Nga Johannes Estrada
14 milion dollarë për asgjë: shkollat e Veliajt janë skemë korrupsioni Renderi i shkollave me PPP në Tiranë

Skema financiare që kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka zgjedhur për financimin e godinave për 5 shkolla të reja është një skemë e paprovuar në botë, e shtrenjtë dhe, me shumë gjasa, korruptive. Nëse do të përdornim batutën tashmë popullore, “nuk keni parë gjë akoma”, kjo skemë është vërtet e paparë në botën e financave e shkon përtej çdo lloj çmendurie të parë deri tani në Shqipëri.

Idenë e “shkollave me PPP” Erion Veliaj e ka propaganduar që më shumë se një vit më parë. Siç ndodh rëndom me projektet e tij, përveç një pohimi të përgjithshëm, atrëhere nuk u dha asnjë sqarim se çfarë nënkuptonte kjo ide. Në një artikull të atëhershëm, është shpjeguar se dy ishin opsionet më të mundshme që Bashkia do përdorte për këtë proces:

Nëse një kompani ndërtimi do të angazhohet për ndërtimin e një shkollë, për të cilën do paguhet për një periudhë të gjatë kohore, ajo me siguri do të duhet ta financojë këtë investim nëpërmjet një kredie bankare. Rrjedhimisht, kompanitë do të pranonin të bëheshin pjesë e kësaj skeme vetëm nëse pagesa totale nga ana e Bashkisë do ishte më e lartë se sa vlera e investimit plus interesat që ato duhet t’i paguajnë bankave gjatë kohës që paguhen për ndërtimin e kryer.

Është e totalisht e paqartë pse Bashkia duhet të ndërmarrë një nisëm të tillë meqë interesat që shteti shqiptar duhet të paguajë për të njëjtin investim janë më të ulëta!

Shpjegimi tjetër, dhe i ngjashëm me skemat e PPP-ve të promovuara nga qeveria aktuale, është që kompanitë e ndërtimit do përfitojnë avantazhe të tjera falë kësaj skeme, të cilat për momentin nuk po i tregohen publikut.

Opsioni i parë ishte pagesa jo nëpërmjet një kontratë të zakonshme, por një kontrate me këste që në total do ishte një kosto më i lartë për buxhetin.

Opsioni i dytë ishte përdorimi i truallit të dhënë nga bashkia për ndërtime private, ku vetëm një pjesë e truallit ose e ndërtimit do i kushtohej shkollës. Kjo është e ngjashme me skemën e përdorur për stadiumin e ri Arena Kombëtare dhe sikurse bashkia ka pohuar se do të veprojë për Teatrin Kombëtar.

Bashkia ka zgjedhur versionin e parë, dhe siç ndodh rëndom me konçesionet tashmë, nga kjo zgjedhje buxheti i shtetit do të humbasë thuajse 14 milion dollarë.

Çfarë po bën Bashkia?

buletinin e datës 19 shkurt 2018, faqja 463, Bashkia ka shpallur fituesin e një kontrate konçesionare për ndërtimin e ndërtesave të 5 shkollat e para sipas një skeme të re konçesionare. Në formularin për njoftimin e fituesit përdoret një gjuhë e drunjtë, e cila e bën të vështirë të kuptosh kushtet e kontratës. Prandaj, duhet t’i referohemi studimit të fizibilitetit, ku është bërë analiza ekonomike e skemës.

Studimi shpjegon se Bashkia e Tiranës, për shkak të mungesës së fondeve “duhet të zbatojë metoda inovative të prokurimit dhe financimit të projektit të propozuar” për të ndërtuar 17 shkolla të reja, të domosdoshme për kryeqytetin, të cilat llogaritet të kushtojnë rreth 58 milion dollarë (6,2 miliard lekë). Sipas kësaj skeme, kompanitë e interesuara do ndërtojnë me fondet e tyre shkollat dhe do kujdesen për mirëmbatjen e tyre për shtatë vjet. Gjatë kësaj kohe, Bashkia do paguaj me këste investimin e kryer plus një interes vjetor prej 6,28 për qind.

