Tjetër dhunim i Kushtetutës: Arta Marku dhe Fatmir Xhafaj krijojnë prokurori “private”

Tjetër dhunim i Kushtetutës: Arta Marku dhe Fatmir Xhafaj krijojnë prokurori “private” Betimi i Arta Markut, e sapo zgjedhur kryeprokurore e përkohshme

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku dhe Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj kanë firmosur sot një marrëveshje, e cila ka vendosur krijimin e seksioneve të posaçme për hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe prokurorive të rretheve. Marrëveshja parashikon që prokurorët e këtyre seksioneve të emërohen pas verifikimeve të kryera për ta nga DSIK, ILDKP dhe SHISH.

Por e gjithë kjo strukturë dhe mënyra e veshjes së saj me personel bie ndesh me përcaktimet e reformës në drejtësi. Kushtetuta e Shqipërisë ka parashikuar ngritjen e Prokurorisë së Posaçme kundër krimit dhe korrupsionit të quajtur SPAK, dhe njësisë së hetimeve nën varësinë e saj, të njohur ndryshe si Byroja e Hetimit. SPAK është krejtësisht e pavarur nga struktura të tjetra të Prokurorisë dhe nga Prokurori i Përgjithshëm. Drejtuesit dhe prokurorët e SPAK emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP).

Këto përcaktime kushtetuese, janë zbërthyer në Ligjin për Prokurorinë, i cili në nenin 4, përcakton se:

Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën […] kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar […]

Prokuroria e Posaçme i kryen funksionet e saj në mënyrë të pavarur, nëpërmjet prokurorëve të posaçëm, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në përputhje me këtë ligj.

E gjithë struktura e propozuar nga dyshja Marku-Xhafaj bie ndesh me këtë strukturë dhe do të krijojë problem serioze në hetimin e krimit dhe korrupsionit nëse kjo strukturë krijohet.

Por marrëveshja Marku-Xhafaj përbën një skandal të vërtetë për dy arsye të tjera. PPP Marku e ka të ndaluar të ndërmarrë ndryshime në strukturën e prokurorisë dhe të bëjë emërime prokurorësh, sikurse ne kemi shpjeguar këtu dhe këtu. Akoma më e rëndë është fakti që marrëveshja Marku-Xhafaj cënon rëndë pavarësinë e prokurorisë që ishte qëllimi kryesor i reformës në drejtësi dhe ndryshimeve Kushtetuese. Disa përcaktime të kësaj marrëveshje janë skandaloze si ai që prokurorët do të vendosen në mjediset e caktuara nga Ministria e Brendshme.

Ky zhvillim përforcon më tej përshtypjen se qeveria po vë nën konroll të plotë gjithë sistemin e prokurorisë pas emërimit anti-kushtetues të PPP Arta Marku, e zgjedhur dhe e votuar vetëm me votat e shumicës.

Lajme te ngjashme