Ministraj Gjonaj kundër Arta Markut: Ekstradimi i Seitit është i ligjshëm

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj deklaroi sot sërish se ekstradimi në Itali i Nezar Seitit, të vetmit anëtar të bandës Habilaj të arrestuar në Shqipëri, është i ligjshëm.

Ministrja Gjonaj u thirr sot në interpelancë nga opozita, PD e LSI, të cilët akuzuan ministren se ka shkelur ligjin për të larguar nga vendi të vetmin dëshmitar të lidhjes së Habilajve me ish-ministrin Tahiri.

Shpjegimet e Ministres Gjonaj nuk përmbanin asnjë argument ligjor. Ajo akuzoi opozitën se pas kësaj interpelance kishte motive politike dhe tha se Ministria e Drejtësisë ka ndjekur hapat e parashikuar në ligj për ekstradimin e Seitit.

Deklaratat e ministres Gjonaj për të mbrojtur me çdo kusht dhënien e lejes për esktradim, bien ndesh me deklaratat e Kryeprokurores së Përkohshme Arta Marku e cila e pranoi se esktradimi është bërë në shkelje të ligjit.

Disa nga deklaratat kryesore të Zonjës Gjonaj janë:

“Si ka mundësi që sulmoni pa pushim? Motivi politik ju ka yshtuar deri në shpifje ndaj Ministrisë së Drejtësisë dhe mua personalisht, motivi politik që ju ka bërë qesharak.

Ministria ka vepruar në bazë të akteve ligjore. Une kam bëre të njëjten gjë që kanë bërë edhe ministrat paraardhës.

Nuk egzistonte asnjë pengesë ligjore për të penguar ekstradimin e këtij personi [Nezar Seitit].

Ai atje[në Itali] nuk është për pushime, por ndodhet në qeli. I është dhënë masa “arrest me burg”.

Në çdo rast, prokuroria jonë ka garancitë dhe instrumentat ligjore të bashkëpunojë me autoritete italiane për çështjet e përbahskëta ashtu edhe për procedimin e famshëm që po flitet këtu.

Në rast se doni të vërtetën, atëhërë më mirë se kush prokuroria dhe gjykata e Katanias që ka kryer për 4 vjet hetime e përgjigje dhe është në fazë të avancuar, e bën më mirë këtë çështje?”

Një përmbledhje të plotë të çështjes së ekstradimit të Seitit mund ta gjeni këtu.