Vazhdon privatizimi i shtetit —Ligji i ri i kulturës sanksionon financimin publik të subjekteve private

Vazhdon privatizimi i shtetit —Ligji i ri i kulturës sanksionon financimin publik të subjekteve private

Qeveria do të financojë bizneset private në fushën e artit dhe të kulturës. Ligji i ri për kulturën i propozuar nga qeveria, njehson institucionet publike me ato private, dhe merr përsipër financimin e këtyre të fundit. Neni 4/2 i i projekt ligjit, i cili përcakton prioritetet e ministrisë përgjegjëse për kulturën, në pikën ç shprehet:

Neni 4/2

Ministria përgjegjëse për artin dhe kulturën mbështet nismat kulturore dhe projektet krijuese nëpërmjet:

ç) financimit të plotë ose të pjesshëm për institucionet publike qendrore, vendore ose të pavarura si dhe subjekteve private të artit dhe kultures.

Kjo do të thotë se çdo kompani private fitimprurëse, nga shtëpi botuese tek galeri private apo kompani prodhimesh artistike, kanë të drejtë të aplikojnë dhe përfitojnë fonde për veprimtarinë e tyre, pavarësisht qëllimit të tyre fitimprurës.

Ligji heq gjithashtu çdo lloj tavani për financimin e individëve që nuk janë pjesë e institucioneve publike artistike apo kulturore. Masa e shpërblimit për pjesëmarrjen e ketyrë individëve në projekte artistike dhe shumat përkatëse tashmë do të vendoset me negocim direkt me institucionin, ndërkohë që deri më sot masa e shpërblimit vendosej nga Këshilli i Ministrave.

Në fakt që në nenin e parë të tij projektligji u njeh “të drejta” edhe kompanive dhe organizatat private në fushën e artit dhe kulturës dhe merr përsipër organizimin dhe financimin edhe të tyre, krahas institucioneve publike:

Neni 1

Ky ligj përcakton parimet e përgjithshme, rregullat e organizimit, të funksionimit, realizimit dhe financimit të artit e të kulturës, si dhe të drejtat e detyrimet e subjekteve publike dhe private, që kanë për objekt veprimtarie artin dhe kulturën.

Është e njejta qasje që është ndjekur për arsimin e lartë: paratë publike do të shkojnë për institucionet private të kontrolluara tërësisht nga pronarët e tyre.

Njësoj si në rastin e arsimit, nga ana tjetër, ligji rikthen qasjen komuniste mbi kontrollin e plotë qeveritar mbi çdo aspekt të organizimit, vendim-marrjes dhe krijimtarisë për artin dhe kulturën. Që në fillim, projektligji përcakton qartë se prioritetet e artit dhe të kulturës vendosen nga qeveria:

Neni 4/1

Politikat në fushën e artit dhe kulturës

  1. Politikat në fushën e artit dhe kulturës drejtohen dhe mbështeten nga Këshilli i Ministrave.
  2. Ministria përgjegjëse për artin dhe kulturën zbaton politikën për mbrojtjen dhe promovimin e artit dhe kulturës, në përputhje me funksionet dhe kompetencat e saj në respektim të dispozitave të këtij ligji.
  3. Strategjia kombëtare për zhvillimin e artit dhe kulturës miratohet nga Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrit përgjegjës për artin dhe kulturën.

Projekti, vazhdon varësinë e plotë nga qeveria të institucioneve artistike dhe kulturore të vendit, duke ruajtur të drejtën për emërimin dhe shkarkimin e drejtuesve të këtyre institucioneve, dhe madje e ul një nivel më poshtë këtë përgjegjësi duke e kaluar nga kryeministri tek ministri përgjegjës për kulturën. Kjo do të thotë se pas miratimit të ligjit, do të jetë ministri i kulturës që do të emerojë dhe shkarkojë drejtuesit e Teatrit Kombëtar, Teatrit të Operës dhe Baletit, Bibliotekës Kombëtare e me radhë.

Kontrolli i plotë i qeverisë mbi artin dhe kulturën thellohet deri në pikën sa ministrisë përgjegjëse për kulturën i është dhënë kompetenca për të miratuar programin dhe veprimtarinë artistike të çdo institucioni publik artistik e kulturor, veprimtari e cila propozohet nga kolegjiumi përkatës i çdo institiucioni, i cili gjithashtu emërohet dhe shkarkohet nga ministri përgjegjës për kulturën dhe ka në përbërje funksionarë të administratës publike.

Ministri krijon një bord artistik pranë ministrisë përgjegjëse për kulturën dhe emëron anëtarët e këtij bordi. Madje, ministri ka të drejtë të shkarkojë pa dhënë asnjë arsye çdo anëtar të këtij bordi artistik. Bordi ka për kompetencë shqyrtimin, vlerësimin dhe miratimin e të gjitha projekteve dhe veprimtarinë artistike të të gjitha institucioneve publike dhe private me qëllim financimin e tyre.

Bordit i është dhënë edhe përgjegjësia të miratojë “pjesëmarrjen e institucionit në festivale dhe manifestime të tjera duke përcaktuar edhe projektin pjesëmarrës”. Kjo do të thotë se ministria do të miratojë nëse një isntitucion mund të marrë pjesë në një aktivitet kombëtar apo ndërkombëtar, të themi në një panair ndërkombëtar libri apo një biennale ndërkombëtare, dhe të përcaktojë edhe veprën që do të paraqisë institucioni.

Por, ndërsa ligji vë në kontroll qeveritar institucionet publike, ai nuk vë asnjë kusht për institucionet private që do të përfitojnë njësoj si ato publike nga fondet shtetërore. Minimalisht, nuk ka vënë kushtin që financimi mund të bëhet vetëm për subjekte jofitimprurëse apo institucione që menaxhohen nga borde publike. Kjo qasje sikurse në rastin e arsimit të lartë mund të çojë vetëm në një rezultat: shkatërrim të institucioneve publike dhe fitime monetare për pronarët e institucioneve private.

Lajme te ngjashme