Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit organizon sot dëgjesë publike për Teatrin Kombëtar

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, një grupim artistësh e qytetarësh kundër vendimit të qeverisë për prishjen e godinës së teatrit, organizon sot një dëgjesë publike për rastin e teatrit, por jo vetëm.

Më 26 mars, në orën 18:00, në ambientet e Teatrit Kombëtar, artistë, qytetarë, arkitektë, restaurues dhe profesionistë të fushës do të diskutojnë për trashëgiminë kulturore-historike dhe rëndësinë e ruajtjes së saj.

“Ne mendojmë që ndërtesa e Teatrit Kombëtar jo vetem duhet ruajtur, por kërkojmë restaurimin e plotë të saj, në përputhje me parimet e njohura botërisht të restaurimit të monumenteve të kulturës”, shkruan Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Për këtë, gjatë dëgjesës, arkitektët dhe profesionistët do të flasin dhe për mënyrat se si këto ndërtesa të trashëgimisë kulturore mund të restaurohen.

Më tepër lidhur me vendimin e Qeverisë Rama për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një teatri të ri përmes Partneritetit Publik Privat mund të lexoni këtu, këtu dhe këtu.