Aeroporti i Vlorës mund të ndërtohet në zonë të mbrojtur, kundërshton Shoqata e Mjedisit

Aeroporti i Vlorës mund të ndërtohet në zonë të mbrojtur, kundërshton Shoqata e Mjedisit

Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri ka kundërshtuar sot vendimin e Qeverisë Rama për ndërtimin e aeroportit në Vlorë, në zonën Akërni, pjesë e zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë.

“Ndërtimi i një aeroporti të ri, është padyshim një lajm i përgëzueshëm dhe i mirëpritur për shumicën e publikut, megjithatë vendndodhja e propozuar e ndërtimit të këtij aeroporti është e papërshtatshëm dhe mjaft e dëmshme për natyrën dhe biodiversitetin e lartë të zonës”, shkruhet në deklaratën e Shoqatës.

Sipas përfaqësuesve të shoqatës, një ndërtim i tillë bie ndesh me ligjet dhe rregulloret për zonat e mbrojtura. Ndërtimi dhe menaxhimi i një infrastrukture të tillë në një zonë të mbrojtur do të shkatërrojë në mënyrë të pakthyeshme Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë.

Shoqata në mbrojtje të mjedisit i kërkon qeverisë të rikonsiderojë vendin për ndërtimin e aeroportit dhe i ofron asaj bashkëpunimin si teknik, ashtu dhe shkencor në vlerësimin e vendndodhjeve alternative që nuk dëmtojnë zonat e mbrojtura.

Lajmi për ndërtimin e një aeroporti në Vlorë u bë publik, papritur dje. Kryeministri Rama, përmes një postimi në Facebook, njoftoi se qeveria mori një “kërksesë zyrtare” për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Kryeministri gjithashtu njoftoi se punimet do të fillojë në qershor të këtij viti.

Lajme te ngjashme