Ministri i Brendshëm francez në Tiranë. A do bjerë viktimë e propagandës si parardhësi i tij?

Ministri i Brendshëm francez në Tiranë. A do bjerë viktimë e propagandës si parardhësi i tij?

Ministri i Brendshëm i Francës, Gerard Collomb ka mbërritur sot në Tiranë për një vizitë dy ditore, me qëllim ushtrimin e trysnisë ndaj qeverisë shqiptare për të kontrolluar gjendjen e rëndë të azilkërkuesve të paligjshëm të shqiptarëve në Francë. Një nga çështjet që do të diskutohet është nëse qeveria shqiptare do të pranojë propozimin për vendosjen e policëve franceze në pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, me qëllim rritjen e kontrollit ndaj emigrantëve të mundshëm në Francë.

Dyndja e azilkërkuesve shqiptarë në Francë, përfshi ata që synim përfundimtar kanë Mbretërinë e Bashkuar është një nga problemet, është një nga problemet kryesore me të cilin po përballohet Franca.

Siç raportonte para pak muajsh gazeta francez Le Figaro, shqiptarët janë në vend të parë për numrin e azilkërkuesve në Francë. Çështja më shqetësuese është numri i lartë i fëmijëve të mitur që kërkojnë azil, kthimi i të cilëve në Shqipëri është më i vështirë se ai i të rriturve, duke i detyruar autoritetet franceze të ofrojnë asistencë dhe përkujdesje për ta.

Çështje e emigracionit shqiptar është të paktën prej dy vjetësh çështja kryesore në marrëdhëniet e Shqipërisë me Francën.

Për këtë çështje, në korrik 2017, u thirr urgjent në Francë Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, edhe pse do ishte normale që të pritej qeveria e re para se të bëhej një vizitë e tillë. Nën trysninë franceze, gjatë kësaj vizite Bushati i paraqiti qeverisë franceze një plan shqiptar për të ndaluar emigracion e paligjshëm drejt Francës brenda një periudhe tre-mujore.

Pas takimit me Bushatin, Ministri i Brendshëm francez njoftoi se ai do të vizitonte vetë Shqipërinë pas tre muajsh për të diskutuar rezultatet e planit shqiptar dhe për të diskutuar masat që duhet të merreshin në të ardhmen.

Bushati shoqërohej në Francë edhe nga Fatmir Xhafaj, në atë kohë vetëm deputet, çfarë u konsiderua si sinjal se ai do të rimerrte postin e Ministrit të Brendshëm në qeverinë Rama 2.

Ministri i Brendshëm francez u takua para tre javësh në Paris me Ministrin Fatmir Xhafaj, gjatë vizitës së këtij të fundit në panairin Milipol Paris 2017, ku ekspozohen teknologjitë e reja në fushën e sigurisë dhe policisë.

Zoti Xhafaj u përpoq ta shiste këtë takim si vizitë zyrtare në Francë dhe bisedën e tij me homologun francez si një demonstrim i kënaqësisë së Francës me arritjet e Shqipërisë. Madje ai bëri hapin e pazakontë që në llogarinë e tij në Twitter postoi deklarata të supozuara të ministrit francez edhe pse ky i fundit nuk bëri asnjë postim apo pohim për takimin.

Vizita e Collombos në Shqipëri është vizita e tretë e një ministri të brendshëm francez në Tiranë në tre vitet e fundit, çfarë dëshmon shqetësimin gjithmonë në rritje të Francës për emigracionin dhe kriminalitetin shqiptar.

Në korrik 2014, Shqipërinë e vizitoi Ministri i Brendshëm i atëhershëm Bernard Cazeneuve, në një mision të përbashkët në Tiranë me homologon gjerman Tomas de Maziere. Ata i kërkuan qeverisë të forcojë përpjekjet kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm.

Ndërsa dhjetë muaj më parë, më 28 shkurt 2017, Shqipërinë e vizitoi Ministri i rradhës i Brendshëm i Francës Bruno le Roux, për të diskutuar sërish për çështjen e emigracionit dhe të krimit të organizuar shqiptar, dy javë para largimit të Saimir Tahirit nga qeveria.

Duket se Bruno le Roux ra viktimë dhe u bë pjesë e shfaqjes propagandistike të qeverisë shqiptare dhe Saimir Tahirit. Prandaj, kjo vizitë duket sot qesharake nëse kujtohet se Ministri Francez, mbeti me aq shumë mbresa nga Saimir Tahiri dhe puna e tij, sa u shpreh se Franca duhet të mësonte nga Saimir Tahiri dhe policia shqiptare:

“Pata rastin, nën shoqërinë e homologut, të vizitoj gjithë Sallën Operative ku është instaluar një teknologji shumë e lartë. Natyrisht Shqipëria ka shumë gjëra për të mësuar nga Franca, por sot pashë që edhe ne ndoshta kemi gjëra për të mësuar nga ju.”

Është e qartë se ajo vizitë ishte një dështim i plotë pasi, pavarësisht retorikës dhe propagandës qeveritare, Shqipëria mbetet një shqetësim serioz për Francën për shkak të emigracionit dhe krimit të organizuar.

Të njejtin shqetësim kanë shprehur kohët e fundit edhe një sërë vendesh evropiano-perëndimore përfshi Hollandën, Belgjikën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

https://twitter.com/FatmirXhafaj/status/932974543030890496

Lajme te ngjashme