Duhet thënë që në fillim se argumenti i mungesës së fondeve është i pabazë. Bashkia pretendon se nuk ka fonde për shkak se buxheti është vetëm rreth 100 milion dollarë. Në të vërtetë, falë rritjes së taksave, vetëm në në 9-muajt e parë të 2017-ës, Bashkia Tiranë kishte mbledhur thuajse 130 milion dollarë të ardhura. Kjo shtesë të ardhurash i lejon fare mirë Bashkisë ndërtimin gradual të shkollave gjatë viteve në vijim nëpërmjet prokurimit të zakonshëm. Kostot e projekteve infrastrukturore janë kudo të lartë në raport me të ardhurat buxhetore të një viti, por kjo nuk justifikon gjetjen e  “metodave inovative” të  financimit të projekteve që zmadhojnë kostot, si kjo e propozuar nga Bashkia.

Çfarë e bën skemën më të kushtueshme? 

Siç është shpjeguar në artikullin e mëparshëm, pagesa me këste është problematike për ndërtuesit. Nëse ata do të paguheshin menjëherë për punën ndërtimore të kryer, shumën e marrë ata do të mund ta investonin në projekte të tjera fitimprurëse ose mund të depozitonin në bankë dhe të përfitonin interesa, aktualisht në masën rreth 2 për qind të shumë së depozituar, sipas Raportit të Politikës Monetare 2018 të Bankës së Shqipërisë.

Duke qenë se Bashkia ka vendosur të paguajë me këste, për t’i bërë të interesuar ndërtuesit, Bashkia propozon përveç pagesës për koston e ndërtimit dhe fitimin normal mbi këtë kosto, t’i japë ndërtuesve edhe një interes vjetor shtesë prej 6,28 për qind mbi koston totale të ndërtimit dhe fitimit. Për të 17 shkollat që planifikon të ndërtojë bashkia, vetëm pagesa si interes shtesë ndaj kompanive vlerësohet në thuajse 14 milion dollarë.

Që të jemi të qartë, Bashkia po paguan 14 milion dollarë shtesë, përmbi normën e fitimit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen shkollës që do pagueshin në një prokurim të zakonshëm. Nuk është shaka: sipas “skemës inovative” të Bashkisë, qytetarë po paguajnë 14 milion dollarë më shumë sepse… nuk kemi para!

A është e nevojshme e gjitha kjo?

Absolutisht jo! Siç e kemi shpjeguar më parë, ka një arsye të rëndësishme pse shtetet nuk ndërtojnë kurrë në këtë mënyrë. Kjo pasi sektori publik ka mundësi të marrë borxh me norma shumë më të ulëta se 6,28 për qind. Nëse e marrim të mirëqenë se fondet aktuale të Bashkisë nuk janë të mjaftueshme, ndërtimi mund të kryhet në mënyrën tradicionale të huamarrjes, duke përdorur si garant Qeverinë qendrore për të marrë borxh publik.

Forma kryesore me të cilën merr borxh shteti shqiptar është nëpërmjet bonove 12-mujore të thesarit, të cilat në ankandin e fundit të Bankës së Shqipërisë arritën një normë interesit prej 2,65 për qind, thuajse sa një e treta e shifrës që ka planifikuar bashkia. Në fakt, siç tregon grafiku i mëposhtëm, normat e interesit për bonot 12-mujore janë ulur ndjeshëm vitet e fundit duke i bërë investimet publike më të lira dhe më të përballueshme.

Zakonisht kundërshtia kryesore për financimin e punëve publike përmes borxhit ka të bëjë me rritjen e nivelit tashmë të lartë të borxhit publik. Ky shqetësim publik nuk është totalisht i përligjur pasi normat e ulta të interesit të bonove të thesarit tregojnë se shteti shqiptar aktualisht jo vetëm nuk vuan nga mungesa e besimit në treg, por mund të marrë borxh me kosto shumë të ulët.

