613 kilogramë kokainë në Durrës, zbulohen detaje të reja

613 kilogramë kokainë në Durrës, zbulohen detaje të reja

613 kilogramë kokainë u kapën dje në portin e Durrësit, brenda një kamioni që transportonte banane. Kjo është sasia më e madhe e kokainës e kapur ndonjëherë në Shqipëri.

Droga ishte fshehur brenda kontejnerëve me banane që u transportuan nga Kolumbia për interes të kompanisë shqiptare Arbri Garden shpk. Kompania është nën pronësinë e Arbër Çekajt, i cili është shpallur në kërkim. Magazinat e kompanisë, që ndodhen në Maminas, po kontrollohen nga policia.

Deri më tani janë arrestuar katër persona, mes tyre dhe shoferi i kamionit. Ai ka mohuar të ketë pasur dijeni për sasinë e kokainës në kontejnerët e bananeve.

Sipas burimeve policisë, itinerari i sasisë së kokainës ishte Kolumbi-Maltë-Itali-Shqipëri. Droga ishte fshehur tek shasia e kamionit dhe nuk është zbuluar nga kontrolli në skaner, por pas dyshimeve të policisë i është bërë kontroll i imtësishëm me qentë anti-drogë.

Sipas OraNews, vizita e Prokurorit kombëtar i Antimafias dhe Antiterror Federico Cafiero De Raho, dy ditë më parë, kishte në qendër koordinimin e veprimeve për këtë rast.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj e përmendi bashkëpunimin me institucionet e huaja në deklaratën e tij:

“Një superaksion i Policisë së Shtetit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese vendase dhe të huaja. Goditje e fortë trafikut ndërkombëtar të drogës!”

Dyshohet se kokaina do të dërgohej për tu shitur në vendet evropiane.

Policia e Shtetit do të bëjë me dije të të tjera informacione gjatë orëve në vazhdim.

 

Lajme te ngjashme