Kosovë, Ç’po ndodh me Vetëvendosjen?

Kosovë, Ç’po ndodh me Vetëvendosjen?

Ditët e fundit kanë qenë majft të rrëmujshme për Lëvizjen Vetëvendosja në Kosovë: kryetari Visar Ymeri dha dorëheqjen, katër deputetë u dënuan me burgim, e nënkryetarët Dardan Sejdiu dhe Aida Dërguti dhanë po ashtu dorëheqjen.

Në zgjedhjet e 11 qershorit 2017, kur Vetëvendosja u rendit e para, si partia me përqindjen më të lartë të votave, ashkush nuk mendonte se gjashtë muaj më vonë, kjo lëvizje do të ishte në krizë, veçanërisht nga përplasjet e brendshme.

Prej disa muajsh tashmë, në media po qarkullonin zëra se brenda Vetëvedosjes ka dy grupime: nga njëra an ëish-kryetari dhe tani deputet Albin Kurti dhe në anën tjetër kryetari i sapodorëhequr Ymeri, deputetja Aida DËrguti etj.

Dorëheqja e Visar  Ymerit

Të martën, kreu i Vetëvendosjes që prej marsit 2015, Visar Ymeri dha dorëheqjen nga të gjitha pozitat e tij në parti.

Në konferencën për shtyp, Ymeri  e quajti dorëheqjen e tij “akt zhgënjimi”:

“Unë po jap dorëheqje, si akt zhgënjimi që nuk kam arritur që t’i ndalë linçimet dhe përbuzjet që kanë ndodhur kohëve të fundit brenda organizatës. Ka pasur një shpërfillje ndaj pozitës time dhe organeve tjera të lëvizjes. Shpresoj që dorëheqja ime të kuptohet si alarm, veçanërisht për ata që kanë qenë pjesë e linçimit.”

Vendimi i Ymerit për dorëheqje nuk ishte diskutuar më parë me strukturat e partisë.

Imer Mushkolaj, analist politik, shprehet se tashmë është e qartë që mes VV-së ka përçarje:

“Dorëheqja e Ymerit nga posti i kryetarit, definitivisht e ka vërtetuar se Lëvizja Vetëvendosje ka ndarje, ka çarje të mëdha përpara. Unë kam pritur që Ymeri do të japë dorëheqje. Gjithë ato që kanë ndodhur në Vetëvendosje, kanë çuar drejt këtij veprimi, dhe mendoj se ka bërë mirë që është tërhequr, për shkak se ai ka qenë veç formalisht në krye të partisë, ndërkohë që ne dimë se çfarë sulmesh dhe çfarë akuzash ka përjetuar nga përkrahësit e Kurtit.”

Dënimi për katër deputetët

Katër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj dhe Faton Topalli u shpallën dje fajtorë nga Gjykata Themelore për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, dy vite më parë.

Ata u dënuan në mungesë me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht për Albin Kurtin dhe Donika Kadajn, dhe me 1 vit e 2 muaj burg me kusht për Faton Topallin dhe Albulena Haxhiun.

Deputetët u paditën për hedhje të gazit lotsjellës në vitin 2016, në Kuvendin e Kosovës, si mënyrë për të bllokuar ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe ngritjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këto marrëveshje, të kundërshtuara nga VV, ishin produkt i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Vendimi i gjykatës për deputetët e VV-së u cilësua si vendim politik nga kryetari i sapodorëhequr Visa Ymeri:

“Ky gjykim me këta gjyqtarë është mostra më kredibile që dëshmon diktatin politik ndaj sistemit gjyqësor. Albini, Albulena, Donika dhe Fatoni janë përfaqësues të popullit në emër të të cilit sot u dënuan. Aktgjykimi si i tillë është akti më hipokrit që ka prodhuar ndonjë institucion vendor deri më tani dhe si i tillë është mjeti i fundit i persekutimit të kundërshtarëve politik.”

Dorëheqja e nënkryetarëve Dërguti e Sejdiu

Aida Dërguti, nënkryetare e VV-së, dha dorëheqjen katër ditë më parë përmes një postimi në profilin e saj në Facebook.

“Po, brenda nesh ka dallime. Ky problem që në dukje të parë duket si inati personal, në fakt është dallim politik dhe ideologjik. Jo dallim karshi qëllimeve të shprehura në Program, por sidomos dallim karshi metodës. E dallimi në metodë është dallim politik pastaj. Nuk mund të arrish përmes rrugëve e metodave të ndryshme tek qëllimi i njëjtë. Metoda e fisnikëron ose e korrupton qëllimin”, shkruante Dërguti.

Sot, pas dy ditëve të ngarkuara, dha dorëheqjen e parevokueshme dhe nënkryetari Sejdiu.

Dardan Sejdiu, në letrën dërguar Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes theksoi se nuk do të garojë për asnjë post brenda VV-së në zgjedhjet e brendëshme, port ë vazhdojë aktivitetin e tij politik si deputet dhe anëtar i VV-së.

 

Lajme te ngjashme