Mungesa e patolerueshme e sinqeritetit të Ambasadorit Lu

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Mungesa e patolerueshme e sinqeritetit të Ambasadorit Lu

Në një deklaratë publike, pas zgjedhjes së Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku, votimi për të cilën u shoqërua me protesta të dhunshme jashtë ndërtesës së parlamentit dhe me shashka tymuese brenda tij, ambasadori i SHBA-ve Donald Lu dënon dhunën dhe shprehet se rezistenca e opozitës kundër zgjedhjes së Markut tregoi se ata janë “të frikësuar” nga reforma në drejtësi.

“Populli shqiptar nuk duhet të habitet që politikanët e tyre po luftojnë njëri-tjetrin. Kjo do të thotë se reforma në drejtësi më në fund po zbatohet. Komisionet e Vetingut do të kenë së shpejti rezultatet e tyre të para. Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur. Së shpejti, do të shohim krijimin e SPAK-ut dhe BKH-së, të cilat do hetojnë dhe ndjekin penalisht zyrtarë të korruptuar të nivelit të lartë. Qytetarët shqiptarë presin me padurim për drejtësi. Dhe politikanët kanë frikë.”

Kjo pjesë e deklaratës është ose rezultat i një naiviteti të thellë të ambasadorit amerikan, ose—me shumë gjasa—një tregues i mungesës së thellë të sinqeritetit dhe keqinformimit të qëllimshëm të opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar nga ana e ambasadorit.

Para së gjithash, Lu shprehet se brenda dhe jashtë parlamentit “politikanët po luftojnë njëri-tjetrin.” Në fakt, askush nuk pretendon apo beson se deputetët e parlamentit shqiptar janë kalorës deri në vetëmohim të sundimit të ligjit dhe kushtetueshmërisë, por është keqinterpretim të thuash se konflikti në fjalë nuk ka asgjë thelbësore.

Çështja është tek kushtetueshmëria e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, një çështje që nuk duhet të merret lehtë, pasi ajo ndikon në besueshmërinë e prokurorisë dhe, në përgjithësi, në sundimin e ligjit.

Në një artikull tjetër kemi diskutuar tashmë kompleksitetin ligjor të çështjes, si dhe rolin e dyshimtë që kanë luajtur në të misionet ligjore ndërkombëtare, kështu që nuk do të përsëris të njëjtat argumente këtu. Megjithatë, situata e tanishme mund të jetë çdo gjë përveçse një luftë e pakuptimtë politike.

Së dyti, Lu thotë se këto luftime janë një shenjë se “reforma në drejtësi më në fund po zbatohet”. Nuk mbaj mend që në ndonjë nga raportet ndërkombëtare mbi reformën të flitej se përplasjet e dhunshme në parlament janë një nga treguesit e suksesit të reformës.

Ajo që unë kujtoj nga Kushtetuta është se Prokurori i Përgjithshëm duhet të verifikohet para se të zgjidhet dhe as Arta Marku dhe as ndonjë nga kandidatët e tjerë nuk e kanë kaluar procesin e vetingut. Në fakt, zgjedhja e saj është rezultat i mos zbatimit të reformës në drejtësi. Sikur reforma të ishte zbatuar, zgjedhjen e prokurorit do ta bënte Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe jo një komision parlamentar i kryesuar nga Ulsi Manja, ish-shefi i Arta Markut, prokurores të sapo zgjedhur.

Së treti, Lu pretendon se “Komisionet e Verifikimit së shpejti do të kenë rezultatet e tyre të para.” Është plotësisht e paqartë se çfarë do të jenë këto rezultate. Pak kohë më parë, shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Mbikëqyrjes Genoveva Ruiz Calavera tha se ajo “ishte e bindur se shumë gjyqtarë dhe prokurorë do ta kalojnë vetingun pa vështirësi”, duke nënkuptuar se një pjesë e konsiderueshme e prokurorëve dhe gjyqtarëve aktualë do të mbeten në postet e tyre. Nuk ka asnjë në Shqipëri që beson se pjesa më e madhe e prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk është e korruptuar, kështu që nëse Ruiz Calavera ka të drejtë, atëherë vetingu do të jetë një dështim në sytë e publikut. Pa të paktën, të themi, 80 për qind të gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar nga sistemi, askush nuk do të besojë se gjykatat janë të lira nga korrupsioni dhe askush nuk do të besojë se drejtësia po “reformohet”.

Për më tepër, siç raportoi Reporter.al pak kohë më parë, institucionet e verifikimit janë tërësisht të mangët në aspektin e transparencës, pa zyrë shtypi dhe pa publikimin e datave apo informacioneve të seancave, që duhet të jenë publike. Pra, nuk ka transparencë të procesit të verifikimit, gjë e cila do të dobësojë “rezultatet” e tij.

Së katërti, Lu pretendon se ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla që “refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur”. Përveç faktit se nën drejtimin e Llallës, ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është ndjekur penalisht për korrupsion dhe krimin e organizuar—një “peshk i madh” për të cilin Lu nuk ka bërë asnjë deklaratë—nuk ka asnjë garanci se Arta Marku tani do të ndjekë penalisht politikanët. Kujtojmë se karriera e Markut është udhëhequr nga kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore Ulsi Manja, dhe nuk ka asnjë arsye për të menduar se ajo do të jetë “e pavarur” nga politika.

Ky është një mashtrim i rrezikshëm për një diplomat të huaj.

Së pesti, Lu deklaron gjithashtu se “Së shpejti do të shohim krijimin e SPAK-ut dhe BKH-së të cilat do hetojnë dhe ndjekin penalisht zyrtarë të korruptuar të nivelit të lartë.” Përsëri, Lu ka pak informacion mbi ligjin shqiptar apo praktikat e reformës gjyqësore.

Sipas Ligjit 95/2016 Neni 4, SPAK-u emërohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), i cili duhej të ishte formuar në shkurt të vitit 2017. Vonesa jokushtetuese në formimin e KLP-së, që thuhet se u shkaktua nga mungesa e një kandidati nga shoqëria civile, bëri të mundur zgjedhjen e Arta Markut, sot. Ajo nuk do të ketë asnjë ndikim në formimin e SPAK-ut apo BKH-së. Nëse mund të ketë ndonjë ndikim, zgjedhja e Markut ndoshta e ka komplikuar më tej krijimin e KLP-së si rezultat i çarjes së plotë të parlamentit që kjo zgjedhje shkaktoi.

“Politikanët” që “kanë frikë” mund të jenë pjesë e opozitës, por ata janë edhe në qeveri. Dhe kjo frikë i ka bërë që të vonojnë ngritjen e KLP-së, dhe si rezultat zgjedhjen e një Prokurori të Përgjithshëm të ligjshëm, formimin e SPAK-ut, BKH-së dhe disa institucioneve të tjera. Qeveria ka njollosur Kushtetutën dhe Donald Lu e ka ndihmuar atë ta bëjë këtë gjë.

Unë, po ashtu, mezi po pres për drejtësi dhe sundim të ligjit. Dhe jam veçanërisht i paduruar për ditën kur burokratëve të pazgjedhur ndërkombëtarë, të cilët kanë arrogancën e atleteve të Ramës dhe inteligjencën e hidrocentraleve që ngrihen në Valbonë, do t’u jepet një biletë trageti vetëm vajtje për në Bari.

Lajme te ngjashme