Strategjia e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor është strategji moszgjerimi

Strategjia e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor është strategji moszgjerimi Eurokomisioneri Hahn me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor

Pavarësisht toneve të gëzuara dhe entuziaste të Federica Mogherinit në paraqitjen e raportit të zgjerimit të BE-së në Balkanin Perëndimor (BP), vetë dokumenti i Komisionit Europian përmban përshkrime shqetësuese për gjendjen ekonomike, politike dhe shoqërore të vendeve të BP.

Duke përjashtuar rastin e Serbisë dhe Malit të Zi, raporti duket sikur thekson arsyet pse BE nuk duhet zgjeruar në vendet e BP-së dhe mund të ishte titulluar fare mirë “strategjia e moszgjerimit në Ballkanin Perëndimor”.

Më poshtë janë disa nga gjetjet dhe konkluzionet kryesore të raportit në përgjithësi në lidhje me gjendjen e Shqipërisë, Kosovës, Bosnje-Hercogovinës dhe Maqedonisë.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

– Zbatimi i ligjit duhet të forcohet në mënyrë domethënëse. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor shfaqin elemente të qartë të kapjes së shtetit, lidhje me krimin e organizuar, korrupsion në të gjitha nivelet e qeverisë e administratës dhe mbivendosje të interesave publik dhe privat.

 – Lufta kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar duhet të jetë prioritet i gjashtë vendeve të BP-së. Gjurmët e krimit të organizuar në këto vende mbeten të forta, si në terma të trafikimit të qenieve njerëzore, në drogë dhe në armë apo në rrezikun e infiltrimit të krimit në sistemet ekonomike dhe politike.

 – Autoritete duhet të çmontojnë rrjetin kriminal dhe bazën e tyre ekonomike duke përdorur në mënyrë sistematike hetimin financiar dhe duke zbatuar mjete si ngrirja paraprake e të ardhurave kriminale, konfiskimi i aseteve kur burimi i pasurisë së tyre është i pashpjegueshëm.

 – Një sistem gjyqësor i pavarur e i fuqishëm dhe llogaridhënie e qeverive ndaj qytetarëve janë thelbësore për të sjellë ndryshimin e gjatës shoqëror kaq shumë të nevojshëm.

Zhvillimi ekonomik

 – Asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk mund të konsiderohet aktualisht një treg ekonomik funksional apo që ka kapacitete për të përballuar tregun evropian.

 – Ekonomitë e rajonit nuk janë konkurruese, me shumë ndërhyrje politike të paligjshme dhe një sektor privat të pazhvilluar.

 – Ekonomia e rajonit përballet me shumë dobësi në strukturë, me tregje joefektive dhe të ngurta, produktivitet të ulët dhe të drejta të paqarta pronësie  duke sjellë konkurrencë të ulëtë dhe papunësi të lartë.

 – Përfshirja e shteti dhe ndërhyrjet e panevojshme politike në ekonomi mbeten të larta, ndërsa politikat e konkurrueshmërisë dhe politikat e tjera shoqëruese janë ende të dobëta.

 – Proceset e privatizimit si një prioritet duhet të përparojnë në transparencë të plotë. Kompanitë me pronësi shtetërore vazhdojnë të frenohen nga dobësitë në zbatimin e ligjit dhe të funksionimit të dobët të institucioneve.

 – Masat të cilat synojnë ndryshimet shoqërore dhe strukturën e papunësisë duhet të kenë prioritet.

Forcimi i institucioneve demokratike

 – Forcimi i institucioneve demokratike është thelbësor dhe duhet të jetë prioritet. Kjo përfshin sigurimin e dialogut konstruktiv përgjatë spektrit politik, veçanërisht me parlamentet.

 – Qeveria duhet të sigurojë që opozita të ketë mundësinë të kryeje rolin e saj të plotë.Opozita, në anën tjetër, ka nevojë të ndërveprojë në mënyrë konstruktive në procesin demokratik.

 – Zgjedhjet duhet të jenë të lira e të drejta dhe rekomandimet e misioneve të vëzhgimit mbi zgjedhjet duhet të zbatohet në mënyrë të saktë.

 – Ligjet për financimin privat dhe publik të partive politike gjithashtu kërkojnë një reformim të thellë.

 – Reforma e adminsitratës publike është parësore në forcimin e qeverisjes në të gjitha nivelet. Kjo përfshin përmirësimin e cilësisë dhe dhënies së llogarisë së administratës.

 – Duhet gjetur një balancë e duhur ndërmjet qeverisjes vendore, rajonale dhe qendrore.

Lajme te ngjashme