Kryeministri Rama gjen fajtorët për rritjen e taksave dhe moshapjen e negociatave

Kryeministri Rama gjatë fjalës së sotme në Asamblenë Kombëtare të PS, ka gjetur dy “fajtorët” për dy prej çështjeve kryesore të vendit: rritjen e taksave dhe vonimin e hapjes së negociatave me BE-në.

Si rrallë herë, Edi Rama duket se sulmoi sot hapur veçanërisht Kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, që ishte i pranishëm dhe në sallë, për rritjen e taksave:

“Ne [qeveria qëndrore] i kemi ulur taksat, por këtu duhet të kemi një diskutim me bashkitë të cilat kanë përfituar nga kjo mundësi për të rritur taksat vendore”, u shpreh kryeministri, duke e hedhur fajin tek bashkitë për rëndimin e taksave në xhepat e qytetarëve.

Edhe pse pretendimi i kryeministrit Rama se bashkitë, e veçanërisht ajo e Tiranës kanë rritur ndjeshëm taksat, edhe qeveria qëndrore nuk ka ngelur prapa. Mjafton të kujtojmë taksën për të ardhurat personale që shkon deri në 23 për qind, kur gjatë qeverisë së djathtë ka qenë taksa fikse 10 për qind.

“Fajtori” tjetër, tashmë i përhershëm, është opozita, e cila sipas Kryeministrit Rama ka frikë nga reforma në drejtësi dhe po pengon me cdo kusht hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE.

“Po kërcënohet një arritje historike e Shqipërisë: çelja e negociatave [me BE-në]. Po kërcënohet nga frika prej reformës në drejtësi, e kthyer në një politike destruktive që ne si qeveri nuk ka çfarë na bën, por që Shqipërisë mund t’i sjellë një dëm të jashtëzakonshëm. S’mundet dot opozita të bëhet problemi i negociatave.”

Duket se Kryeministri Rama harron se kushti për hapjen e negocitave me BE-në është përparimi në të pestë prioritetet kyçe, kaq shumë të ritheksuara nga ndërkombëtarët, dhe jo vetëm në reformën në drejtësi e cila është vetëm një prej kushteve.

Po ashtu vlen të theksohet se ndërtimi i institucioneve të krijuara nga reforma në drejtësi, si në rastin e KLP u pengua për shumë kohë pikërisht nga maxhoranca qeverisëse.