Hashtag — Erion Veliaj sponsorizon 80 mijë dollarë për Këngën Magjike

Hashtag — Erion Veliaj sponsorizon  80 mijë dollarë për Këngën Magjike

Një shprehje hebreje thotë: ‘Vetëm djathi në çarkun e miut është falas’. Çarku ndonjëherë mund të jetë dhe festival, si për shembull ai i Këngës Magjike.

***

Rreth 22 orë më parë një e-mail nga Bashkia e Tiranës ka mbërritur në të gjithë listën e adresave të redaksive në Shqipëri. Përmbajtja e tij kishte të bënte me mbjelljen e pemëve nga kryebashkiaku Erion Veliaj nën shoqërinë e dy personazheve të njohur: Genti Sala i AMA-s dhe Ardit Gjebrea i të ‘Dielës Shqiptare’.

Shkruan stafi i Veliajt:

‘…kantautori e prezantuesi i dashur për publikun, Ardit Gjebrea, iu bashkuan aksionit të Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e 100 pemëve të reja pranë liqenit të Farkës, si pjesë e projektit të Pyllit Orbital.

“Ndoshta, jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por siç thoshte Nënë Tereza, mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Të jam shumë mirënjohës për faktin që, si në skenë, si jashtë skene, mbetesh një artist model dhe më vjen mirë që falë këtij shembulli, edhe shumë të tjerë, ata që të ndjekin, apo shumë prej qytetarëve që kërkojnë mesazhe pozitive, do na bashkohen me këtë nismë”, nënvizoi Veliaj.’

Vazhdon më tej stafi i Veliajt për Gjebrenë:

‘’Sa herë që kam udhëtuar me makinë për në Maqedoni, në Mal të Zi, në Greqi, po ta keni vënë re, gjithmonë është si e prerë me thikë: Pjesa jonë është pa pemë, pjesa e tyre është me pemë dhe ti ndjen një keqardhje e thua: Çfarë ka ndodhur? Por, gjithmonë e kam parë, e kam konstatuar, por asnjëherë nuk e kisha marrë lopatën për të dhënë një kontribut. Pra, nuk duhet vetëm të themi: Pse ne kështu? Por, merr lopatën dhe bëje”, tha Gjebrea.’

Gjebrea nuk është vetëm i së ‘Dielës Shqiptare’ por edhe i ‘Këngës Magjike’, festival që e realizon përvit, çdo dhjetor.

Edhe vitin që shkoi, kështu ndodhi. Gjebrea bëri të ditur për publikun se qe Bashkia e Tiranës që po e mbështeste Këngën Magjike. Por ekspozimi i Bashkisë së Tiranës nuk mbeti me një falenderim ‘të thatë’, ai ishte ‘qepur’, batuta pas batutash edhe për kreun e saj, kryebashkiakun.

Sipas të dhënave të marra nga ‘Spending Data’, Veliaj e ka paguar Gjebrenë 87 milionë lekë (rreth 80 mijë dollar) për festivalin ku doli në skenë dhe bëri ca biçim batutash.

Gjebrea e ka marrë pagesën nga kryebashkiaku hokatar në 6 shkurt të këtij viti nëpërmjet transaksionit me ‘Shoqatën Jon Music’.

Buxheti vjetor i Teatrit Kombëtar në Shqipëri është 100 mijë dollarë, ndërsa PR-i i bashkisë te Kënga Magjike kushtoi 80 mijë dollar./Hashtag.al


Ky artikull u publikua më parë tek Hashtag.al.

Lajme te ngjashme