendet pritet të hapin kapituj të rinj në negociatat e tyre të anëtarësimit në Bruksel të hënën.

Fokusi në këto dy vende ka shkaktuar alarm, konfuzion dhe zemërim midis vendeve që nuk janë përfshirë në grupin e favoritëve.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj u shpreh që Serbia po merrte trajtim preferencial sepse kishte luajtur kartën e afrimit me aleatin e saj tradicional, Rusinë.

“Beogradi ka përfituar shumë nga përdorimi i  kartës së alternativës tjetër – dhe kjo është Moska, Rusia … Mesazhi ndaj rajonit tonë duhet të jetë i qartë, jo me standarde të dyfishta”, tha Haradinaj në një intervistë gjatë një vizite në Bruksel.

Haradinaj, i cili tha se qeveria e tij shpresonte të paraqiste një kërkesë për anëtarësimin në BE në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, deklaroi se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkohen në bllokun në të njëjtën kohë.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka sugjeruar se strategjia e “shteteve favorite për tu anëtarësuar” mund të jetë islamofobike, pasi i vë vendeve me popullsi të konsiderueshme myslimane në fund të listës, ndërsa dy shtete të krishtera, kryesisht ortodokse, në krye të saj.

Vende të tjera kanë qenë më pak kritike publikisht, por e kanë bërë të qartë se kjo strategji ka krijaur konfuzion.

Suela Janina, ambasadore e Shqipërisë në BE, tha se sinjali i Juncker në rajon në fjalimin e tij në Shtetin e Unionit ishte “shumë i vlerësuar”, por letra shoqëruese e strategjisë me disa vende më favorite se të tjerat “shkaktoi disa shqetësime”.

“Duke parë këto dy dokumente, ne pyesnim veten’Për çfarë është kjo?’ Ajo që na nevojitej ishte sqarimi,” tha ajo.

Komisioni thotë se identifikimi i Serbisë dhe Malit të Zi si kryesues thjesht pasqyron faktin se janë të vetmit dy nga gjashtë vendet që kanë filluar negociatat për anëtarësim. Por diplomatët rajonalë janë të shqetësuar se dueti tani do të marrë pjesën më të madhe të vëmendjes së Brukselit.

Programi i punës i Komisionit për vitin e ardhshëm premton një strategji “për pranimin në BE të Serbisë dhe Malit të Zi”, por as nuk përmend aspirantët e tjerë të Ballkanit Perëndimor.

“Nuk kemi ndonjë problem me përmendjen e dy vendeve që kanë filluar negociatat. Do të kemi një problem nëse strategjia do të përqendrohet vetëm në këto dy vende, “vazhdoi më tej Suela Janina.

Ky lloj plani madje u duk se irritoi një nga pararendësit e caktuar, Malin e Zi. Kombi prej rreth 620,000 bonorësh e sheh veten shumë më përpara Serbia në rrugën drejt BE dhe nuk i pëlqen sugjerimi që ajo duhet të presë që fqinji i saj më i madh të anëtarësohet, për t’i hapur më pas rrugën asaj.

“Ne jemi në proces shumë më gjatë se ato dhe ne po mbyllim kapitujt [negociues] kur ata po i fillojnë ato”, tha Bojan Šarkiç, ambasadori i Malit të Zi në BE.

Zyrtarët malazezë madje nuk e pëlqejnë idenë që Serbia të anëtarësohet e para kur të dy vendet përmenden si kryesuese, pa ndonjë renditje, por thjeshtë duke lënë të nëkuptohet se Serbia është në krye të listës. “Mali i Zi është më e favorizuar”, deklaroi me padurim Ministri i Jashtëm Andrija Pejoviç.

‘Konkurrenca pozitive’

Duke mbrojtur strategjinë e hartuar nga BE, Johannes Hahn, komisioneri europian përgjegjës për zgjerimin, tha se strategjia nxit një rivalitet të shëndetshëm mes vendeve për të kryer reformat e nevojshme për t’u bashkuar me BE.

“Ajo që kemi është një lloj konkurrence pozitive në mesin e tyre, ata po e shohin me xhelozi njëri-tjetrin,” u shpreh Hahn për POLITICO.

Komisioni gjithashtu është duke u përgatitur për të rekomanduar fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe ndoshta Maqedoninë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, sipas Hahn, megjithëse ai tha se kjo do të ndodhte vetëm nëse do të ishte e sigurtë se qeveritë e BE do të pranonin pozitivisht propozimet.

Perceptimi i banorëve të vendeve të Ballkanit për kohën e anëtarësimit në BE

Edhe zyrtarët atyre shteteve të BE-së që mbështesin zgjerimin sa më të madh të bllokut, janë të vetëdijshëm se është e vështirë të kenë përkrahjen e qytetarëve të tyre për të sjellë në “familjen evropiane” vende relativisht të varfëra, të paqëndrueshme dhe që kanë qenë në luftë pak vite më parë.

“Nuk është e lehtë të “shesësh” anëtarësime të reja për votuesit në Gjermani,” tha David McAllister, eurodeputeti gjerman nga Kristian Demokratët e Angela Merkel, i cili kryeson Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian.

“Por mund të fitohet ky debat, nëse jepen arsye konkrete përse kjo është e dobishme jo vetëm për vendin që bashkohet me BE, por edhe me BE-në në përgjithësi.”

Një tjetër problem i përbashkët në rajon është forca e krimit të organizuar dhe lidhjet e tij të ngushta me elitën politike, në të cilën korrupsioni është i përhapur.

“Krerët politikë janë tërësisht të korruptuar dhe kanë një tendecë për të mos marrë rrugën e BE-së”, tha Fredrik Wesslau, anëtare e lartë e politikës në Këshillin Evropian të Marrëdhënieve me Jashtë.

Wesslau tha se BE kishte “një problem masiv të kredibilitetit” në rajon, ku qytetarët e Ballkanit kanë ndjesinë se BE “nuk kujdeset aq shumë”.

Mbështetja për anëtarësimin në BE është e dobët në një numër të vendeve të Ballkanit Perëndimor – mbi të gjitha, ironikisht, në “kryesuesen e listës” Serbi, ku vetëm 26 për qind e njerëzve mendojnë se do të ishte një vendim i mirë, sipas sondazhit të fundit vjetor të Ballkanit.

Marrëdhënia mes vetë vendeve të rajonit është një tjetër pengesë në mes të rrugës për në BE.

Kështu Beogradi vazhdon ta konsiderojë një pjesë të territorit të Kosovës si krahinë të vetën, pavarësisht deklaratës së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Edhe Kosova përballet me probleme lidhur me statusin e saj ligjor. Pesë nga vendet anëtare të BE nuk e njohin Kosovën si një shtet të pavarur, duke e bërë të vështirë që ajo të pranohet nga BE si një kandidat për anëtarësim.

Të paktën në këto çëshjte, BE duket e vendosur të mos bëjë lëshime.

“Ne kemi mësuar mësimin tonë”, tha Hahn, duke iu referuar një mosmarrëveshjeje të pazgjidhur midis Sllovenisë dhe Kroacisë, që vazhdon ende edhe pse të dy vendet tani janë anëtarë të BE. “Ne sot jemi absolutisht të qartë se konfliktet e kufirit duhet të zgjidhen përpara pranimit në BE”.


Ky artikull u botua më parë në Politico.eu dhe u përkthye nga Exit.al.

Lajme te ngjashme