Fillon ndërtimi i kullës 25 katëshe në qendër të Tiranës Burimi: Nisma Thurrje

Sot ka filluar prishja e këndit më të madh të lojërave në Tiranë, “7-Xhuxhat”, i cili ndodhet ngjitur me ETC-në në Rrugën e Elbasanit, për t’i lënë vend ndërtimit të një kulle 25 katëshe.

Nisma Thurrje ka publikuar në faqen e saj në Facebook foton e vendit të rrethuar me qindra policë.

Ndërtesa parashikohet të ndërtohet nga DT1 shpk, një kompani jo shumë e njohur në Shqipëri.

Këshilli Kombëtar i Territorit e mbajti këtë projekt të fshehtë duke mos publikuar në asnjë moment projektin e kullës.

Paradoksi i këtij zhvillimi është se propaganda zyrtare ka disa muaj që flet për përkushtimin e qeverisë dhe Bashkisë Tiranë për kënde lojrash për fëmijë nëpër lagjet e Tiranës: ndërkohë këndi më i madh i lojrave dhe i vetmi kënd lojrash në qytet tashmë është viktima e rradhës e babëzisë së pangopur të ndërtuesve dhe Kryeministrit Rama.

Kryeministri Rama e kishte inaguruar me shumë bujë në vitin 2001 rindërtimin e këndit të lojrave 7-Xhuxhat, kur ishte kryebashkiak i Tiranës.

Mania e Kryeministrit Rama për të ndërtuar kulla duket se nuk ndalet. Kjo kullë është vetëm njëra nga të paktën shtatë të tilla që kanë parashikuar të ndërtojnë në Tiranë Kryeministri Edi Rama dhe Kryebashkiaku Erion Veliaj.