Shqipëria është e ardhmja e Evropës

Nga Vincent Van Gerven Oei
Shqipëria është e ardhmja e Evropës

Në dokumentarin e Adam Curtis, Bitter Lake, narratori (vetë Curtis) flet për idealet që i çuan si sovjetikët ahstu edhe, më vonë, amerikanët në Afganistan: krijimin e një shteti sipas parimeve dhe ideologjive përkatëse të tyre, për të krijuar një aleat në rajon, për ta ndryshuar vendit sipas pëlqimit të tyre.

Por, në fund të dokumentarit Curtis shprehet me ironi se atyre nuk i kishte shkuar kurrë në mendje se, peërkundrazi, ishte Afganistani ai që do t’i ndryshonte ata. As sovjetikët dhe as amerikanët nuk mund ta mendonin se do të përfundonin të sillnin në vendet e tyre dukuritë të cilat ata u përpoqën t’i luftonin në Afganistan: korrupsionin, nepotizmin dhe të tjera ngjashme.

***

Kam jetuar në Shqipëri për shtatë vjet. Kam parë ambasadorë dhe përfaqësues të huaj të vijnë e të shkojnë. Dhe të gjithë kanë të njëjtin ideal (ose të paktën kështu thonë): ta bëjnë Shqipërinë një vend më të mirë. Ose më saktë, ta bëjnë Shqipërinë sa më të ngjashëm me vendin nga ata vijnë: Perëndimin. Prania e tyre do ta ndryshojē Shqipërinë, do ta stabilizojë Shqipërinë.

Qeveria e Edi Ramës u ka shërbyer me shumë dëshirë dhe zgjuarsi kënaqjes së ndjenjës së vetë-rëndësisë së këtyre përfaqësuesve të huaj, të cilët, në shumicën e rasteve, nuk janë as më të zotët në profesionin e tyre. Në fund të fundit, kush diplomat i rëndësishëm do të emërohej në një vend relativisht të parëndësishëm evropian si Shqipëria?

Por, Rama adoptoi gjuhën e tyre dhe i bëri ata të ndjejnë sikur ai ishte një prej tyre. Ai do të “bënte” shtet, do të ftonte FMN-në dhe Bankën Botërore të kontribonin në Shqipëri, do të reformonte policinë, do të reformointe sistemin e drejtësisë, e kështu me radhë. Ai e mbështolli veten me pëlhurat e Iluminizmit Evropian—të kulturës kozmopolitane, artit bashkëkohor, shijes fine.

Por gati pesë vjet më pas, vështirë se ka ndryshuar ndonjë gjë në Shqipëri. Çfarë ka ndryshuar, sidoqoftë, është Perëndimi dhe në veçanti Bashkimi Evropian. Brenda pak kohe, perëndimi ka përqafuar (përsëri) diskurset nacionaliste dhe populiste, të cilat do të ishin të paimagjinueshme, njëzet vjet më parë, në shoqëritë liberale, të pasura dhe shumëkulturore nga ku ato po vërshojnë sot. Ndërkohë, BE ka përjetuar ndarjen të një vendi anëtar, dukuri që në vitet 1990 dukej se ishte e rezervuar vetëm për Ballkanin.

Në asnjë drejtim Shqipëria nuk është bërë më shumë si BE, gjatë dekadës sē fundit. Në të kundërt, unë dua të argumentoj se BE u bë më shumë si Shqipëria. Kjo është arsyeja pse shpesh miqve kuriozë për vendin ku unë jetoj u them se: Shqipëria është e ardhmja e Evropës.

***

Do të përpiqem ta shpjegoj çfarë dua të them kur shprehem se Shqipëria është e ardhmja e Evropës. Por, për ta bërë këtë, duhet që ta trajtojmë çështjen nga këndvështrimi ekonomik dhe në mënyrë të veçantë nisur nga perspektiva e artikuluar nga sociologu ekonomik Wolfgang Streeck në artikullin e tij Ngritja e Shtetit Konsolidues Europian. Në fakt, ishte pikërisht kjo perspektivë e veçantë që më nxiti të shkruaja këtë reflektim.

Artikulli përshkruan zhvillimin e politikave fiskale, të tilla si politikat e uljes së shpenzimeve dhe zvogēlimi i taksueshmërisë, dhe varësinë në rritje të shtet-kombeve tek “investitorët” shumëkombësh për ofrimin e shërbime që dikur ishin  publike, të gjitha këto nën titullin “shteti konsolidues”.

