FMN: Qeveria Rama të ndalojë dhënien e koncesioneve dhe PPP-ve

FMN: Qeveria Rama të ndalojë dhënien e koncesioneve dhe PPP-ve

Qeveria Rama duhet të ndalojë dhënien e koncesioneve dhe duhet të pezullojë projektin “1 miliardë euro” me PPP. Këto kërkesa i ka bërë dje publikisht shefi i Zyrës së Fondit Monetar Ndërkombëtar në Tiranë Jens Reinke.

Në një intervistë për Top Channel, Zoti Reinke theksoi se koncesionet po jepen pa u bërë asnjë analizë financiare dhe pa transparencë:

“Kemi këshilluar qeverinë që të marr një pushim të shkurtër, të pezullojë dhënien e koncesioneve të reja.  Çdo koncesion, përfshirë dhe ato të mëdhatë e dhëna së fundmi, del nga një proces jo shumë formal.”

Siç FMN ka theksuar shpeshherë në raportet e saj, Zoti Reinke sqaroi se Qeveria Rama nuk po regjistron si borxh publik shumat e mëdha të parave që po harxhohen në koncesione dhe kontrata të Partneritetit Publik-Privat:

“PPP-t përmbajnë risqe thelbësore fiskale. Një nga motivimet kryesore të PPP-ve duket se është shtyrja e pagesës. Pra, investimi bëhet tani me financime nga privatët, qeveria e paguan më vonë. Kjo ekonomikisht është e njëjtë me huamarrjen. Pra i gjithë investimi, ose një pjesë e tij duhet të regjistrohet si borxh publik.”

Përfaqësuesi i FMN-së sqaroi se asnjë qeveri nuk mund të pranojë çdo kërkesë të pakërkuar për koncesion që vjen nga kompanitë private, siç po vepron Qeveria Rama vitet e fundit:

“Programi i investimeve të qeverisë duhet të jetë konsistent dhe i mirëmenduar. Ai duhet të mbajë parasysh përfitimet totale në rrjetin e infrastrukturës, që vijnë nga investimet e ndryshme. Kjo nuk mund të ndodhë kur Qeveria thjesht miraton propozimet e pakërkuara që vijnë nga privatët, por vetëm kur ajo identifikon strategjinë e saj dhe tenderon publikisht ato projekte, të cilat janë përzgjedhur se kanë përfitimet më të mëdha.”

Përveç Fondit Monetar Ndërkombëtar, dhe Banka Botërore e ka kundërshtuar projektin e Qeverisë Rama për “1 miliardë euro” investime me PPP, pasi këto kontrata nuk janë bërë bazuar në studime fizibiliteti dhe po përdoren nga qeveria, në rastin më të mirë, vetëm për të fshehur nivelin real të borxhit publik.

Lajme te ngjashme