Si i mban të varura shpresat e Ramës dhe Zaevit, Presidenti Juncker

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Si i mban të varura shpresat e Ramës dhe Zaevit, Presidenti Juncker

Këtë javë drejtuesit më të larte të Komisionit Europian kanë pritur në Bruksel Kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë. Deklaratat e funksionarëve të BE-së për dy vendet janë shumë të ngjashme, aq sa mund t’i ndërrosh vendin me njëra-tjetrën e prapë të mos kuptohet se kujt vendi i referohen.

Në konferencën për shtyp me Kryeministrin Rama, Mogherini foli për “punë të jashtëzakonshme […] që mund të hapë rrugën për hapa të mëtejshëm drejt procesit të integrimit në Bashkimin Evropian”.

Njësoj edhe në konferencën e përbashkët me Kryeministrin Zaev, Mogherini përsëriti të njëjtat fraza të panevojshme: “Progresi i Republikës së Maqedonisë është i dukshëm dhe kjo është një shenjë e mirë e progresit të vendit në rrugën e integrimit evropian “.

Në fund të takimit, Zaev dhe Rama morën nga një të rrahur në shpatulla dhe paketuan për në shtëpi nga një qese me retorikë boshe që mund ta “ngrohin në mikrovalë” dhe t’ja servirin qytetarëve të tyre. Asnjë premtim konkret nuk ju bë dy liderëve.

Kryeministri Rama u përpoq për të disatën herë të fitonte pak terren duke folur për “mundësitë” e afrimit me Rusinë apo Kinën, por deri më tani askush në Shqipëri apo jashtë saj nuk i ka marrë seriozisht këto deklarata nostalgjike.

Por, Juncker dhe drejtuesit e tjerë të komisionit evropian mendojnë se ritmet e ndryshme të anëtarësimit të vendeve ballkanase në BE mund të prishin paqen e viteve të fundit në Ballkanin Perëndimor.

Një dredhi e kohëve të fundit për të kompensuar këto ndryshime ishte propozimi i BE-së për të formuar Zonën Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, e cila do të bashkojë disi fatet ekonomike të 6 vendeve fqinje. Megjithatë, siç ndodh gjithmonë, realiteti politik është shumë i ndryshëm nga ai ekonomik.

Në fjalimin e tij përpara deputetëve të Parlamentit Evropian në Strazburg më 13 shtator, Presidenti Juncker tha se për të ruajtur “stabilitetin tonë [BE], duhet të kemi edhe një perspektivë të besueshme të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor.” Fjala “e besueshme” është sigurisht fjalë kyçe, sepse për disa vende kjo perspektivë është më e besueshme sesa për të tjerat.

Udhërrëfyesi për një BE më të bashkuar, më të fortë dhe më demokratike që Juncker paraqiti së bashku me fjalimin e tij thuhet qartë se shkurti 2018 do të jetë momenti kur do të formulohet Strategjia e Komisionit për aderimin me sukses në BE të Serbisë dhe Malit të Zi si kandidatët pararojë të Ballkanit Perëndimor, me perspektivën e anëtarësimit të plotë të tyre në vitin 2025. Asnjë vend tjetër i Ballkanit Perëndimor nuk është përmendur në këtë dokument.

Ky lajm duhet të ketë qenë një ilaç i hidhur për t’u gëlltitur nga Tirana dhe Shkupi, por njëkohësisht ai vazhdon ta përndjekë Junckerin. Në konferencën e tij për shtyp me Kryeministrin Rama këtë javë, Juncker iu përgjigj në mënyrë agresive një pyetjeje në lidhje me pranimin e mënjëhershëm të Serbisë dhe Malit të Zi:

 “Në fjalimin tim nuk e përmenda Serbinë dhe Malin e Zi … Ok? Pra, mos thoni që unë thashë se Serbia dhe Mali i Zi janë afër momentit për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Pata një bisedë me një nga ikësit. Sot pata një diskutim miqësor e të sjellshëm dhe të angazhuar me dikë që dëshiron të bashkohet me BE. Unë dua që Shqipëria të futet në BE një ditë dhe kjo është arsyeja pse mendoj se jemi afër pikes ku mund t’i rekomandoj Këshillit hapjen e negociatave.”

Është e vërtetë që Juncker nuk e përmendi Serbinë dhe Malin e Zi në fjalimin e tij, por ato janë qartësisht pjesë e të gjitha dokumenteve dhe udhërrëfyesit të publikuar nga Komisioni Europian. Duhet ritheksuar: asgjë prej tyre nuk është ndonjë fakt që duhet të na habisë. Në fund të fundit, Serbia dhe Mali i Zi tashmë i kanë filluar me kohë negociatat dhe po përparojnë me to.

Ndaj nëse nuk do të ketë ndonjë ndryshim rrënjësor i paparashikuar në politikën rajonale, këto dy vende do të hyjnë në BE përpara Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Prandaj realiteti politik do të jetë ky: Mali i Zi dhe Serbia si anëtarë të BE-së do të kenë të drejtën të vendosin ose jo veton për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE kur t’u vijë rradha, dhe për rrjedhojë ato do kenë pushtet mbi të dyja vendet.

Të paktën në periudhën midis pranimit të tyre dhe tonit në BE, periudhë që mund të zgjasë me vite, në mos dekada, ato do ta përfaqësojnë BE-në, po aq sa Belgjika, Polonia apo Malta sot. Dhe ndarja e Ballkanit Perëndimor, disa në BE pas vitit 2025, e disa jashtë BE-së rrezikon të sjellë përsëri traumat e së kaluarës.

Këto ndjenja të shtypura të pabarazisë, ndarjes dhe inferioritetit aktualisht janë injoruar publikisht nga eurokratët e udhëhequr nga Juncker. Nëse ato nuk trajtohen në kohën e duhur mund të mbartin rrezik për stabilitetin e rajoneve në të ardhmen.

Lajme te ngjashme