“Një shtet i formuar konsolidues është një shtet që ka arritur të institucionalizojë një angazhim politik dhe ka ndërtuar një kapacitet politik për të mos dështuar kurrë në pagesën e borxhit të, duke reflektuar kështu një vendosmëri të pa kompromis për t’i vendosur detyrimet ndaj kreditorëve mbi çdo detyrim tjetër. Ai ka një konfigurim të përgjithshëm forcash politike të atillë që e bën të vështirë rritjen e shpenzimeve, ndërsa që i bën të lehta shkurtimet e shpenzimeve për çdo gjë, përveçse për larjen e borxhit […]

Në një shtet konsolidues, qytetarët humbasin në favor të investitorëve, të drejtat e nënshtetësisë i nënshtrohen pretendimeve të kontratave tregtare, votuesit renditen më poshtë se kreditorët, rezultatet e zgjedhjeve janë më pak të rëndësishme se rezultatet e ankandeve të letrave me vlerë, çështjet e opinionit janë më pak të rëndësishme se normat e interesit dhe besnikëria qytetare më pak se besimi i investitorëve, dhe shërbimi ndaj borxhit triumfon mbi shërbimet publike.”

Ky përshkrim në vetvete është tashmë përshkrim shumë i përshtatshëm i zhvillimit të Shqipërisë  nën qeverisjen Rama që nga viti 2013. Qeveria, në shumë raste, ka theksuar se nuk do të marrë më shumë borxh publik dhe këmbëngul se do t’i “paguajë” të gjitha borxhet.

Ndërkohë, është e qartë edhe për vëzhguesit më të rastësishëm se qytetarët shqiptarë janë krejtësisht të pafuqishëm ndaj “investitorëve” kombëtare dhe ndërkombëtarë, të cilët janë të “mbrojtur” me ligje të bëra me porosi siç është Ligji për Investimet Strategjike.

Prona private shpronësohet rregullisht në favor të këtyre investimeve private, ndërsa raportet për rritjen ekonomike, të paanshme apo jo, përdoren për të mohuar faktin se në Shqipëri ka shumë varfëri dhe vështirësi ekonomike. “Ka punë, por nuk ka profesionistë”, ishte një nga parullat e preferuar të Ramës.

Me uljen e taksyeshmërisë, nga dëshira për të mos trembur investitorët potencialë, shteti konsolidues detyrohet të shkurtojë gjithnjë e më shumeë një pjesë të aparatit qeveritar për të shkurtuar  shpenzimet dhe për të frenuar huamarrjen e parave në tregun ndërkombëtar.

 “Rezultati është një eksperiment politik i shkallës së gjerë, i cili ia kalon sipërmarrjes private sigurimin e rreziqeve sociale, sigurimin e mirëqenies, arsimin dhe shëndetin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës dhe madje edhe pjesë të vetë qeverisë (zhvillimin e luftrave, mbledhjen e inteligjencës).”

Kjo nga ana e saj çon në një sërë pasojash:

  1. Balancimi i buxhetit do të thotë se një pjesë gjithnjë e më e madhe e buxhetit do të “mbulojë shpenzime relativisht të ngurta, të përcaktuara ligjërisht, si p.sh. pagat për punonjësit e sektorit publik, pensionet dhe sigurisht shlyerjen e borxhit“. Investimet publike në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, politikat e punësimit do të zvogëlohen vazhdimisht.
  2. Këto investime publike do të financohen gjithnjë e më shumë përmes partneriteteve publike-private (PPP), “me investime private të mbështetura nga publiku, dhe qeveritë ose qytetarët që paguajnë tarifa për përdorim e shërbimit tek firma private”.
  3. Zvogëlimi i shërbimeve, të tilla si arsimi,do të detyrojë klasën e mesme të shikojë alternativat private, duke i detyruar qeveritë “t’u lejojnë firmave private të konkurojnë me autoritetet publike” .
  4. Privatizimi i investimeve do të çojë në fuqizimin e kompanive private përballë qeverisë: “Lidhjet që zhvillohen mes firmave të reja dhe qeverisë, që shpesh marrin formën e shkembimit të personlit sikurse përmes një dere rrotulluese, dhe kontributet e tyre në fushatat elektorale do ta çimentojnë më tej kalimin nga një shtet rishpërndarës drejt një shteti neoliberal i cili braktis, duke ja lënë shoqërisë civile dhe tregut, përgjegjësinë e tij për të mundësuar barazi shoqërore dhe harmoni shoqërore.”

Megjithëse këto janë vazhdat që Streeck nxjerr në pah për vendet e BE-së, është e jashtëzakonshme se si pasojat e lart përmendura të shtetit konsolidues tashmë janë bërë elementi kryesor, i përditshëm, i politikës shqiptare.

Pavarësisht, të kredencialeve të ashtuquajtura “socialiste” të qeverisë Rama, investimet publike në infrastrukturë, arsim dhe shëndetësi nuk kanë parë ndonjë përmirësim krahasuar me ish-qeverinë e ashtuquajtur “të djathtë” të Berishës. Ajo që kemi parë është një shpërthim i PPP-ve në të gjitha fushat, duke filluar nga veprat ndërtimore, projektet infrastrukturore, arsimi dhe kujdesi shëndetësor.

Në fushën e arsimit, në veçanti, Ligji i ri për Arsimin e Lartë i ka përplasur universitetet publike përkundër universiteteve private në një betejë për përfitimin e subvencioneve të pakta të qeverisë, duke çuar në rritjen e kostove të arsimit publik.

