Autoriteti i Konkurrencës kundër Bashkisë Tiranë: rritja e çmimit të ujit pa shpjegime ligjore dhe ekonomike

Vendimi i Bashkisë Tiranë për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm në gusht 2017, është marrë i pabazuar në studime ekonomike, argument ligjore dhe në mungesë të marrjes së vlerësimit paraprak nga Autoriteti i Konkurrencës.

Këto janë përfundimet kryesore të raportit vjetor të AK, në përfundim të kontrollit dhe vlerësimit të procedurës së ndjekur nga Bashkia Tirana dhe Entit Rregullator të Ujit (ERRU) për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm.

Raporti përfundimtar i AK thekson:

-Bazuar në relacionin shpjegues të ERRU për miratimin e tarifave të reja për vitin 2018, nuk gjejmë të detajuar strukturën e kostos mbi bazën e së cilës është miratuar tarifa

-Në faqen zyrtare të UKT, Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe ERRU në të cilat është publikuar Vendimi Nr. 47/2017 i ERRU mbi miratimin e tarifave për periudhën 01/01/2018 e në vazhdim, nuk gjenden bashkëlidhur relacioni me argumentet ekonomike dhe ligjore mbi të cilat është bazuar kjo vendimmarrje.

-Lidhur me këtë vendimmarrje nuk është marrë vlerësimi paraprak i Autoritetit të Konkurrencës, në zbatim të neneve 69 dhe 70 të ligjit Nr. 9121.

Në fund të raportit, Autoriteti i Konkurrencës i rekomandon institucioneve lidhur me këtë vendim se:

-Rritja e tarifave duhet të jetë graduale dhe në përputhje me kriteret e performancës, në mënyrë të veçantë të orarit të furnizimit me ujë.

-Gjatë procesit të marrjes së këtyre vendimeve duhet të ketë më tepër transprencë, analiza e studime dhe gjithnjë duhet kërkuar vlerësim ligjor nga Autoriteti i Konkurrencës për çdo projekt-akt normativ që potencialisht mund të sjellë kufizime të konkurrencës në tregun përkatës.

Në gusht 2017, gjatë një seance jo të ligjshme, Bashkia Tiranë  rriti çmimin e ujit të pijshëm nga 45 Lekë për metër kub në 65 Lekë për metër kubë, pra një rritje me rreth 44 për qind. Rritje pësoi dhe çmimi I ujit për klientët publikë e ato privatë: për klientët publikë çmimi u rrit nga 120 Lekë metër kub në 140 Lekë për metër kub (17 për qind) dhe për klientët privat, çmimi u rrit nga 135 Lekë për metër kub në 155 Lekë për metër kub (15 për qind).