Projektligji i vetingut në polici — cilat janë institucionet e reja që do të formohen?

Projektligji i vetingut në polici — cilat janë institucionet e reja që do të formohen?

Qeveria dorëzoi sot në Kuvend projekligjin për vlerësimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme.” Ministri Fatmir Xhafaj, gjatë prezantimit përpara Komisionit të Sigurisë, deklaroi se ky projektligj synon të spastrojë radhët e Policisë dhe të evidentojë e promovojë ata punonjës që plotësojnë kriteret morale e profesionale.

Sipas projektligjit, të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme do t’i nënshtohen verifikimit të pasurisë, kontollit të figurës dhe vlerësimit të aftësive profesionale.

Tre institucionet e reja që do të formohen janë:

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, Komisioni Qendror i Vlerësimit, Komisionet Vendore dhe të Posaçme të Vlerësimit.

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit do të verifikojë punonjësit e lartë të policisë, si:

Drejtorin dhe Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë, drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e drejtorive qendrore si dhe shefat e komisariateve;

Komandantin e Zëvendëskomandantin, si dhe çdo oficer me gradë Major, Nënkolonel dhe Kolonel në Gardën e Republikës;

Drejtor i Përgjithshëm dhe zëvendësit të tij, si dhe drejtorë e shefa sektorit në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Komisioni i Jashtëm përbëhet nga 15 anëtarë me këtë përbërje:

5 anëtarë nga punonjësit e ILDKP-së,

5 anëtarë nga pedagogët e Fakultetit të Ekonomikut dhe Juridikut (rektori i propozon bordit të posaçëm përzgjedhës një listë me 10 kandidatë dhe bordi përzgjedh 5 prej tyre)

5 kandidatë nga avokatët. (Dhoma e avokatëve i propozon bordit të posaçëm një listë me 10 avokatë dhe bordi përzgjedh 5 prej tyre).

Anëtarët organizohen në 5 grupe vlerësimi me 3 anëtarë secili. Anëtarët e grupeve të vlerësimit zgjidhen me short, sipas procedurave të caktuara nga komisioni përkatës i vlerësimit.

Kandidatët e propozuar nga trupa e pedagogëve dhe e avokatëve do të përzgjidhen nga Bordi Përzgjedhës, i cili përbëhet nga 5 anëtarë:

 – Një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme, i cili drejton Bordin;

 – Një përfaqësues i caktuar nga Komisioni për Sigurinë Kombëtare i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë;

 – Një përfaqësues i caktuar nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë;

 – Një përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave;

 – Një përfaqësues i Drejtorisë për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar.

Për këto kandidatura, bordi do të konsultohet me përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë. Bordi do të përzgjedhë edhe katër anëtarë zëvendësues.

Komisioni Qendror i Vlerësimit do të verifikojë:

Punonjësit e Policisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në strukturat e veçanta;

Punonjësit e Akademisë së Sigurisë, Institutit të Policisë Shkencore, si dhe në strukturat e veçanta;

Punonjësit e Gardës së Republikës me gradë Nëntoger, Toger, Nënkapiten, Kapiten;

Punonjësit e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Komisioni Qendror i Vlerësimit përbëhet nga 45 anëtarë:

15 anëtarë janë anëtarët e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, të cilët bëhen automatikisht anëtarë të këtij komisioni, pasi përfundojnë procesin e vlerësimit për kategoritë përkatëse të subjekteve të vlerësimit

30 anëtarët e tjerë përzgjidhen nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, me procedurë të hapur konkurimi, nga të cilët:

20 anëtarë zgjidhen nga Policia e Shtetit, 6 anëtarë nga Garda e Republikës dhe 4 anëtarë nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Anëtarët do të përzgjidhen nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit në bashkëpunim me përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë, brenda 7 ditëve nga dorëzimi i aplikimeve.

Vlerësimi kryhet nga 15 grupe me 3 anëtarë secili, të cilët zgjidhen me short, sipas procedurave të caktuara nga komisioni përkatës i vlerësimit.