Gjithsesi, edhe nëse supozojmë se borxhi publik përbën problem, sipas raportit të fizibilitetit, Bashkia angazhohet të shlyejë pagesat nga buxheti i saj në vitet në vazhdim. Praktikisht shkollat do paguhen gjithsesi nga taksat e ardhshme të qytetarëve. Ky angazhim përbën një detyrim të barazvlefshëm me një borxh, thjesht të fshehur duke përdorur një emërtim tjetër, për më tepër nëpërmjet një kostoje më të lartë.

Si vendosën të paguajnë interes prej 6,28 për qind?

Një përpjekje e fundit për të mbrojtur nismën e Bashkisë mund të justifikonte ndoshta normën prej 6,28 për qind. Për të arritur në këtë normë, raporti i fizibilitetit përdor mesataren e ankandeve të fundit për obligacionet afatgjata—bonot e thesarit me afat shlyerje mbi 1-vjeçar. Por edhe kjo qasje ka disa probleme.

Së pari, obligacionet afatgjata janë akoma një mjet i rrallë i huamarrjes nga shteti shqiptar, e si rrjedhojë ka ende një mosbesim ndaj tyre. Mjeti kryesor i shtetit për marrjen e borxhit mbeten bonot 12-mujore, të cilat emetohen thuajse çdo javë, dhe norma e interesit e këtyre bonove përdoret gjerësisht si pikë referimi në sistemin financiar shqiptar. Raporti i fizibilitetit duhet të kishte marrë si pikë referimi këtë normë interesi.

Por edhe nëse do të justifikonim në ndonjë mënyrë marrjen si pikë referimi të obligacioneve afatgjata, norma e tyre e interesit sot është më e ulët se 6 për qind, dhe më shumë gjasa ajo do vazhdojë të ulet me zgjerimin e përdorimit të tyre siç ka ndodhur që nga vitit 2010, e ilustruar kjo në grafikun i mëposhtëm marrë nga Raporti i Politikës Monetare më i fundit (fq.25).

Norma prej 6,28 për qind do të mund të arrihej vetëm nëse në analizë do të merreshin jo ankandet e kohëve të fundit por atyre më të vjetra në kohë. Kjo do të thotë se edhe vlerësimi i bazuar mbi obligacionet afatgjata, 5-7 vjeçare, që ka përdorur bashkia është i gabuar në dëm të interesit publik.

Së fundmi, edhe nëse supozojmë se duhet marrë borxh, edhe nëse marrim si pikë referimi obligacionet 7-vjeçare, edhe nëse llogarisim normën prej 6,28 për qind, përsëri nuk ka arsye se pse këtë duhet t’ja paguajmë një konçesionari të vetëm. Nëse Bashkia e Tiranës kërkon të marrë një borxh 7-vjeçar më një normë interesi më të lartë, pse nuk ja paguan këtë interes publikut, por një kompanie private?

Nëse duhet paguar një interes për një borxh të tillë, është mirë që të përfitojnë po ata që do e paguajnë borxhin, taksapaguesit shqiptarë. Bashkia mjafton të kërkojë hapjen e një ankandi për bono 7-vjeçare tek qeveria shqiptare, ose të fillojë punën për lëshimin e bonove bashkiake.

Përfundim

Ashtu siç kishim shpjeguar para një viti, skema më e fundit e Bashkisë Tiranë nuk ka asnjë kuptim nga ana financiare, sado të përpiqesh të mirëkuptosh justifikimet e bashkisë. Në vazhdën e planit urbanistik, ajo i gjan një skemë për të rritur pagesat ndaj ndërtuesve në dëm të interesit publik. Akoma më absurde është kjo politikë në kohën kur Bashkia e Tiranës ka rritur ndjeshëm taksat e saj ndaj qytetarëve, përfshi edhe vendosjen e një takse të veçantë pikërisht për ndërtimin e shkollave.

Është hamendësim, por arsyeja më e thjeshtë për të shpjeguar një politikë publike, e cila dëmton interesin publik, duke shpikur “metoda inovatore” financiare dhe falsifikuar të dhënat e vlerësimeve financiare, për të siguruar fitime më të larta se tregu për interesa private, është korrupsioni.