Naftëtarët kundër propozimit të Ahmetaj, vazhdojnë protestat

Naftëtarët kundër propozimit të Ahmetaj, vazhdojnë protestat

Naftëtarët e Fierit dhe Ballshit kanë protestuar sërish sot përpara prefekturës së Fierit, dhe kanë paralajmëruar se protestat e tyre do të vazhdojnë në Tiranë.

Me 14 paga dhe sigurime shëndetësore të papaguara, e me kontrata të shkelura, naftëtarët shprehen se nuk do të ndalen deri sa të marrin zgjidhje përfundimtare për problemin e tyre.

Dy ditë më parë, Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj njoftoi se kompania IRTC, që shfrytëzuar për më shumë se një vit ARMO-n, ka shpallur falimentin, ndaj 1200 naftëtarët duhet të regjistrohen në zyrat e punës për të përfituar pagesat e papunësisë.

Kjo kërkesë e ministrit u kundërshtua njëzëri nga naftëtarët, pasi pagesa e panunësisë është 11 mijë lekë në muaj, për një periudhë një-vjeçare, ndërsa rrogat që naftëtarët kanë pa marrë llogariten në vlera shumë më të larta.

Naftëtarët e quajtën propozimin e qeverisë si qesharak dhe kërkojnë prej qeverisë të mbajë përgjegjësi për investitorët joseriozë që morën drejtimin e ARMO-s.

Sipas Televizionit Klan, kompania IRTC u largua nga Shqipëria duke lënë rreth 60 milionë dollarë borxhe në autoritetet fiskale në Shqipëri.

IRTC, në pronësi të Harry Sargeant III, mori rafinerinë në nëntor 2016 dhe u reklamua nga qeveria shqiptare si shpëtimtari i rafinerisë. Sidoqoftë, as kushtet e punës dhe as kushtet financiare për punëtorët nuk u përmirësuan në asnjë moment të menaxhimit të rafinerisë nga IRTC.

Edhe pse IRTC ka dështuar të paguajë pagat, siguracionet e punëtorëve të naftës dhe krijoi një borxh të lartë tek institucionet shiqptare, ajo ende arriti që në fillim të vitit 2017 të investonte 1.3 milionë euro në një kompani kanadeze të naftës, Pennine Petroleum, e cila kohët e fundit mori një koncesion nga qeveria shqiptare për të bërë shpime e gërmime për naftë.

Qeveria dhe ministritë përkatëse nuk kanë dhënë asnjë sqarim apo detaje për këtë kontratë. E vetmja deklaratë e Ministrit Ahmetaj ishte se “qeveria qëndron e angazhuar për të mbështetur çdo investitor serioz që do të vijë me një projekt serioz për zhvillimin e biznesit në rafineritë e Ballshit dhe Fierit.”

Lajme te ngjashme