Komisioni Qendror i Vlerësimit do të vendosi nëse një njësi/repart/strukturë do të vlerësohet nga Komisioni i Posaçëm i Vlerësimit.

Komisionet e Posaçme të Vlerësimit verifikojnë me propozim të drejtorit të institucionit të gjitha njësitë, repartet dhe strukturat, puna e të cilave nuk mund të bëhet publike.

Trupat e posaçme të vlerësimit përbëhen nga 3 anëtarë që i përkasin të njëjtit institucion ku zhvillohet vlerësimi.

Anëtarët, numri i trupave të vlerësimit dhe njësitë që do të vlerësohen vendosen nga Komisioni Qendror me propozim të titullarit të institucionit.

Komisionet Vendore do të verifikojnë punonjësit e Policisë së Shtetit pranë strukturave vendore të Policisë së Shtetit dhe punonjësit e Gardës së Republikës të cilët nuk verifikohen nga dy Komisionet e mësipërme.

Komisioni Vendor i Vlerësimit përbëhet nga 135 anëtarë, ndër to:

45 prej të cilëve janë anëtarët e Komisionit Qendror të Vlerësimit;

90 anëtarët e tjerë përzgjidhen nga Komsioni Qendror nga punonjësit e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, në përpjesëtim me numrin e punonjësve të secilit nga këto institucione, me procedurë të hapur konkurrimi.

Përzgjedhja e kandidatëve për anëtar të Komisionit Vendor të Vlerësimit bëhet me vendim të Komisionit Qendror të Vlerësimit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Komisioni Vendor i Vlerësimit organizohet në 45 grupe vlerësimi, me 3 anëtarë secili, të përzgjedhur me short, sipas procedurave të caktuara nga komisioni përkatës i vlerësimit.

Sekretariatet teknike

Organet e vlerësimit kalimtar mbështeten nga sekretariate teknike, gjatë gjithë veprimtarisë së tyre, sipas parashikimeve të projektligjit:

Sekretariatet teknike pranë çdo komisioni kanë për detyrë të:

Të analizojnë dosjen dhe të hartojë relacionin për pasurinë, kontrollin e figurës dhe të aftësive profesionale të punonjësve që i nënshtrohen vlerësimit;

Të kryejnë detyra të tjera të caktuara nga komisioni përkatës.

Kanë të drejtën të kërkojnë ekspertizë juridike dhe financiare nga Ministria e Brendshme, institucione të tjera ose ekspertë të jashtëm.

Si formohen sekretariatet teknike

Sekretariati teknik i Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit përbëhet nga 15 anëtarë. Përzgjedhja e anëtarëve bëhet nga Bordi Përzgjedhës me procedurë të hapur konkurrimi, në të njëjtën mënyrë me zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Jashtëm.

Organizimi dhe funksionimi i Sekretariatit Teknik përcaktohet me vendim të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit.

Sekretariati teknik i Komisionit Qendror i Vlerësimit përbëhet nga 45 anëtarë, të përzgjedhur, me procedurë të hapur konkurrimi.

Anëtarët përzgjidhen nga punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, sipas kritereve të mëposhtme:

a) të kenë kaluar me sukses procesin e vlerësimit nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit;

b) të kenë përfunduar arsimin e lartë;

c) të kenë jo më pak se 5 vjet eksperiencë pune.

Anëtarët përzgjidhen nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, sipas të njëjtës procedurë të Sekretariatit Teknik pranë Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit.

Organizimi dhe funksionimi i sekretariatit teknik rregullohet me vendim të Komisionit Qendror.

Sekretariati teknik i Komisioneve të posaçme dhe vendore të Vlerësimit përbëhet nga 135 anëtarë, të cilët janë punonjës të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës. Kandidatët duhet të plotësojnë këto kritere:

a) të kenë kaluar me sukses procesin e vlerësimit nga Komisioni Qendror i Vlerësimit;

b) të kenë përfunduar arsimin e lartë;

c) të kenë jo më pak se 3 vjet eksperiencë pune.

Anëtarët zgjidhen nga Komisioni Qendror i Vlerësimit, sipas të njëjtës procedurë të Sekretariatit Teknik pranë Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit.

Lajme te ngjashme