E në fund, dera rrotulluese mes kompanive private dhe qeverisë shqiptare ka qenë gjithnjë një derë e gjërë, e hapur. Nuk ka qenë kurrë sekret se deputetët, ministrat, kryetarët e komunave dhe zyrtarët e tjerë publikë kanë përfituar privatisht nga postet e tyre qeveritare. Edhe më keq, nuk ka qenë asnjëherë sekret se për shkak të aksesit të ulët në tregjet ndërkombëtare të huamarrjes, paratë e pista të siguruara nga krimi i organizuar ishin një mundësi interesante për ata që ishin në pushtet, ndërsa nga ana tjetër, për kriminelët pastrimi i parave përmes investimeve në zhvillimin e pronave të patundura të miratuara nga qeveria, ishte një opsion po aq fitimprurës.

Për shkak se qeveria po menaxhon gjithnjë e më pak shoqërinë, parlamenti vazhdimisht humbet rëndësinë e tij. Sa i përket shoqërisë civile, mund të citojmë më së miri kryeministrin: “Më tregoni këtë shoqëri civile që t’i çoj lule tek varri i saj”.

Tërheqja e shtetit nga gjitha këto fronte nuk do të thotë se po tërhiqet plotësisht nga shoqëria. Në fakt, disa aspekte të shtetit janë forcuar. Për shembull, forcimi i forcave policore dhe rithemelimi i tyre (qoftë edhe përmes shfaqjes sipërfaqësore) si burim i autoritetit mbi territorin shqiptar ka qenë një nga qëllimet kryesore të qeverisë së Ramës.

Kjo në të vërtetë nuk është për t’u habitur; në momentin kur shteti nuk ka asgjë për t’u “ofruar” qytetarëve të saj, në momentin kur të gjitha shërbimet publike i janë dhënë me “partneritet” privatit, pse duhet që dikush ta dëgjojë qeverinë? Përgjigjja e shtetit ndaj këtij problemi është forcimi i aparatit të tij të represionit, policisë.

Askund nuk është më e dukshm e kjo dukuri se sa në sulmet që policia bashkiake organizon për të larguar shitësit e rrugëve nën pretekstin e “evazionit fiskal”, ndërsa “investitorët strategjikë” përjashtohen nga taksat dhe marrin toka publike (ose të shpronësuara) falas.

E në fund, është roli i BE-së (dhe në një masë më të vogël i FMN-së dhe Bankës Botërore) në Shqipëri. Për pjesën më të madhe, nëse jo për të gjithë, procesi i pranimit në BE dhe harmonizimi i kuadrit ligjor shqiptar me acquis communautaire të BE-së janë negociuar midis qeverisë dhe zyrtarëve të emëruar të BE-së. Kjo zvogëlon më tej funksionin mbikëqyrës të parlamentit.

Këtu përsëri Shqipëria përbën një shembull ekstrem në krahasim me vendet e BE-së. Megjithëse për shtetet anëtare të BE-së pjesa më e madhe e kornizës ligjore vendoset në Bruksel, traditat kombëtare parlamentare ende janë në gjendje të mbajnë (megjithëse me vështirësi) debatin demokratik dhe funksionin e tyre përfaqësues. Shembuj të tillë si kriza greke, na tregojnë se edhe sovraniteti i anëtarëve të BE-së mund të flijohet lehtësisht nga një “trojkë” zyrtarësh të pazgjedhur pa ndonjë mandat popullor.

Si rezultat, BE-ja bëhet një arenë për luftë të ndërsjellë midis forcave politike kombëtare. Kjo nuk është askund më e qartë se në mënyrën se si qeveria shqiptare dhe opozita kanë mobilizuar zyrtarët e BE-së në luftën e tyre lokale.

***

Pra, pse e quaja Shqipërinë e ardhmja e Evropës?

Sepse, miqtë e mi nga BE-ja—po, jam duke folur me ju—për atje jeni drejtuar.

Me nivelet gjithnjë në rënie të taksimit, me vështirësi gjithnjë në rritje për të marrë borxh, me delegimin gjithnjë e më shumë të pushtetit politik tek zyrtarë të pazgjedhur në institucione jashtë kontrollit demokratik, të gjitha vendet e BE-së, herët a vonë, do të priren drejt modelit shqiptar të përshkruar më sipër. Modeli i një shteti pa pilot, që u dorëzon forcave të burokratëve të pazgjedhur ndërkombëtarë dhe korporatave shumëkombëshe zbatimin e ligjeve që nuk i kupton, duke dhënë atë çfarë nuk zotëron.

Natyrisht, do të ketë ndryshime të bazuara në veçanti lokale dhe në konfigurime të veçanta politike dhe ekonomike. Sigurisht që disa vende do të jenë më mirë se të tjerët. Por, në përgjithësi, e ardhmja e sistemit tonë politik dhe ekonomik është tashmë këtu. Ajo quhet Shqipëri.

Lajme te ngjashme